Kur hidheshin themelet e Kushtetutës së Shqipërisë

Këtë shkrim që dritare.net po e sjell të plotë, gazetarja Rudina Xhunga e ka botuar më 5 prill 1998.

Nga Rudina Xhunga

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për hartimin e Kushtetutës, duket, në pamje të parë, sikur është një komision i zakonshëm ligjesh. Veçse, 21 deputetët e zgjedhur nga parlamenti, ku ende mungojnë përfaqësuesit e partive të Bashkimit për Demokraci, përbëjnë një komision, që në njëfarë mënyre është miniatura e gjithë politikës shqiptare. Kjo është plotësisht e vërtetë, sepse komisioni është duke realizuar njërin prej projekteve më ambiciozë, madje më kryesorin për zhvillimin e vendit. Kjo rëndësi e justifikon edhe ngutin e tejzakonshëm të SHBA dhe Perëndimit për ta parë Shqipërinë me Kushtetutë, pasi ajo përbën kushtin e parë dhe kryesor për një shtet ligjor. Andaj, spektatorët më të vëmendshëm të këtij procesi, duket se janë specialistët e huaj. Pranë komisionit ndodhet edhe stafi teknik i juristëve, zgjedhur mes konstitucionalistëve më të mirë në Shqipëri. Janë ata që përpilojnë paraprakisht draftin, i cili shqyrtohet mandej nga komisioni. Deri tanimë, në sallën e madhe të mbledhjeve të komisionit, në Pallatin e Kongreseve, janë miratuar, me konsensus, 21 nene. Më pas drafti do të paraqitet në parlament dhe në fund për Kushtetutën en block, ose vetëm për disa nene të saj, do të organizohet një referendum mbarëkombëtar, ndoshta në vjeshtë.

Por para se shqiptarët të votojnë dhe me një “po”, a një “jo”, të miratojnë, ose hedhin poshtë një punë disamujore, ata, s’ka dyshim, se do të sqarohen paraprakisht. Sepse në rast të kundërt, të pakënaqurit nga qeverisja aktuale, pa u menduar gjatë do të votojnë kundër Kushtetutës, sikundër ndodhi në referendumin organizuar nga Berisha. Për t’i shpëtuar një fatkeqësie tjetër, që do ta linte vendin për kohë e kohë, pa Kushtetutë, shumëkush duhet që, para se të votojë, të ketë kuptuar se kjo Kushtetutë nuk bëhet nga Nano, për Nanon.

Slogani i saj, ende i paartikuluar, është “NJË KUSHTETUTË ME TË GJITHË, NJË KUSHTETUTË PËR TË GJITHË”. Te “të gjithë”, përfshihet opozita aktuale, që sakaq është duke e bërë hyrjen e butë në komision, me anë të Ngjelës, Bushatit, apo Laços. Pasi të 21 anëtarët të jenë ulur në tryezë, NJERËZIT E KUSHTETUTËS do të hedhin bashkarisht, themelet e shtetit.

SABRI GODO,BASHKËKRYETAR I KOMISIONIT

A ju shqetëson mosardhja e përfaqësuesve të Bashkimit për Demokraci në komisionin tuaj?

Kushtetuta ka tërhequr vëmendjen e publikut brenda dhe ndiqet në të njëjtën kohë nga interesimi këmbëngulës i strukturave politike europiane. Duke qenë se për stabilitetin e Shqipërisë është vënë si kusht Kushtetuta, puna ka filluar të ecë. Deri tani kanë munguar partitë e Bashkimit për Demokraci, por duket se edhe ato do të vijnë, pasi janë bërë kërkesa në Kryesinë e Kuvendit Popullor, që të emërohen përfaqësuesit e tyre. Ende nuk kanë filluar të vijnë rregullisht, por ne i kemi pritur me durim për gjashtë muaj dhe puna që kemi bërë deri tani më duket se është më tepër një punë përgatitore. Siç e ka deklaruar dhe z. Imami në mbledhje të komisionit, do t’i bëhet një lexim i dytë draftit dhe në këtë lexim do të merren në diskutim çështjet që ne vetë i kemi lënë pezull, sikundër ata mund të bëjnë vërejtjet e tyre. Nuk do të bëhet gjithçka nga e para, por për ato çështje që i kemi konsideruar kryesore dhe kërkojmë miratim me dy të tretat. Qëllimi ynë është të bëjmë bashkë një Kushtetutë Parlamentare, e cila të mos kontestohet nesër nga ndryshimet eventuale që mund të bëhen në parlament. Kjo do të jetë një kushtetutë për gjithë shqiptarët dhe jo për parti të veçanta.

Ardhja e z. Ngjela dhe konfirmimi i ardhjes së z. Bushati, ju duken premtuese?

Duket se diçka po lëviz në këtë drejtim. Kryetari Gjinushi më ka thënë se edhe Laço është paraqitur në parlament, për të kërkuar të votohet emërimi i përfaqësuesit të partisë të tij. Çfarë do të bëjë më tej PD nuk e kemi të qartë. Në rast se PD nuk vjen, unë do të thosha se kjo është një mangësi, por kushtetuta mund të bëhet edhe pa të.

Bashkimi për Demokraci kërkon zëvendësimin tuaj. Pse?

Duhet të jetë çështje preferencash personale. Unë do të hiqja dorë me gjithë qejf, nëse do të kisha garancinë se puna e Kushtetueses do të shkonte në breg. Mua më duket se zgjidhja që është bërë për këtë komision është e drejtë. Nuk i është dhënë kryesia e tij partive të mëdha, që mund të grindeshin me njëra-tjetrën, por dy partive të treta e në të njëjtën kohë është sugjeruar që dy partitë e mëdha të emërojnë nga ana e tyre një ndihmëskryetar, në mënyrë që t’u dëgjohet fjala, në kryesinë e komisionit

LEXO DHE :  U sulmua për deklaratën e ‘200 mijë shfaqjeve për një gomë të djegur’, përgjigjet Saimir Pirgu

Si paraqiten marrëdhëniet tuaja me bashkëkryetarin?

E konsideroj bashkëpunim shumë të frytshëm dhe pjesëmarrjen e z. Imami e quaj të domosdoshme. Si ministër dhe deputet ai ka më tepër mundësi, se kushdo tjetër, të zgjidhë problemet e natyrës logjike të komisionit.

A ka shumë vështirësi për të arritur deri te hartimi i një neni të thjeshtë?

Puna ka ecur më lehtë se ç’parashikoja unë. Komisioni është i përbërë nga parti të ndryshme që kanë dhe këndvështrime të ndryshme. Mendoja se do të gjenim më tepër kundërshtim, por kjo pikë është zgjidhur me shumë sukses. Për mua, si përfaqësues i PR, mbetet si problem i dytë çështja e përkufizimit të pronës private, e cila paraqitet shumë e rrëmujshme në Shqipëri. Unë shpresoj se edhe për këtë, si për shumë çështje të tjera, do të gjendet mirëkuptim.

ARBEN IMAMI, BASHKËKRYETAR

Cila është ndonjë nga surprizat e Kushtetutës që ju po hartoni?

Ka dy mënyra për të shkruar Kushtetutën, njëra është e stilit të vjetër, shih dhe shkruaj, pra të shikosh institucionet që janë aktualisht dhe t’i rishkruash ato, sigurisht me më tepër qartësi e drejtpeshim. Tjetra është që mbi bazën e kësaj eksperience që kemi në mbi 7 vjet sistemi parlamentar, të shohim se çfarë mund të korrigjojmë në futjen e institucioneve të reja. Për të ndryshuar strukturën legjislative në Shqipëri, unë dhe z. Godo jemi në të njëjtin mendim, se duhet diskutuar problemi i dy dhomave në Parlament. Ndoshta për të tjerët kjo mund të duket befasi, apo luks i tepruar, por mënyra si është menduar, më duket racionale. Të shkurtohet numri i deputetëve dhe të krijohet dhoma e lartë, pa rënduar buxhetin e shtetit, ndaj të cilit jemi të ndjeshëm. Nga ç’kemi jetuar deri tani në Shqipëri, duket se elektorati shkon sa nga një anë në një anë tjetër, duke i dhënë predominancën në parlament, një force politike të vetme. Atëherë duhet të kemi garanci që forca e cila vjen në fuqi, në parlament nuk do t’i bëjë ligjet sipas ideologjisë së vet, sepse do të kishte në krye këtë rregullator që do të ndihmonte për një balancim më të mirë. Këto janë ide të reja që do të diskutohen për herë të parë në draftin tonë kushtetues. Kësisoj do të balancoheshin edhe politikat me gjyqësorin, politikat e sigurimit, të jashtëm etj. Kjo është një ide e vjetër e mjaft politikanëve. Unë këtë ide e kam hedhur që në komisionin kushtetues të ’92.  Kushtetuta e re do të ketë edhe të tjera surpriza, që me kohë do të bëhen publike.

Sa është e prekshme ndihma e konstitucionalistëve të tuaj?

Procesi është jo vetëm i hapur, por në bashkëpunim të ngushtë me gjithë institucionet europiane. Jo vetëm gjithë Kushtetuta do t’i kalojë qendrave këshillimore, por edhe çdo pjesë e draftit, kapitull për kapitull do të vëzhgohet kujdesshëm prej konstitucionalistëve të Perëndimit dhe SHBA.

A është Kushtetuta, kusht për Shqipërinë?

Përfundimisht bota do të lirohet nga barra shqiptare, vetëm pasi ne, ta kemi Kushtetutën tonë, e cila hedh themelet e një shteti ligjor. Vetëm duke pasur një Kushtetutë, Shqipëria do të ketë ndarje të saktë të pushteteve, do nisë të zhvillohet normalisht, etj. Andaj Europa është aq e interesuar për të, madje ka vënë kusht hartimin e saj.

Si ju tingëllon kërkesa për zëvendësim të Godos?

Nuk ka sens, as luajalitet politik, që një njeri, i cili ka punuar për disa muaj, të zëvendësohet. Më duket e papranueshme edhe ideja e rotacionit që propozohet nga Bashkimi për Demokraci, sepse ky rotacion më duket si kalaja e Rozafës. Atë ç’ndërtojnë ca bashkëkryetarë, e prishin bashkëkryetarët e tjerë. Zgjidhja aktuale mua më duket se funksionon.

Kush do të vendosë për fatin e Kushtetutës?

Referendumi, i cili, ndoshta mund të zhvillohet në vjeshtë. Parlamenti do të vendosë nëse Kushtetuta en block, apo disa nene të saj, do t’i kalojnë publikut për t’u votuar. Megjithatë për të mos rrezikuar dështimin, siç dhe ka ndodhur, do të bëhet kujdes që referendumi të bëhet në kohën e duhur, mënyrën e duhur dhe me mbështetjen e duhur./dritare.net

Copyright dritare.net/ Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.