Plagoset shefi i policisë bashkiake dhe i ati, në Shkodër
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Malësinë e Madhe, ku babë e bir janë plagosur nga të shtënat me armë. Mësohet se janë plagosur, Xhelal dhe Mentor Hasanaj. Mentor Hasanaj është Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, dhe gjatë plagosjes ishin të dy në makinën e policisë.
Babai i efektivit është në gjendje të rëndë në spital. Ende nuk janë identifikuar autorët e atentatit.
"Më datë 11.10.2020, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin shtetasit M. H. 37 vjeç, V. H. 28 vjeçe dhe Xh. H. 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe. Si pasojë janë plagosur shtetasit M. H, me detyrë Shefi i Policisë bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh. H., i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjeksore. Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t'i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe indetifikimin e autorit."- njofton policia./K.C/dritare.net