Lulzim Bashës duhet t’ia plotësojmë këtë ëndërr!

Nga Mero Baze

Lulzim Basha është lodhur të gjejë tetë pika ku do luftojë korrupsionin kur të vijë në pushtet. Dukej nga renditja, nga cektësia, nga nxitimi, nga pasiguria, nga makthi dhe mbi të gjitha nga fakti që nuk ngjit në atë që thotë, që ka dashur t’i çudisë njerëzit. Dhe më shumë se sa një platformë, ngjante si një njeri me objektiva të prishura për t’u pasuruar në disa sektorë që ka tentuar t’i aplikojë vetë.

Do të mjaftonte pallati i tij i ndërtuar në Vlorë për t’i bërë një radiografi gjithë platformës së tij qesharake. Nëse hetohet kë truall zaptoi vjehrri i tij, në emër të tij, duke hyrë në det, e duke ndërtuar pallate, sipas kësaj platforme, duhet të arrestohet.

Nëse hetohet se ku i gjeti vjehrri miliona euro për ta ndërtuar, ndërkohë që ka qenë një ish ushtarak I liruar në vitet ’90 dhe roje i VEFA-s, prap duhet të arrestohet. Nëse hetohet kush bleu aty dhe me çfarë nderesh pushteti u shkëmbye ndërtimi, pasi ndërtuesi i pallatit ka marrë gjithë tenderat e Bashkisë së Tiranës më pas, duhet të arrestohet.

Nëse më pas shikon se si u manipulua prishja për interes publik, si prishje e paligjshme për të fituar 15 milionë euro dhe për të zbardhur lekët e pista të korrupsionit të familjes Basha, përsëri duhet të arrestohet.

Mund të vazhdojmë më tej me detaje nga kjo histori, për të kuptuar se platforma e Bashës, ngjan më shumë me idetë e një njeriu të dëshpëruar, që i kanë prishur planet e korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes ndërtimit të paligjshëm, se sa një platformë serioze opozitare.

Një platformë serioze opozitare kundër krimit të pastrimit të pareve dhe ndërtimeve të paligjshme, natyrisht duhet të jetë shumë më serioze dhe më e gjerë. Por jo vetëm tek ndërtimet ku i ka mbetur mendja Lulzim Bashës. Tek çdo aspekt i zhvillimit të ekonomisë dhe përdorimit të pushtetit dhe parave publike.

Dhe kjo nuk bëhet një mbasdite, kur ke gënjyer gjithë njerëzit e tu për çdo aksion politik, kur i ke nxjerrë nga Kuvendi dhe nga bashkitë, kur i ke gënjyer që kanë fituar 85 për qind dhe në fund kur ke frikë të përballesh me zgjedhjet.

Kjo është thjeshtë një çështje personale e Bashës, është një përpjekje e re për moton e tij, “gënjeshtrën e përditëshme falna zot”.

Shqipëria ka një platformë shumë më serioze se kjo e Lulzm Bashës kundër krimit, korrupsionit dhe përfshirjes së pushtetarëve në veprimtari të paligjshme. Shqipëria ka në përfundim e sipër projektin më serioz europian në këtë pikë, më të lavdëruarin dhe më të mbështeturin nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që për fat të keq të Lulzim Bashës, do të nisë para gënjeshtrave të tij.

LEXO DHE :  Manchester United zhgënjen përfundimisht, mposhtet edhe nga West Ham

Do të nisë këtë vjeshtë. Është përfundimi i Reformës në Drejtësi dhe ngritja e SPAK, ajo që do të shkojë në “sitë”, në rrugë ligjore çdo gjë të paligjshme në këtë vend këto 30 vjet, përfshi dhe këto ëndrrat e prishura për korrupsion të Lulzim Bashës dhe gënjeshtrat e tij të reja.

Lulzim Basha nuk ka pse pret sa të vijë në pushtet për këtë ëndërr në sirtar reformash kundër korrupsionit. E ka shumë më të lehtë, shumë më të ndershme dhe shumë të shkurtër rrugën. Le të mbështesë Reformën në Drejtësi, le të mbështesë SPAK-un, le të mbështesë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë që janë duke u ngritur dhe Shqipëria do të përballet me një betejë reale kundër korrupsionit, që ndryshe nga kjo e Bashës që është “parashikuar” vetëm për armiqtë e tij, është për të gjithë. Është për të futur në skaner Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën, Lulzim Bashën, dhe gjithë piramidën shtetërore dhe individët që kanë përfituar nga pushteti.

Kjo nuk është gënjeshtër elektorale as projekt politik, por projekt konkret në përfundim e sipër, që ka sot armiqtë e saj të mëdhenj. Ata janë Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe shokët e tyre. Mjafton të pajtohen me fatin e saj dhe të jenë të qetë se gjërat që ëndërrojnë kundër korrupsionit, do bëhen realitet shumë shpejt, shumë mirë dhe nuk kanë për t’i lënë shqiptarët të presin dekada të tëra, që t’i mbushet mendja Lulzim Bashës të hyjë në zgjedhje, e pale më, pastaj të fitojë. Është punë muajsh Lulzim. Ti dhe armiqtë e saj e mallkuat Reformën, e mallkuat ambasadorin Donald Lu, por atje ku ai ka shkuar në Kirgizistan, sot është arrestuar ish Presidenti për korrupsion. Atje ku duket sikur askush nuk preket.

Do ta çojmë në vend ëndrrën tënde për luftë kundër atyre që kanë ndërtuar në prona të paligjshme, që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe janë rimbursuar në mënyrë të paligjshme. Është aq afër sa ke shanse ta provosh. Do ta bëjmë këtë nder!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.