Ligji për asistencën sociale/ Lehtësohen procedurat për përfitimin e ndihmës ekonomike
Dritare.net
Relatorja e këtij ligji, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Ardiana Jaku, sqaroi në studion e ERTV-së, se si konkretisht ky ligj do të krijojë lehtësi dhe mundësi të reja për shtresat në nevojë.
“Së pari lehtësohen procedurat e përfitimit të ndihmës ekonomike, qytetari aplikon në njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe prej aty të dhënat përcillen në mënyrë elektronike. Risia që sjell ligji është shmangia e vendimarrjes nga këshillat bashkiakë, nisur nga eksperiencat kur këshillat bashkiake nuk mblidheshin në kohë duke vështirësuar vendimarrjen dhe penalizuar qytetarët që kërkonin ndihmë ekonomike. Ligji heq kriteret përjashtuese të ndihmës ekonomike. Me ligjin e ri, për ndihmë ekonomike mund të aplikojë çdo familje që konsiderohet me të ardhura të pamjaftueshme, edhe ato familje që kanë të ardhura nga pensioni, nga bujqësia, etj”, tha Jaku.
Deputetja shtoi se me ligjin e ri hiqet tavani prej 8 mijë lekësh, i shumës së ndihmës ekonomike që përfitojnë familjet dhe tashmë, shuma do të përcaktohet sipas nevojave.
“Çdo anëtar i familjes ka një shumë të caktuar, nëse më parë shuma llogaritej ndryshe për ata që jetonin në fshat dhe ndryshe për ata që jetonin në qytet, tashmë nuk do të ketë më asnjë kufizim, pra nuk do të ketë më tavan. Çdo anëtari të familjes do t’i llogaritet masa e shumës mbi bazën e një VKM-je që do të dalë në muajt në vijim”, tha Jaku.
Shtylla e dytë e ligjit është pagesa e aftësisë së kufizuar. Me qëllim integrimin e perosnave me aftësi të kufizuara në tregun e punës është vendosur të hiqet kufizimi i pagesës së aftësisë së kufizuar. Pagesa do të vazhdojë të merret gjatë gjithë kohës, edhe kur individi me aftësi të kufizuara është në punë. Sipas Jakut, personave që do aplikojnë për pagesën u janë lehtësuar procedurat, duke shmangur edhe këtu vendimin e këshillit bashkiak.
Shtylla e tretë e ligjit është sanksionimi për herë të parë me ligj i bonusit të bebes.
“Gjatë 6 muajve të parë të vitit 2019 janë mbështetur më shumë se 12 400 foshnje të lindura, veç lehtësimit të procedurave ku nëna vetë merr çekun në institucionin mjekësor ku ajo ka kryer lindjen. Kjo është një mënyrë për të mbështetur lindjet e reja dhe një politikë sociale që rrit qëndrueshmërinë e saj ndër vite”, tha Jaku./dritare.net