Si mund ta kuptoj vajzën time, e cila do të rrijë gjithë kohës vetëm!
Dritare.net
Përshëndetje Psikologe Enertila!
Unë që po ju shkruaj jam nëna e një vajze 19-vjeçare. Ju shkruaj për vajzën time pasi asaj i pëlqen të qëndrojë vetëm. Kjo gjë mua nuk më pëlqen dua që ajo të jetë më sociale. Do të doja ta njihja vajzën time çfarë karakteri ka apo të di diçka në lidhje me sjelljen e saj pasi herë pas here më shqetëson mënyra e saj e qëndrimit.
Përshëndetje lexues të Dritare.net!
Të jesh vetëm nuk do të thotë domosdoshmërish të jesh i vetmuar ose të mos kesh miq. Shumë njerëz preferojnë t’i lënë hapësirë vetes dhe që ndonjëherë keqkuptohen .Për shumë njerëz, të qenit vetëm është një kënaqësi. Njerëzit që dinë të ndihen mirë edhe vetëm, priren të kenë një vetëbesim më të lartë,ata janë të sigurt dhe më të kujdesshëm.
Ata priren të kenë miq të zgjedhur me të cilët ndihen rehat dhe me të cilët mund të flasin për gjithçka, pa qenë nevoja të takojnë shumë njerëz të rinj. Kjo ndodh edhe sepse shumë shpesh, atyre mund t’u duhet më shumë kohë për t’u hapur, për të qenë spontan dhe të disponueshëm për marrëdhënie të reja. Këta njerëz gjithashtu respektojnë kufijtë midis tyre dhe të tjerëve sepse vlerësojnë individualitetin dhe për shkak se ata janë gjithmonë në kontakt të ngushtë me veten e tyre, është më e lehtë për ta të gjejnë ekuilibrin e nevojshëm për të përballuar vështirësitë e jetës. Janë më rezistente.
Të qenit vetëm u jep atyre mundësinë të mendojnë intensivisht për jetën, dhe të fokusohen në atë që ka vërtet rëndësi. Pikërisht për shkak se ata shpenzojnë më shumë kohë duke vëzhguar, këta njerëz janë më të aftë për të kuptuar atë që po ndodh me të tjerët dhe priren të mos gjykojnë njerëzit e tjerë, dhe për këtë arsye priren të jenë mjaft empatikë. Ata janë më të vëmendshëm ndaj sjelljes së të tjerëve dhe e dinë kur diçka nuk shkon, janë të sigurt në vetvete dhe nuk kërkojnë miratim të vazhdueshëm nga të tjerët. Shumë prej këtyre njerëzve, pikërisht sepse janë të kënaqur me kohën dhe situatën e tyre, kanë mësuar të thonë jo kur është e nevojshme. Së fundi, ka njerëz që duan të jenë vetëm, por që janë të gatshëm të angazhohen për një marrëdhënie , por ndoshta me kompromise pak më të hapura dhe të pavarura se lidhjet e zakonshme. Ju përgëzoj për vëmendjen që tregoni ndaj vajzës tuaj gjithë të mirat./dritare.net