Që shqiptarët nuk e kuptojnë demokracinë kjo tashmë është evidente. Që kur iu dha shansi ta aplikonin, e kuptuan si një mundësi që i forti t’ia hipte të ligut; si anarki; dhe natyrisht u shfaqen instinktet e tyre tribale që duket te klanizimi dhe paaftësia që të kuptojnë apo votojnë alternativat e reja, pasojë e së cilës është sklerotizimi i klasës politike drejtuese dhe imobiliteti social.
Përndryshe nuk do të kishim 28 vjet të njëjtën klasë politike që votuam kur na u dha mundësia.
Demokracia në vetvete para se të jetë një mundësi ku më i votuari të bëjë ligjin dhe gllabërojë pushtetet, është marrëveshje mes palëve, ku më i madhi ka të drejtë të qeverisë, por me mirëkuptimin e minorancës. Ajo është gjithashtu një pakt social përkrahjeje, solidariteti dhe mirëkuptimi.
Kjo është skema ideale. Nuk ekziston askund, përfshirë Anglinë, por në përgjithësi kush ka zgjedhur këtë rrugë, përpiqet mos të shmanget shumë.
Kaq sa shkrova, mbase i dimë të gjithë. Ashtu siç dimë që në momentin që shumica vendos të jetë autoritare, të gllabërojë pushtetet, të shpërfillë shumicën, madje të kalojë në diktaturë, asgjë nuk e pengon. Në histori njihen rastet kur një pozitë e vendosur të monopolizojë pushtetin, asgjë nuk e ndal. E ka treguar Gjermania e Hitlerit, Rusia e Leninit, Çekosllovakia e Beneshit, për të ardhur te Venezuela e Çavez.
Ndaj, nëse Edi Rama dhe opozita ka vendosur të thyejë marrëveshjen që quhet demokraci, këtë nuk ka forcë ta ndalë askush.
Ndërkohë kemi një problem të madh në ekonomi. Nuk ka nevojë për teori të mëdha. Restorantet po mbyllen dhe ata që hapen nuk gjejnë kamerierë sepse paga është e ulët dhe nuk del për jetesë, por ndërkohë nuk mund t'i çojnë më shumë sepse nuk lejon tregu. Shërbimet katering kanë rënë sepse shtresa e mesme po kositet dhe rrudhet përditë ndaj ka filluar dhe merr bukë me vete. Shërbimet e mirëmbajtjes kanë vështirësi të gjejnë punëtorë krahu sepse rinia ikën. Kanë vështirësi edhe në ustallarë. Ata që kanë mbetur janë 50-vjeçarë dhe përpjetë. Ne po plakemi përditë dhe më shumë dhe se kush do t'i plotësojë pensionet, nuk dihet.
A ka faj Rama për këtë gjendje? Kanë të gjithë. Por Rama dogji të paktën vajin që na kishte mbetur në kandilin e shpresës.
Por çfarë iku, iku. Problemi është çfarë do të vijë. Dhe nuk ngjan se ndokush ka ndonjë plan. Ata që janë në rrugë janë tabula rasa dhe bashkautorë të rekordit tonë historik si vendi më i varfër. Ndërsa ky që është, e ka mendjen vetëm te bojatisja urbane. Askush nuk ka një plan sesi do të vihen në punë minierat, si do të shfrytëzohet nafta në favor të shqiptarëve, si do të zhvillohet të paktën një industri e lehtë. Sepse mbase nuk e meritojmë demokracinë, por të jetojmë si njerëz në këtë hise dielli që na ka rënë e meritojmë. Por askush nuk e vret mendjen./dritare.net