Koncesioni, si mungesë e modelit ekonomik të qeverisë. Nga Dritan Hila

Dritan Hila

Gjetja e re linguistike “partneritet mes shtetit dhe privatit”, për të zëvendësuar fjalën tashmë famëkeqe “koncesion”, është tipike e stilit të Edi Ramës për të fshehur mbas artificave artistike dhe linguistike, dështimin e qeverisë për krijimin e një modeli ekonomik dhe dorëzimin pa kushte ndaj anarkisë të 25 vjetëve të fundit në zhvillimin tonë. Koncesioni i fundit i TVSH-së fillon me neologjizma gjuhësore dorëzimin e një pjese të sistemit tatimor ndaj privatit, i cili tej anës korruptive dhe klienteliste për të cilën tashmë askush nuk bëhet më merak, mbart jo vetëm dorrëzimin e pasurive publike, ndërtesave dhe tokave, por ca më keq, atë të konceptit të shtetit modern i cili filloi pikërisht me krijimin e administratës qëndrore të tatimeve.

Rama dështoi në qasjen e tij sociale të cilën mesa duket nuk e ka pasur kurrë. Në vend se t’i rikapitalizonte asetet publike, siç janë pasuritë minerare, nafta, hekurudhat, apo ndërrmarje të mëdha, ose po i privatizon, ose po i çon drejt shkatërrimit për t’i dhënë pastaj për një copë buke. Paaftësinë e tij për të ndërtuar shtet, administratë dhe mbi të gjitha një sistem publik ekonomik rentabël, po ndjek vazhdën e 25 viteve, duke e lënë lundrimin e ekonomisë në mëshirën e erërave. Dorëzimi i saj tek privatët, është justifikimi më banal i përdorur në këta 25 vjet dhe që ka rimarë forcë. Kapitalisti shqiptar nuk ka as kulturën, as resurset, as horizontin dhe as traditën të ndërtojë sipërmarje të mëdha. Dhe nuk është faji i tyre, pasi kemi kaluar direkt nga feudalizmi në komunizëm. Por nuk mund t’i falet politikës tonë që të dorëzohet pa kushte. Në vend që hekurudhat shqiptare të modernizoheshin, të lidheshin me rrjetin ballkanik, janë lënë në mëshirë të fatit. Bota po kalon tek trenat e shpejtësisë së lartë, ne po i copëtojmë dhe shkatërrojmë. E njëjta gjë vlen për minierat të cilat ju jepen plaçkitësve, qe nuk kanë as eksperiencën e as mundësitë e investimeve që kërkon ky sektor, por vetëm marrin damarin e pasur, duke groposur kusurin, kur dihet që në dekadat që vijnë, lufta më e madhe do të jetë për lëndët e para. Po kështu ujërat të cilat në këtë rast kanë lidhje edhe me energjinë, ku dhënia e Skavicës një investitori që ka vetëm hotele, kalon përtej aktit korruptiv; është krim. Edhe ligji i fundit për turizmin, varros përfundimisht shpresën për turizmin e vogël, familjar të tipit grek, ku çdonjëri i cili ka një pasuri të vogël, qoftë edhe 4 metra katror, mund ta shfrytëzojë për dyqan suveniresh, pastiçeri apo tavernë; ku vija e bregdetit të jugut që ende është e pashfrytëzuar, të përdorej si mundësi që shtetasit të kishin shtëpitë e pushimit. Strategjia e re, ndjek modelin turko-egjyptian për ndërtimin e monstrave-resorte, ku do të strehohen me mijëra turistë, por ku shumëkombëshet që i ndërtojnë sjellin edhe personelin nga jashtë; ku fshatarët e zonës me ngastrat e tyre nuk janë në gjëndje t’i furnizojnë as me domate këto qytete-hotel. Mungesa e modelit, ka sjellë që të eci kuturu edhe në fushën e arsimit. Sot e kësaj dite nuk ka një strategji se çfarë specialitetesh na duhen dhe në çfarë sasie.

Këto janë vetëm nga disa gabimet e qeverisë së ardhur me aq shpresë në 2013-ën. Gjithë qeveritë para saj, kanë ndjekur të njëjtin rrugëtim, por kjo e Ramës, ishte e shtëna vdekjeprurëse mbi një trup në agoni. Koha tregoi që nuk kishte kapacitetet, por as dëshirën për të ndryshuar rrjedhën e gjërave. Ditët e para të ardhjes së saj në pushtet, ishin për shqiptarëet ditët e shpresës. Në fakt, ishin ditët kur fitimtarët nuk ju kërkuan llogari fajtorëve për dëmin e shkaktuar, por vetëm ju lanë të kuptonin se donin edhe ata pjesën e tyre në orgjinë e korrupsionit.

A ka shpresë ky vend? Për të qenë koherente me situatën dhe zhvillimet, dhënia e copave të ekonomisë, sektorëve apo shërbimeve të tëra në duar të privatit, ngjan si dy pika ujë më situatën postsovjetike ku ekonomia ruse u gllabërua falas nga oligarkët. Kontratat me të cilat po ju jepen koncesionet privatëve, është e pamundur të rikuperohet përpara përfundimit të afatit të tyre. Çka do të thotë që vitet që vijnë do të jenë të zeza për qytetarin e zakonshëm. Që tani duket nga mungesa e investimeve publike, se ekonomia ka ngecur. Paratë që përdoren për pagesat e koncesioneve, mund të përdoreshin fare mirë për rikapitalizimin e këtyre sektorëve, specializimin dhe trajnimin e administratës publike, për t’i bërë kompetitivë në treg. Por Edi Rama, politikani më jetëgjatë në pushtet, po kalon drejt krijimit të familjeve të mëdha, të cilat do të jenë baza e pushtetit të tij për 20 vitet që vijnë. Se ku të çon politika e familjeve të mëdha, mjafton të shikosh katandisjen e Greqisë. Mjafton të shohësh kapitalizmin e tipit arab, i cili po kopjohet edhe tek ne, për të kuptuar se asgjë e mirë nuk duket në horizont për qytetarin e zakonshëm dhe demokracinë shqiptare. Kush mendoi se tranzicioni ynë ka mbaruar, le të zhgënjehet. Jemi ende në mesin e tij dhe nuk e dimë cila do jetë rruga që do të marrim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.