Hera herës mendja më shkon te një përshkrim që i bën shpirtit, Gary Zukav, mësues shpirtëror amerikan, në librin e tij “The Seat of the Soul”.
Imagjinoni një flotë anijesh që çajnë detin, shkruan Zukav. Kjo flotë ka një anije më të madhe se të tjerat, anijen mëmë që u tregon drejtimin anijeve të tjera, të cilat nuk janë ekzaktësisht anije, por varka të vogla druri. Anija mëmë e di gjithmonë pse flota duhet të shkojë në një drejtim të caktuar. Tani përfytyrojeni veten tuaj si një nga këto varkat e vogla, ndërsa anijen mëmë si shpirtin tuaj. Anijet e vogla duhet të ndjekin gjithmonë anijen mëmë, që e di pse flota është duke lundruar në ato ujëra të turbullta të jetës. Por ato, pra edhe ti, duhet ta ndjekësh atë që të mos humbasësh drejtimin.
Kuptimi është busulla e brendshme e njeriut, vazhdon Zukav. Që të gjesh kuptimin duhet të ndjekësh anijën mëmë, pra shpirtin. Pavarësisht dallgëve që rriten, kur ti ndjek drejtimin, pra anijën mëmë, udhëtimi i jetës është më i sigurt sepse kur kap kuptimin, e ke të qartë qëllimin.
Momente si këto, kur të duhet të gjesh drejtimin në jetë, ka dhe do të ketë pafund. Provimi që nuk po e merr dot se nuk ke një mik, vëndin e punës që s’ta dhanë, sherri i pamenaxhuar me një njeri të zemrës, njerëz që s’të kuptojnë, njerëz që s’të lënë të ecësh, njerëz që të lënë vetëm, të gjitha do të vijnë dhe do të ikin, do të ikin dhe do të vijnë prapë, por nëse mëson të ndjekësh anijen mëmë, udhëtimi yt do të jetë më i sigurt. Sepse nëse ndjek shpirtin, do ta gjesh gjithmonë kuptimin.
Për të mos e humbur ndërgjegjien, bëj gjithmonë një ushtrim, i kujtoj vetes kohët e mia më të vështira. Nuk e di në fakt nëse e nxis, apo ma sjell tanimë ndërgjegjia vetvetiu.
Është Qershor dhe në derën e sekretarisë së fakultetit i lutem sekretares që gjithmonë është treguar e gjendur dhe pozitive, të më mundësoje tërheqjen e një liste notash sa më shpejt. Do disa ditë kohë për t’u firmosur nga kancelarja, më thotë. Të lutem, më nevojitet për të aplikuar për një burse financiare për masterin, afati i fundit është nesër! - ia kthej. Isha gati t’i ulesha në gjunjë për të më ndihmuar. Nuk e di nëse ajo e lexoi në sy lutjen time, por ma siguroi fare shpejt.
“Je djalë i mirë ti… po bëj një shkelje të vogël procedure dhe po e nis për firmë te kancelarja”, më thotë.
“Epo, duhet të kesh bërë diçka mirë këtu…”, i thashë vetes dhe vrapova si i çmendur për t’i noterizuar. Tashmë kisha disa letra reference nga njerëz që më vlerësonin, një cv të mirë, ku dallohej një i ri që në të tre vitet e studimeve kryente deri në mbrëmje vonë praktika, sa në një redaksi në tjetrën. Intervista me drejtorin e fondacionit që mundësonte mbështetjen financiare në të dyja vitet e studimeve master shkoi shumë mirë.
“Ti dukesh një i ri shumë i angazhuar”, më thotë duke më krijuar iluzionin se tashmë e kisha fituar atë mundësi, atë mbështetje që aq shumë e doja.
Për herë të parë mendoja se do isha i qetë dhe i sigurt në aspektin financiar. Nuk do më duhej të paguaja asnjë tarifë, as t’u kërkoja prindërve asgjë. Tani mbetej vetëm, sipas meje, që të bëja më të mirën e mundshme, në nivelin master të studimeve.
Të nesërmen, e gjithë euforia e ngritur nga ideja se po arrija diçka, u shemb përnjëherë. Në një email më informonin se nuk isha përzgjedhur mes fituesve të bursës. Kisha dështuar! Nuk kisha humbur thjesht një mundësi, mu zhbë i gjithë besimi që kisha dhe iluzionet e sigurisë që kisha krijuar në kokë. Kështjella e sigurisë u shemb!
Ngrita kokën lart në qiell dhe vetëm pyeta: Po tani?
Ndihesha njeriu më i braktisur në botë.
Çfarë mbetet për t’u bërë kur të lënë vetëm, fillikat, në mes të detit, kur dallgët sapo janë ngritur?
Kthehu nga vetja, kapu fort pas saj dhe ndiq me gjithë forcat e tua anijen mëmë, pra shpirtin.
E di që kjo do të të ngjajë një broçkull, ty që të kanë lodhur mediokrit që nuk ulen kurrë në auditorin ku ti shkon me korrektesë çdo ditë, por marrin rezultate më të larta se ty, ty që padrejtësisht të kanë demotivuar djemtë dhe vajzat e babit që me ty konkurojnë ngado, ty që nuk e shijove kurrë kinemanë apo leximin e librit në mbrëmje se të duhet të punosh për të mbajtur shtëpinë, ty që Shqipëria të duket një çmëndinë e madhe ku mbijetojnë më të fortët…
E di që je aq i lodhur nga “leksione” të këtij lloji, që të duken disavantazhuese në një shoqëri të egër ku nuk ka vend për emocione nëse do të fitosh, por nuk po të shkruaj për të të dhënë një leksion. Përkundrazi, dua ta dish që të menaxhosh emocionet dhe të dalësh përtej tyre, atëhere kur të lënë vetëm, është një mrekulli. Një mrekulli që nuk e përjeton dot, nëse nuk të lënë vetëm…
Por nuk mund ta bësh nëse nuk ndjek shpirtin, nëse nuk lidhesh aq fort me të, sa për të gjetur forcën tënde, për ta shpjerë varkën, pra veten, përpara. Unë nuk e mora kurrë atë bursë, por ai zhgënjim më ktheu nga vetja, më bëri të kuptoj se duhet të ndjek anijen mëmë dhe të çaj detin…
E di që kjo të duket e rreme, filozofi që nuk lind shpresën, ty që je i bindur, gabimisht ose jo, se gjërat në këtë vend gjithmonë zgjidhen me miq e kushërinj, me xhaxhallarë a mercenarë, por kjo nuk duhet të jetë kurrë një arsye që ti të ngelesh prapa, prapa në kohë, prapa në arritje, prapa në udhëtimin që do ta kesh më të lehtë po të ndjekësh anijen mëmë.
Të jesh i sigurt që rrugës do të shfaqen njerëzit e duhur, në momentin e duhur, për të të dhënë një dorë, për të hapur një derë a ndezur një dritë. E rëndësishme është që të kapesh me thonj pas jetës dhe të mos lejosh që asnjë rrethanë të të vërë përpara. Në asnjë moment!
Vite më parë, duke i rrëfyer lodhjen e disa sfidave të njëpasnjëshme që të turbullojnë drejtimin, dikush më shkruante në distancë:
Në një nga librat e autorit tim më të dashur, Nikos Kazantzakis, kapedani i thotë marinarëve mbi kuvertë: Jeta është një anije që ndalet vetëm në një liman, te vdekja. E atëhere, e pyet marinari, pse na duhet të luftojmë? E di si i përgjigjet kapedani? Mos pyet, lufto!
Të gjithëve pra, na duhet të luftojmë për atë që është krejtësisht dhe vërtetësisht e jona. Është e jotja çdo gjë që e fiton vetë, pa nënshkruar më parë një kontratë borxhi me dikë, borxh që do duhet t’ja kthesh një ditë. Është e jotja dhe do ta ndjesh me shpirt që të përket, çdo arritje, sado e vogël qoftë, për të cilën ke udhëtuar gjatë, je zhytyr, ke notuar, je ngritur, ke vazhduar gjithsesi…
Kënaqësia e gjërave që bëjmë dhe marrim nuk qëndron kurrë te shpejtësia me të cilën i zotërojmë ato, por te mënyra si i arrijmë, çfarë në thelb përcakton raportin tonë shpirtëror me çdo gjë që kemi në jetë. Gjithçka që e zotëron, por nuk të përket, që e ke por nuk e ndjen, është më fatkeqe se sa të mos kesh asgjë…/dritare.net