Lista/ Deputetët që nuk flasin kurrë marrin miliona me dieta, udhëtime e strehim

Publikimi i deklaratave të pasurisë së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë gjithnjë përbën lajm. Llogari bankare me qindra e mijëra euro, vila, apartamente, prona, automjete luksoze, deklarohen pa asnjë kompleks nga ligjvënësit shqiptarë.

Por, pavarësisht pasurive dhe llogarive me shuma të mëdha bankare, deputetët e Kuvendit nuk ia kursejnë vetes privilegjin e detyrës. Instituti i Studimeve Politike ka hulumtuar mbi të ardhurat mujore që kanë marrë deputetët e Kuvendit në periudhën janar-shtator të vitit 2018.

Shumica e deputetëve mendojnë se kanë trajtim financiar shumë më të vogël sesa praktika e vendeve të tjera dhe në raport me punën që bëjnë, kurse shumica absolute e qytetarëve të anketuar mendojnë se deputetët kanë përfitime më të larta financiare sesa kontributi që ata japin dhe puna që bëjnë.

Megjithatë, pakkush nga qytetarët e di sesi funksionon sistemi i pagesës për deputetët. Faktikisht, pagesa llogaritet mbi disa kategori – pjesëmarrja në komisione, pjesëmarrja në seanca, përfitimi i bonusit për udhëtimin dhe strehimin, trajtimi telefonik, ditët, etj., për rrjedhojë nuk ka një pagesë fikse për deputetët.

ISP ka raportuar edhe në janar e shtator 2018 për rastet e deputetëve që deklarojnë se nuk kanë banesë në Tiranë dhe për të cilët shteti paguan për strehimin e tyre. Numri i tyre është i vogël, kryesisht deputetë të rretheve të largëta, por gjithsesi midis tyre ka pasur e ka deputetë, që de facto kanë jo vetëm kanë banesë në Tiranë, por kanë edhe banesa luksoze.

SHPËRBLIMET

Shumë prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët e kanë përdorur pak ose aspak foltoren e seancave plenare, rezultojnë të jenë edhe më të paguarit. Deputetët e PS-së në Qarkun e Vlorës, Edmond Leka dhe Fatmir Velaj, rezultojnë të jenë edhe ligjvënësit më të paguar në nëntëmujorin e parë të vitit 2018. Më pas, lista pasohet nga deputetë të tjerë të maxhorancës si Adelina Rista, Xhevit Bushaj dhe Tatiana Piro.

LEXO DHE :  Aksident në Shkodër, plagosen 4 persona

Lista e pagesave të deputetëve tregon se deputetët “më të rëndësishëm” që kanë poste të larta politike dhe parlamentare dhe që mbajnë peshën e aktivitetit parlamentar, në fakt përfitojnë pagesa më të vogla financiare sesa një numër deputetësh anonimë, të cilët figurojnë në listën e deputetëve me nivel më minimal angazhimi parlamentar. Lideri i opozitës, Lulzim Basha, ish Kryeministri Berisha, Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, apo edhe nënkryetarët e Parlamentit, Vasilika Hysi dhe Edi Paloka, rezultojnë të kenë marrë përfitime minimale në periudhën janar-shtator 2018. Disa prej tyre “kompensohen” me funksionin zyrtar, posedimi i zyrës apo mjeteve të tjera të aktivitetit parlamentar, sidomos drejtuesit e Kuvendit.

Një pjesë ka edhe poste në partitë respektive dhe “kompensohet” me infrastrukturën e saj, por në tërësi trendi mbetet i njëjtë: deputetët më të paguar nuk janë deputetët më aktivë në Parlament dhe, gjithashtu, deputetët drejtues në komisione dhe funksione parlamentare nuk janë deputetët më të paguar. Deputetët me përfitimet më të ulëta financiare në Parlament përgjithësisht janë përfaqësues të zgjedhur në Qarkun e Tiranës, ku rrjedhimisht nuk kanë përfitime për karburant dhe ndihmë për pagesë banese./ I.M-ISP

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.