Ky projekt nuk ka çmim, por edhe 150 mijë euro do të bënin punë

Nga Luna Ruvina

Kam kaq ditë që vras mendjen. Një shoqja ime është shumë aktive me organizatat joqeveritare dhe kishte parë një thirrje për projekte. E entuziazmuar më thotë “O burra (na është bërë zakon, kështu themi edhe ne gratë kur duam të inkurajojmë njëra-tjetrën), hajde, vrasim mendjen e dalim me ndonjë ide të mirë që ta fitojmë!” Unë, po gati! Ata që më njohin e dinë se, unë s’përtoj të tjerr ide e të të lodh me stërhollime optimiste të recetës ‘petulla me ujë’. Në fakt, në një vend tjetër, ku letrat e thirrjeve apo tenderëve nuk “qepen” aq bukur sa këtu, mund edhe të kishte nga ata, që mund të donin edhe të ndërronin meny e të shihnin se, mund edhe të gatuhet pa vaj … po le t’i lëmë ata. Thirrja kërkon ndonjë sipërmarrje sociale. Unë vdes për këto gjëra, madje s’e kam thjesht për qejf, e kam vërtet prej halleve, që i kam hequr në mos te vetja, te njerëzit më të afërt që kam. Nuk di nga t’ia nis. Alkoolizimi, depresioni, vetëvrasja, varësia nga droga, bixhozi, për të përmendur më seriozet.

Nuk flas përditë dhe me çdokënd për këto gjëra. Shpesh, edhe kur flas, pendohem. Ka pasur raste kur m’i kanë përdorur, për të më zhvlerësuar. Ka pas, ama, raste kur jam ndier mirë. Jam habitur me histori, që të tjerët m’i kanë rrëfyer, kur kanë ndier se, po flasin me dikë që “i kupton”. Pothuajse të gjithë më duket se njohin dikë, që e ka një hall ashtu, por njerëzit nuk flasin. Për të mos përmendur sa shumë histori “marrëdhëniesh të pavend” ndodhin rreth nesh, nga ato që në ato vendet që përmenda më sipër as do imagjinohej të fshiheshin. Këtu ke burra e gra të martuar, që e kanë edhe nga një grua a burrë tjetër “rezervë”, por që për t’u ndarë nga ai/ajo me letra, s’e mendojnë. Ke vajza të reja beqare, në dukje madje “të virgjëra” që të gjithë, përveç prindërve pensionistë, që e kanë mendjen t’u gjejnë burrë, motrave që e kanë kaluar atë fazë, e kanë si dëshmi nga një llogari në Facebook me emrin e kalamajve, e vëllezërve të palestruar që janë tepër të zënë për të parë, kushdo i njeh si “gratë” e pronarëve, drejtorëve dhe shefave. Ato të shkretat e dinë sa vuajnë, pas fotove të lumtura vetëm nëpër vende, ku nuk do t’u mjaftonte as rroga mujore për të kaluar një natë.

LEXO DHE :  Tahiri: Kjo histori nisi me burra me mustaqe e ka shkuar me burra me botox

Këtu ka baballarë e mamallarë, që jo vetëm nuk kanë më, një marrëdhënie fizike intime, pas bërjes sidomos të fëmijës së dytë, por që nuk arrijnë të bëjnë asnjë lloj bisede tjetër, përtej pazareve dhe nevojave të fëmijëve edhe pse mund të ulen edhe përditë ta pinë kafen bashkë. Këtu nuk flitet për jetën, për dashuritë, për mungesat, për gabimet, mallin, dhimbjen. Nuk sheh dy njerëz ta shohin njeri-tjetrin gjatë në sy, pa folur. Ja, këtë dua të bëj unë. Të bëj një strehës jete, para se disa nga këta më sipër të vrasin apo të vriten … në heshtje. A do ta ndryshoj botën? Jo? Ama të disave, po. Dhe ia vlen. Çdo jetë ia vlen.

Po a do e fitoja projektin me këtë ide? Nuk e di, por do t’ju tregoj./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.