Kupola e PS diskuton situatën para referendumit.
Dritare.net
Për shkak të zhvillimeve në Panama, mbledhja e senatorëve të PS, u shty për ditën e enjte. Shoku Qamet mbajti fjalimin e tij programatik.
Të dashur shokë dhe shoqe.
Meqënëse shoku Taulant e konsumoi thirrjen e fundit drejtuar Ben Blushit, dhe ky i fundit nuk duket se ka ndërmend të heqë dorë nga rruga e tij e përçarjes, unë jam i bindur që masa e partisë do të dijë ti japë përgjigjen e merituar në referendum. Ndaj, mendoj se meqënëse rezultati sipas sondazheve tona do të jetë diku rreth 99.99%, pra 0.01% më i lartë se në kongres, nuk ja vlen të diskutojmë.
Sot mendoj që të diskutojmë për të ardhmen e partisë dhe pushtetit, që me thënë të drejtën, pas demokratizimit të partisë nëpërmjet vendosjes se kë do të kemi kryetar për 25 vjetët që vijnë, dhe aleancës me Bamir Topin dhe Nard Nokën,mund të rrime të qetë.
Le të kthehemi tek gjaku i ri i partisë.
Unë nuk jam dakort që Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri të jenë në komisionin për të zgjedhur zërin më të mirë.
Profesor, ajo është emision që e bën Top Kanali për këngëtarët - ndërhyri Majko.
Ouu, pse më është dukur sikur janë për zgjedhjet në Komitetin Qëndror të Rinisë, ëëë?,-u çudit profesori. E de mirë, se tani u ftillova. Bëhet fjalë për ato zgjedhjet e Freshit.
Tani unë mendoj që në këtë fushatë mos ta lemë vetëm shokun Pandeli. Duhet ti tregojmë barcaleta, të mbledhim ku janë e ku s’janë, të reja e të vjetra, që ti tregojë në ato takimet ku merr pjesë edhe kryetari ynë shoku Edi Rama, që armiku i marrtë të keqen. Vetë shoku Pandeli më është ankuar që po i mbarojnë, ndaj ne nuk duhet ta lemë vetëm në këtë sipërmarrje të vështirë. Kuptohet që Joleza do të mbajë ngarkesën e saj, dhe e ka treguar që është vajzë me talent. Por edhe ne si xhaketa të vjetra, duhet të tregojmë se vlejmë për ndonjë gjë.
Gjithashtu, në fillim edhe unë isha skeptik se përse duhej Elisa Spiropali në komisionin e “Voice”.
Shoku Qamet…-ndërhynë prapë.
Po e drejtë, harrova që po flasim për Freshin-tha profesori. Pra, edhe unë në fillim mendova ç’ne Elisa? Por më vonë e kuptova largpamësinë e kryetarit. Ai do që elementi i ri që po hyn në parti, të jetë i pregatitur për ekonominë e tregut. E kush më mirë se Koçua mund ta bënte këtë? Por shoku Koço është i zënë që t’ia fusë Gramoz Ruçit me projektet pilote, ndaj ja ka ngarkuar Elisës. Kursin e saj për talentet e rinj të Freshit, ashtu si rubrika e Koços dikur, do ta quajmë “Si të bëhesh milioner”. Madje unë them që ta quajmë “Si të bëhesh milioner brenda vitit”. Besoj se Elisa ka se çfarë të thotë e t’iu mësojë brezave të rinj.
Të dashur shokë e shoqe.
Unë mendoj se jemi në rrugë të mbare. Bazuar në raportet e Kontrollit të Shtetit, gjatë qeverisjes tonë, në një vit e gjysëm, kemi përmirësuar financat e familjeve tona aq sa vodhi PD-ja në pesë vitet e fundit që qeverisi. Se ne të gjithë e kemi të qartë që ata vidhnin, ndërsa ne pasurojmë veten sepse kështu pasurohet Shqipëria. Kjo tregon edhe njëherë sa armiq të egër kemi që shpifin për ne. Por edhe që nuk duhet të dyshojmë në drejtësinë e vijës tonë dhe mos trembemi nga ata. Nëse ata na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi në grykë të topi. Dhe dua t’i them socialimperialistëve sovjetikë se dy rrugë kanë, ose nga Karaburuni, por aty do ju bëjmë kërmë se kemi Koçon, ose…
Shoku Qamet, ka ndodhur në vitin ’78 kjo, nuk ka më Bashkim Sovjetik-ndërhynë prapë nga salla.
Dakort, po e mbyll. Pra duhet të mobilizohemi të gjithë edhe në këtë vit që na ka ngelur që të kapim objektivin që sa bëri PD-ja në tetë vjet, ne ti bëjmë në katër. Atëhere mund të themi me plotë gojën se asgjë nuk na ndal në rrugën tonë./dritare.net