Lulzim Basha, demokratëve: Mbani shënim hallet e njerëzve, ua zgjidh unë kur të vij në pushtet
Dritare.net
“Vendi është robëruar nga një kastë, nga një klikë të korruptuarish dhe kriminelësh të cilët kanë vetëm një interes, të përfitojnë e të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Koha ka ardhur që Partia Demokratike t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve fazën e fundit të modernizimit të një vendi, drejt lirisë dhe demokracisë. Ashtu si demokracia dhe liria erdhën për shkak të nevojës, domosdoshmërisë për të shporrur diktaturën, atëherë kur s’kishte më ku të shkonte, nuk kishim më nga t’ia mbanim, edhe sot kjo vjen si një domosdoshmëri që t’i kthejmë qytetarëve qeverisjen, të fuqizojmë qytetarin, duke i dhënë instrumentat kushtetuese dhe ligjore që ai të përcaktojë të gjitha vendimmarrjet dhe vendimmarrësit lirisht dhe jo i kërcënuar dhe as i shitblerë”, tha Basha.
Basha u kërkoi anëtarëve të Partisë Demokratike të qëndrojnë pranë njerëzve, të prekin realitetin e tyre dhe të evidentojnë dhe të mbajnë shënim hallet e qytetarët në nevojë. Halle, që Basha thotë se do ua zgjidh ai sapo të vijë në pushtet.
“Halle konkrete, emra konkretë, fate konkrete njerëzish i njohim, i dimë, i takojmë ditë për ditë në komunitetet, por ne duhet të kemi një evidencë të plotë. Kjo është një parti politike që përgatitet nesër të marrë përgjegjësi konkrete të qeverisjes, jo demagogji, jo premtime koti. Dhe po ju them se detyra jonë kryesore, misioni ynë më i shenjtë që prej ditës së parë në qeverisje, pa asnjë alibi është të bëjmë gjithçka për njerëzit në nevojë”, u shpreh Basha.