Thaçi në Hagë/Gjermania: Të zbardhen krimet e luftës!
Dritare.net
Ministria e Jashtme e Gjermanisë reagoi pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Prokuroria Speciale. Në prononcimin e Ministrisë së Jashtme në Berlin për Deutsche Wellen, vlerësohet pozitivisht gatishmëria që kanë treguar të akuzuarit për të bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë, ndërsa theksohet zbardhja e krimeve të luftës.
"Kemi dijeni mbi dorëheqjen e presidentit, Hashim Thaçi dhe bashkëpunimin e tij me autoritetet e drejtësisë. Ne e përshëndesim faktin, që të akuzuarit tregojnë gatishmëri për të bashkëpunuar me organet e aktakuzës. Zbardhja e krimeve të luftës është e nevojshme dhe pjesë e mbështetjes kosovare për shtetin ligjor. Nuk ka paqe afatgjatë në një shoqëri pa drejtësi për padrejtësitë e shkuara. Gjermania është e bindur, që luftimi i pandëshkueshmërisë në shumë pjesë të botës përmes gjykatave ndërkombëtare është pjesë e një politike të jashtme të përgjegjshme. Për këtë arsye Gjermania e mbështet punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si nga ana financiare, e personelit dhe ajo politike. Kosova është një partner i rëndësishëm, me të cilin ne bashkëpunojmë ngushtë dhe e mbështesim në rrugën e saj europiane."/L.F-dritare.net