Si të ndaloj së menduari vetëm gjëra të këqija!
Dritare.net
Përshëndetje psikologe Enertila
Ju lexoj gjithmonë dhe ju përgëzoj për punën tuaj. Jam një vajzë 25 vjeç, punoj dhe jam aktive gjatë ditës, por në mendje më vijnë mendime të këqija për veten, për familjen. Por edhe kujtime nga momente të këqija të jetës time. Si mund t’i ndaloj apo t’i reduktoj të lutem? Punë të mbarë e faleminderit!
Psikologia Enertila Bekteshi përgjigjet:
Përshëndetje lexuesja jonë. Pavarësisht se sa shumë përpiqeni, truri trajton ndryshe informacionin negativ dhe pozitiv. Përvojat negative kërkojnë më shumë përpunim dhe për këtë arsye përpunohen në mënyrë më të detajuar. Kjo e bën trurin shumë më të prirur për të kujtuar ngjarjet negative.
Ky proces kërkon heqjen e lidhjes emocionale që kemi me të kaluarën, veçanërisht atë me përvoja të trishtueshme. Çdo gjë në jetë ka një fillim dhe një fund, nuk kemi nevojë të mendojmë për të kaluarën për ta mbajtur atë gjallë. E rëndësishme është të bëni paqe me fundin, veçanërisht nëse ai përfundim ishte i tmerrshëm, dhe të vazhdoni. Ne nuk mund të kontrollojmë atë që bëjnë të tjerët, por mund të mësojmë të menaxhojmë se si reagojmë ndaj veprimeve të tyre.
Ne duhet të mësojmë nga gabimet dhe pastaj të vazhdojmë. Heqja dorë nga një ngjarje nga e kaluara siguron një hapësirë për përvoja të reja. Shumë nuk arrijnë të ecin përpara sepse nuk arrijnë të vlerësojnë të tashmen e tyre. Kujtimet e së kaluarës vijnë në mendje herë pas here. Sa më shumë që ngulmoni
duke mos menduar për të, aq më shumë bini përsëri në këto mendime. Në vend që t’i kundërshtoni, njihni dhe përpiquni t’i drejtoni në një drejtim tjetër. Planifikoni gjithçka që do i thoni vetes kur të vijë në mendje një kujtim. Pranoni që e kaluara përbëhet nga një sërë ngjarjesh që kanë ndodhur tashmë dhe që nuk mund të jeni gjithmonë krenarë për mënyrën se si jeni sjellë.
Kuptoni që ju mund të kontrolloni veten dhe emocionet tuaja. Nëse ju do të vazhdoni shumë gjatë me këtë problem keni nevojë për ndihmë për të punuar në të kaluarën tuaj, një psikolog (ose psikoterapist) mund t’ju ndihmojë të kuptoni atë që ndjeni. Ai do të jetë në gjendje t’ju dëgjojë, t’ju ndihmojë të kapërceni problemet tuaja dhe të përmirësoni jetën tuaj.
Ju këshilloj gjithashtu se mësimi për të lënë pas të kaluarën është një proces që kërkon kohë. Në mënyrë të pashmangshme, do të hasni në pengesa dhe vështirësi, por mos u dorëzoni. Shkoni përpara! Ju uroj fat dhe gjithë të mirat./dritare.net