Festë apo konflikt, çfarë e pret Kosovën?! Nexhmedin Spahiu: Ja disa nga skenarët!
Dritare.net
Situata në veri të Kosovës është e tensionuar. Sot janë vendosur dy barrikada të reja, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan. Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh. Por çfarë e pret Kosovën këtë fundvit, festë apo konflikt?! Politologu Nexhmedin Spahiu, i ftuar në Lajmet në Dritare TV, tha se një skenar përplasjeje nuk është i largët.
“Është një situatë e përshkallëzuar që po shkon drejt një përleshje të armatosur. Nuk po shohim që do të ketë një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Dhe nëse nuk do të ketë një marrëveshje të tillë, durimi soset, sepse janë 40 mijë banorë të veriut të Kosovës, që janë të bllokuar në mes të mbylljes së kufirit me Serbinë. Në çfarë do momenti mund të ketë një përshkallëzim të situatës deri në përleshje.
Barrikadat dëmtojnë më shumë serbët që janë në Veri. Barrikadat janë një dëshmi që shteti i Kosovës, nuk është shumë funksional.
Marrëveshja varet nga situata në terren. Ajo që Perëndimi ka sugjeruar është që duhet t’i jepet një autonomi më e madhe serbëve në Kosovë, në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia. Duhet të gjendet një pikë e përbashkët që nuk rrezikon të ndizet një luftë që gjithnjë e më shumë po duket në horizont. Një skenar do të ishte përleshje mes bandave të Vuçiç dhe policisë së Kosovës, mund të ndodhë që forca të Serbisë të tentojnë të futen në Kosovë nga pjesë të tjera jo vetëm nga Veriu”, u shpreh Spahiu në Dritare TV./L.F-dritare.net