Letër Psikologes / Kam psikoza, çfarë duhet të bëj?
Dritare.net
Unë që po ju shkruaj, jam një djalë 32 vjeçar që kurohem nga psikozat. Ndiqem nga psikiatri dhe marr antipsikotikë. U bë gati një vit që marr këtë mjekim. Gjendja ime është përmirësuar shumë nga fillimi të cilin e kam patur të vështirë. Kam pak muaj që punoj dhe megjithëse ndiej përmirësim në gjendjen time kam disa javë që ndihem i lodhur, jam bërë i heshtur, nuk kam interes për shumë gjëra. Kam provuar disa herë terapi me dy psikologë të ndryshëm, por nuk është se i kam shumë dëshirë. Nuk jam hapur shumë me to. Mjeku im më ka rekomanduar të ndjek seanca me psikologun, mirëpo unë nuk po ndihem mirë.
Pyetja ime është çfarë duhet të bëj për të ndjerë përmirësim?
Në pritje të përgjigjes tuaj. Ju uroj punë të mbarë!
[caption id="attachment_631639" align="alignnone" width="370"] Foto ilustruese[/caption]
Psikologia përgjigjet:
Përshëndetje i dashur lexues!
Ju falënderoj për letrën tuaj në rubrikën time.
Fillimisht duhet t’ju them se marrja e mjekimit të duhur dhe ndjekja me mjekun në rastin tuaj është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes suaj. Vlerësimi psikiatrik është i pashmangshëm që në fillimet kur vërehet çrregullimi psikiatrik me të cilin mund të kenë të bëjnë sjelljet. T’i dallosh shenjat e paralajmërimit të çrregullimit psikotik mund të jetë e vështirë, para se gjithash në adoleshencë, ku dhe sjelljet janë ekstravagante. Reagimet tepër të theksuara në krahasim me rrethanat dhe vështirësitë në marrëdhëniet ndërnjerëzore janë tejet të zakonshme edhe tek fëmijët pa çrregullime psikiatrike.
Psikoza është një gjendje e çrregullt e mendjes që rezulton në vështirësi të dallimit të asaj që është e vërtetë nga ajo që nuk është. Psikoza ka shkaqe të ndryshme të paraqitjes.
Simptomat mund të përfshijnë besime të rreme dhe të shohësh ose të dëgjosh gjëra të paqena. Mund të paraqiten edhe probleme të gjumit, tërheqje sociale, mungesë motivimi dhe vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.
Angazhimi juaj në punë sigurisht që ju ndihmon. Kjo është një gjë e mirë, vazhdoni t'i përkushtoheni punës çdo ditë.
Trajtimet psikologjike siç janë pranimi dhe terapia e angazhimit janë ndoshta të dobishme në trajtimin e psikozës, duke ndihmuar njerëzit të përqendrohen më shumë në atë që mund të bëjnë, pavarësisht simptomologjisë sfiduese.
Unë mendoj se ty të duhet ndihma e një psikologu dhe e një terapie në vazhdimësi deri në hapat e parë të përmirësimit. Paralelisht me mjekimin terapia me psikologun ju ndihmon.
Të krijosh besimin tek terapisti dhe të mos heqësh dorë prej terapisë është e rëndësishme. Gjithmonë efektet e mjekimit apo të trajtimeve psikologjike duan kohën e tyre për të vepruar.
Uroj që gjendja juaj të përmirësohet sa më shpejt!/dritare.net
Enertila Bekteshi, Psikologe Klinike, QSUT
Nëse doni të ndani pyetje, këshilla apo dhe rrëfime, ju lutem shkruani në: [email protected]