Kryeprokurori/ PS mbledh firmat, dy kandidatë në garë

Partia Socialiste do t’i propozojë Parlamentit vetëm dy nga tre kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Burime pranë maxhorancës kanë konfirmuar për “Panoramën” se deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së kanë hedhur firmat për të mbështetur vetëm nga dy mes kandidatëve Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani.Ishte Komisioni parlamentar i Ligjeve që, pasi shqyrtoi shtatë kandidatë, vlerësoi si të pranueshëm vetëm tre prokurorë, ndërkohë që përjashtoi nga gara Besnik Muçin, Granit Shahun, Artur Selmanin dhe Arqile Koçan. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, shpjegoi se në nenin 111 të rregullores së Kuvendit është parashikuar vendimmarrja që kërkon mbledhjen e të paktën 28 firmave për kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. “Rregullat e lojës nuk kanë ndryshuar në mes të procesit, por aty kanë qenë dhe janë ende.

Rregulli për të paktën 28 firma për të mbështetur një kandidaturë parashikohet në nenin 111 të Rregullores së Kuvendit dhe është parashikuar edhe në vendimin e miratuar të Komisionit të Ligjeve.

Ju lutem lexoni bazën ligjore të cituar në vendim”, sqaron Hysi. PS ka në total 74 mandate dhe në këtë mënyrë është vendosur të mbështeten vetëm dy nga tre kandidatët që kaluan filtrin e Komisionit të Ligjeve, duke e eliminuar automatikisht një nga emrat. Nisur nga mungesa e numrave, përmes një vendimi politik, PS do të mbështesë vetëm dy emra për të sjellë në seancë dhe do të votojë vetëm një kandidat për të qenë Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm.

LEXO DHE :  Bamir Topi: Berisha uli helikopterin e ushtrisë në oborrin e banesës sime për të më trembur

Deputetët e Grupit Parlamentar socialist kanë mundësinë të zgjedhin vetëm një herë për emrin që do të mbështesin për të sjellë në seancë plenare. Sipas Hysit, procedura që kërkon mbështetjen me 28 firma të një kandidati për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm nuk është e vetmja. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka shpjeguar se 28 firma kërkohen edhe për drejtuesit e tjerë të institucioneve kushtetuese ose të krijuara me ligj.

Procesi i përzgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, në kushtet kur mandati i Adriatik Llallës përfundoi më 7 dhjetor, ka marrë mbështetjen edhe të dy misioneve që asistojnë Shqipërinë: OPDAT-i i Shteteve të Bashkuara dhe EURALIUS-i i Bashkimit Europian.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.