Kush është personi me rekorde kriminale që do të vrasë Bashën? Ja çfarë thotë lideri i opozitës!
Dritare.net
Çështja është se këto masa sigurie merren për Bashën dhe jo ndonjë lider të një partie tjetër. Aq më tepër që ka parti të tjera që janë regjistruar dhe kanë nisur fushatën.
U fol gjithashtu se shtimi i eskortës mund të jetë si pasojë e ndonjë kërcënimi. Madje u tha që Bashën duan ta vrasin për të krijuar destabilitet, të nxitur edhe nga gjendja e krizës ku ndodhet Shqipëria. Sipas Blendi Fevziut, burime jashtë Shqipërisë thonë se një person i rrezikshëm po organizon planin për eleminimin fizik të Bashës.
"Personi më i përfolur dhe më i rrezikshëm është një individ me rekorde kriminale, vrasës me pagesë, që jeton jashtë Shqipërie dhe që ka vënë edhe një herë tjetër në gadishmëri policinë shqiptare në vitit 2011 pas një informacioni se donte të godiste një tjetër politikan të rëndësishëm të saj kohe në Tiranë", shkruan ai, duke shtuar se institucionet shqiptare janë vënë në dijeni, madje se punojnë edhe partnerët e huaj për këtë çështje.
Mesa duket, fakti që atëherë kanë qenë informacione dhe asnjë vepër, të bën të mendosh se edhe ky rast ka për të mbetur në kuadrin e informacioneve. Edhe Basha nuk duket i shqetësuar nga një gjë e tillë. Ai kishte paralajmëruar një dalje në orën 18:00 që përkonte me atë të Kryeministrit, nga parku pranë Skënderbeut. E ndërsa pritej qëndrimi i Bashës për këtë rast, ai u mor me akuza, në tentativë për të konkurruar kundërshtarin politik. Lideri i PD nuk u ndal fort te kërcënimi ndaj tij, por tha se sot është i kërcënuar çdo shqiptar.
“Rreziku jetik
i kanoset çdo shqiptari. Në 55 ditë të qëndresës 24 orëshe jemi të pafrikësuar nga kriminelët e qeverisë. Në qeverisjen e tij lulëzojnë dhe ecin përpara vetën kriminelët të paaftët të korruptuarit, të paarsimuarit. Rama në çdo ditë të qeverisjes së tij e ka larguar shqipërinë nga Europa. Nëse e lejojmë këtë të keqe të vazhdojë, do bëhet më zi”, tha ai.
Kërcënimi nga Shullazi
Kjo nuk është hera e parë që Basha kërkon mbrojtje dhe shtim të forcave të sigurisë. Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe në janar 2015. Atëherë u përfol se deputetja e PD Albana Vokshi kishte marrë disa mesazhe kërcënuese nga Emiljano Shullazi.
"Teksa po dilja, një person i panjohur më tha: Emiljano Shullazi ka dy fjalë me ty. Pastaj u afrua personi tjetër, i cili më tha: Thuaj kryetarit tënd Basha, as të mos tentojë të ma përmend emrin. Thuaji as të mos guxojë të dalë në papafingo", mësohet të ketë thënë demokratja në atë kohë pranë organit të akuzës.
Pas kallëzimit në Prokurori, u dha urdhri që kreu i PD, në atë kohë edhe kryebashkiak i Tiranës, të merrej në mbrojtje./dritare.net