Kurti: Thaçi po përhap panik. I përket regjistrit të sëmundjeve kronike
Dritare.net
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti ka sulmuar Presidentin Hashim Thaçi, teksa ka deklaruar se ai po përhap panik në lidhje me kufijtë.
Kurti ka shtuar se Thaçi i përket regjistrit të sëmundjeve kronike.
“Thaçi nuk i përket listës së barnave esenciale, por regjistrit të sëmundjeve kronike; të këtyre sëmundjeve të cilat na vijnë si negociata pa parime në të cilat Kosova është shumë më tepër temë sesa palë”, u shpreh Kryetari Albin Kurti. Po ashtu, Kurti përmendi dy takimet e tij të fundit, me ish-kryetarin e LDK-së Isa Mustafën dhe me Organizatën e Veteranëve të Luftës, për të ritheksuar problemet e Kosovës dhe gatishmërinë e Lëvizjes për zgjidhjen e tyre tejpartiake.
Thirrja shkon për të gjithë Gjakovën dhe fshatrat e saj që të bashkohen me datë 29 shtatorë, ditën kur fillon fundi i Thaçit dhe fillimi i zgjidhjes së problemeve të Kosovës.
“Gjakova dikur e industrializuar dhe sot e varfëruar nuk do të heshtë, por do t’i bashkohet masivisht dhe paqësisht protestës mbarëpopullore dhe tejpartiake të 29 shtatorit. Gjakova as nuk e harron të shkuarën dhe as nuk ndalet për ta kërkuar drejtësinë në të tashmen”, thuhet në komunikatën e VV-së./ I.M-Dritare.net