Kosova proteston pas vdekjes së 35 vjeçares. Vrasja e grave nga burrat, urgjencë kombëtare!
Dritare.net
Qytetarët në Kosovë kanë protestuar pasditen e sotme në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për vrasjen e rëndë te 35-vjeçares Hamide Magashi, e cila u qëllua për vdekje mbrëmë nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, i cili është në kërkim nga Policia e Kosovës.
Mediat në Kosovë shkruajnë se protestuesit kanë vendosur një mbishkrim në drejtorinë e Policisë së Kosovës ku shkruhet: Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare!
Në pankartat e tjera të protestuesve janë shkruar mesazhe të ndryshyme si: Jeta e gruas e vlefshme pavarësisht a është nanë, motër, bijë!”, “Hapësirat private e publike të pasigurta për gratë!”, “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave!
Ngjarja e rëndë e ndodhur në maternitetin e Kosovës, një ditë para se 35-vjeçarja të sillte në jetë foshnjën e saj ka tronditur opinionin publik në Kosovë dhe Shqipëri, duke hapur edhe njëherë plagën e rëndë të feminicidit në trojet shqiptare./ dritare.net