Kujt i kujtohet e ardhmja?!

Nga Nertil Jole

Është një pyetje sa retorike aq dhe abstrakte, që më lindi teksa përpiqem të përfytyroj të nesërmen që dua dhe shpresoj të shoh, duke lexuar të tashmen dhe të shkuarën.

Përpara se të elaboroj idenë time, dëshiroj të përmend si një shembull të thjeshtë rastin e fundit të fqinjëve tanë, ku kryeministri e deridjeshëm grek Alexis Tsipras i uroi menjëherë fitoren kundërshtarit të tij politik, kryeministrit të sapozgjedhur Kyriakos Mitsotakis.
Shembuj të ngjashëm i shohim në të gjitha vendet me demokraci të konsoliduar e jo vetëm në Greqinë fqinje, që është vendi ku demokracia lindi. Më shumë sesa një akt që dëshmon për etikën dhe standartin e sjelljes politike në një demokraci, një qëndrim i tillë përshfaq më së shumti dimensionin e lirisë që jeton brenda vetëdijes politike të politikanëve progresistë.

Disa sjellje në politikë mund të lartësojnë figurën e një politikani, edhe në rastet kur besimi popullor zvogëlohet ose humbet. Kjo nuk duhet trajtuar si disfatë personale, aq më pak të përcillet si disfatë kolektive prej kompleksit të inferioritetit individual të një lideri. Ajo është një përgjegjësi që duhet lexuar pa asnjë kompleks si moment kthese e detyruar nga rregullat e demokracisë. Pikërisht ky moment duhet të jetë pikënisja per të filluar rrugëtimin e rimëkëmbjes së veprimit politik brenda kornizës ideologjike.

Në rastin e humbjes së zgjedhjeve ripërtëritja e një formacioni politik, zëvendësimi i roleve të përfaqësimit, vënia në përdorim e kulturës së reflektimit, fuqia për të dalluar mangësitë apo dobësitë, është rruga më e drejtë e padyshim më largpamëse për të rrënjosur dinjitetin dhe moralin politik, në mënyrë që neser të shtohen shanset për më shumë kredite në bursën e politikës.

Një logjikë e krahasueshme duhet të ekzistojë po aq qënësisht edhe në rastin e forcës politike që fiton zgjedhjet, ose që rikonfirmohet si mazhorancë solide. Kjo sepse është shumë e rëndësishme që fitorja dhe mbështetja qytetare të lexohet me maturinë e nevojshme për të përmbushur pritshmëritë e për të mos lejuar asnjë eufori politike të dëmtojë detyrimet dhe angazhimet karshi qytetarëve.
Politika gjithmonë ka dëshmuar se për të fituar besimin duhet sakrificë dhe përpjekje sistematike, ndërsa për ta humbur atë besim, në një shoqëri të zhvilluar do mjaftonte vetëm mungesa e përulësisë së të zgjedhurit ndaj zgjedhësve të tij.

Në Shqipëri togfjalëshi “dinjitet dhe moral politik” ngjan sikur nuk ekziston dhe as ka ekzistuar kurrë. Madje për shumicën e njerëzve nuk duket as në horizont se mund të ekzistojë. Por për të qënë të vërtetë, mendoj se këto cilësi kanë qënë, janë e me siguri do të jenë të mishëruara gjithmonë te një pakicë e heshtur ose jo, që ka gjithë kapacitetin të ofrojë modelin e duhur për të përfaqësuar qytetarët duke gëzuar në mënyrë të palëkundur respektin dhe vlerësimin e tyre.

E në këtë prizëm gjykoj se është sot më shumë se kurrë koha që ky model pozitiv të jetë prezent në politikë në një përmasë shumë të shtrirë, jo vetëm për të çtensionuar një klimë tejet të polarizuar dhe konfliktuale, por për të ujitur çdo ditë e pak nga pak besimin e vyshkur që qytetarët kanë te politikanët që iu kanë deleguar pushtetin e tyre e prej të cilëve kanë pritshmërinë legjitime se do iu shërbejnë me pastërti dhe përkushtim. Ky është një handikap, i cili nënvizon nevojën e shërimit të plagëve të trashëguara të një demokracie të lënduar në mënyrë ciklike nga një politikë që është vënë në shërbim të interesave personale dhe familjare të disa politikanëve që numërohen me më pak se gishtat e njërës dorë. E për të çrrënjosur fijet e këtij sistemi të brishtë që në tre dekada është mbajtur peng nga kjo lloj politike, lypset një përpjekje e palodhur e gjithëkujt për të goditur me fuqinë e mendjes modelin e keq dhe të gabuar.

LEXO DHE :  Përleshje mes të burgosurve në burgun e Rrogozhinës

Sigurisht që zgjedhjet dhe vota janë instrumenti që e jetësojnë në mënyrë më të drejtëpërdrejtë këtë aspirate të shoqërisë, por kjo nuk mjafton për një demokraci lehtësisht të dëmtueshme si kjo e jona. Duhet më shumë sesa kaq.

Së pari, duhet një sistem që prodhon drejtësi dhe kulturë ndëshkueshmërie. Kush rreshtohet kundër kësaj reforme me investim të plotë perëndimor, meriton minimalisht të fshihet përgjithmonë nga lista e politikanëve që duhen besuar. Këta politikanë më shumë se kurrë, sot dallohen në dritën e diellit. Ata sigurisht nuk i ngjajnë aspak Avni Rustemit apo figurave të tjera historike, të cilëve në vena iu rridhte patriotizëm e jo korrupsion.

Së dyti, duhen garanci dhe standarte për të konkurruar në tregun politik e atë të ideve me meritokraci dhe fuqi intelektuale e jo me bori apo trumpeta të ngjirura që shëmtojnë himnin e bukur kombëtar, apo akoma më keq që djegin flamurin me molotov sa herë dhunojnë institucionet e shtetit. Kjo do i jepte fund erës së një politike që mbështetet në mediokritet, urrejtje, mllefe, diskurse bajate e të padobishme dhe jo në manifeste apo alternativa programore që prekin dhe trajtojnë me seriozitet probleme të jetës së qytetarëve. Për këtë, një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore mund të japë padiskutim ndikimin e saj pozitiv. Ajo mund të imponojë një standart më të lartë të cilësisë së përfaqësimit, duke zgjedhur si përfaqësues politikë emra me kontribute dhe vlera të spikatura dhe jo emra që turpërojnë imazhin e shqiptarëve të ndershëm dhe europianë.

Dhe së treti, duhet sens qytetar dhe angazhim publik që ushtron presion të vazhdueshëm mbi të zgjedhurit, ata në qeverisje apo në opozitë. Pjesa dinamike e shoqërisë duhet të ketë vaksinimin e nevojshëm për të mos u helmuar mendërisht nga shumica e mediumeve mediatike dhe analistëve të instrumentalizuar, të cilët për interesa vocërrake vrasin çdo ditë të vërtetën dhe nxisin kakofoninë me qëllim dezinformimin e opinionit publik dhe ruajtjen e “status-quo”-së së politikanëve të frikësuar nga ballafaqimi me drejtësinë.
Realizimi i këtyre ambicieve qytetare e ka një çmim. Është çmimi që të gjithë duhet të paguajmë me rolin që i japim vetes në shoqëri, për të riskuar sadopak në emër të interesit më të gjërë që e kalon cakun e “oborrit të shtëpisë” dhe që shtrihet në atë të “oborrit të Shqipërisë”, për të mbrojtur të ardhmen dhe habitatin e përbashkët shqiptar, ku kemi kultivuar shpresën për një bashkëjetesë e mirëqënie të merituar si gjithë Europa./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.