Kongresi me atlete i Ramës.

Nga Dritan Hila
I relaksuar, sikur po shkonte për pushime, çka shfaqej në veshjen e tij, me atlete dhe pa kravatë, Edi Rama mbajti fjalën e tij në Kongresin i cili në të vërtetë nuk kishte asnjë motiv të mblidhej. Qoftë në fillim kur mbajti fjalën e rastit, gjatë diskutimeve apo në fund në replikën për Blushin, ai kishte situatën në zotërim. Fjalimet e Kongresit, ku përjashto Blushin, Daden, Hafizin, Lakrorin dhe Agon, askush tjetër nuk ngriti probleme . Ministrat e tij lexonin hartime, Majko përsëriti kërcënimin se do të kishte zgjedhje nëse nuk do të votohej reforma në drejtësi, ndërkohë salla ishte e vakët si në mbështetje të udhëheqjes edhe në kritikat e kundërshtarëve. Kritikët më të zjarrtë të desidentëve, ishin kryetarët e bashkive që kanë edhe rol partiak. Filtrat e përdorur në përzgjedhjen e delegatëve e dhanë rezultatin. 3 vota kundër në 1.500 delegatë, ishte jashtë logjikës normale. Luajti rol edhe frika. Jo më kot votimi ishte i hapur. Pati peshë në kthimin e Kongresit në farsë edhe fakti se numri i delegatëve konkuronte mitingun, por nuk ka lidhje me Kongresin e partisë së një vendi të vogël. Ata që u tallën me Kongresin e fundit të PD kur u zgjadh Basha kryetar, mesa duket i kopjuan stilin.
Ashtu si dhe ishte parashikuar, beteja e Blushit, Legisit, Lakrorit, Hafizit, Dades, dhe Agos, ishte më shumë një duel nderi, sesa një betejë me shpresë për fitore. Që në hapjen e tij, me fjalën e Erion Veliaj, u pa se kush komandon në PS, kush bën diellin dhe shiun, rregullat dhe rradhën, trashëgimtarët dhe pasardhësit. Fjala para gazetarëve në mbyllje të kongresit e Ballës dhe Braçes që fërgëllonin për të treguar besnikërinë ndaj liderit dhe bezdinë nga armiqtë, është një histori e vjetër në Shqipëri që tregon sesa e vështirë është sjellja normale ndaj atyre që kanë mendim ndryshe dhe nuk janë në një mendje me liderin. Ky Kongres tregoi edhe pse është aq e kollajtë vendosja e diktaturave në Shqipëri dhe pse njerëzit autoritarë janë modeli i zakonshëm i udhëheqjes. Tregoi se sa e vështirë është të jesh kundërshtar dhe sa vullnetarë dalin që t’i linçojnë.
Pas kësaj, Edi Rama është mbret i PS-së. PS është partia e tij, lodra e tij, vegla e tij në arritjen e synimeve. Me një opozitë të shpartalluar, shoqëri civile të dobët ose të blerë, media të cilin nëse nuk e kontrollon, e shkatërron, rruga e tij drejt një mandati të dytë është e pandalshme. E vetmja mundësi e zbehtë, dhe për të qenë të ndershëm shumë e zbehtë, është çarja e asaj partie. Nuk dihet sa do të jetë i ndriçuar elektorati i majtë për të ndaluar këtë revan të Edi Ramës drejt një pushteti absolut dhe kthimit të demokracisë në një farsë; nuk dihet sa ky elektorat është i gatshëm ta kuptojë se Berisha ka ikur dhe po e përdorin si gogol për të mbajtur pushtetin; nuk dihet sa do të jenë mëndjehapur dhe mos bjerë në gjykime meskine për njerëzit që mund të sjellin këtë çarje. Por e vetmja mundësi që Rama të mos kthehet në zot të vendit, është çarja e PS dhe detyrimi i Ramës të negociojë me kolegët e derisotëm në parti, këtë rradhë i detyruar nga vota e sovranit. Në të kundërt, ai që do të konkurojë Enver Hoxhën në jetagjatësinë e qëndrimit në pushtet, e ka një emër dhe figurë: Edi Rama.

1 Koment

  1. O adash. Na prish pune puna dhe jo guna
    Ti i ke te vegjel une i kam me te rritur femijet po te dy ne e dime se nuk eshte kjo rruga te behet debat i shendoshe per te ardhmen e femijeve. Te dukem naiv? Flasim konkretisht cfare duhet bere.per ate shkalle njohje dhe kulture momentale qe ka Shqiperia qe rrine tere diten neper kafe dhe lexijne ose degjojne 24 tv duhet nje radikalizem qe te kthehen njerzit ne pune. Duhet ndryshuar mentaliteti dhe jo kepucet ose breket

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.