Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Lajçaku kërkon kompromis për dinarin, Osmani kritikon për mungesë baraspeshe

Lajçaku kërkon kompromis për dinarin, Osmani kritikon për

Fleksibilitet dhe kompromis nga Kosova e Serbia ka kërkuar emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, një ditë para takimit në Bruksel rreth zbatimit të Rregullores së BQK-së për dinarin. Teksa po mungon angazhimi për shtytjen e palëve drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit, Bashkimi Evropian është kritikuar për qasje jobalancuese në raport me palët

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur optimist për finalizimin e zgjidhjes rreth ndikimit të zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore, në mesin e komunitetit serb.

Pas pesë takimeve të zhvilluara deri tash për këtë çështje, ai i radhës është paralajmëruar për të mërkurën.

“Do të jem nikoqir i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për diskutime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme dhe të qëndrueshme për ata që preken nga Rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Jam i sigurt se një marrëveshje mund të arrihet, por do të kërkoj fleksibilitet dhe kompromis nga të dyja palët”, ka njoftuar Lajçaku.
Meqë palët nuk arritën t’i kapërcenin dallimet në propozimet e tyre, Lajçaku paraqiti idetë e tij mbi të cilat mund të bazohej një zgjidhje e përkohshme.

Zyrtarë të BE-së deklaruan më herët se zgjidhja e përhershme duhet të negociohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pati deklaruar pas takimit të fundit se e pranoi propozimin e emisarit të BE-së, porse është Serbia që ka kërkuar kohë shtesë.

Si pasojë e zhvillimeve që e pasuan hyrjen në fuqi të Rregullores së BQK-së, ngecën diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit.

Në përfundim të mandatit si emisar, nuk dihet nëse Lajçaku do të t’i ulë prapë në një tryezë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E presidentja, Vjosa Osmani, theksoi se mungesa e baraspeshës në dialogun Kosovë-Serbi po e shkatërron kredibilitetin e procesit. Ajo e akuzoi Serbinë se po luan sipas skemës së presidentit rus, Vladimir Putin, për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor.

“Kosova kufizohet me Serbinë, një vend që jo vetëm kohët e fundit, por veçanërisht kohët e fundit po dëshmohet se është një përfaqësues shumë besnik rus që po përpiqet të luajë sipas skemës së Putinit, duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe nga ana tjetër të hapë një front të ri kundër Perëndimit. Sepse pa dyshim, ky efekt i përhapur, përmes të cilit Rusia do të arrinte të largonte vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina, është pikërisht ajo që do t’i duhej në këtë pikë. Prandaj, puna që po bëjmë së bashku me aleatët tanë, sepse siç e dini ne kemi një prani të NATO-s në Kosovë për t’u siguruar që Kosova të mbetet e sigurt, paqësore dhe stabile”, tha Osmani.

Ajo shprehi ankesën se derisa Serbia nuk po përballet me presion për këto veprime, Kosovës po i vendoset edhe kushti që për anëtarësim në Këshill të Evropës ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas saj, njohja de facto nga Serbia e anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do të krijojë siguri për Kosovën edhe pasi të themelohet Asociacioni./KohaDitore