Komisariatet e Policisë po kthehen në shtëpi funerale!
Dritare.net
Shkodra më i bukuri qytet në këtë vend, djepi i kulturës e qytetarisë, prej vitesh bën tashmë një bilanc vdekje, duke u zgjuar mes tymit e flakëve ditë pas dite.
Në Shkodrën e bukur, nëpër ato rrugica erëmira ku dëgjohej veç muzikë e hare kudo, e ku njerëz elitarë i lartësonin emrin ngahera këtij qyteti, shihen tashmë kudo fletë morti, duke lajmëruar ditë pas dite secilin aty për një tjetër jetë të prerë në mes.
Krimi triumfoi sërish në këtë qytet duke i bërë sfidë shtetit jo për të parën herë.
7 të vrarë në 10 muaj.
Astrit dhe Brahim Bilalit dy djemve të ri, vdekja u kish bërë prirë sot gjithashtu.
Dikush në kafe, dikush rrugës për në punë e dikush dhe para portës së shtëpisë, ditë pas dite një jetë e humbur.
Sërish një vrasje pa autor, ndërsa blutë e qytetit gjejnë gjurmë të krimit të paralajmëruar kudo.
Dhe pse dihen e njihen mirë familjet në hasmëri, bandat gjithashtu, askush nuk kujdeset të parandalojë një vrasje apo të shpëtojë një jetë.
Vetëgjyqësia është kthyer tashmë në kult, duke na treguar secilit prej nesh që askush nuk mund të vijojë i sigurt udhës së vet, asnjë orë më shumë.
Të gjithë ata që duhet të flasin e japin llogari për ç'ka po ndodh, heshtin sërish, duke na dhënë të gjithëve një "mësim" të mirë për vijimësinë./dritare.net