Kokëdhima me emigrantët në Athinë: Në janar peticioni "Unë e zgjedh deputetin që dua"
Dritare.net
Para mbi 800 shqiptarëve, të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi prej gati 25 vitesh, Kokëdhima e nisi fjalën e vet duke falenderuar emigrantët që në shumë sakrifica kanë dhënë gjithçka për atdheun, familjet e tyre dhe ekonominë e Shqipërisë, por ata janë nëpërkëmbur dhe harruar nga qeveritë në Shqipëri.
Gjatë takimit në Athinë me emigrantët shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Greqi, politikani Koço Kokëdhima, foli edhe për lëvizjen politike që ka nisur në Partinë Socialiste.
Ai theksoi sërish se reformimi i PS-së do të bëhet nga baza. Në fjalën e tij, Kokëdhima bëri të ditur se në janar 2017 do të nisë nënshkrimi i peticionit “Unë e zgjedh deputetin që dua”.
Ai tha se kjo nuk është lëvizje individuale, por për t’u kthyer të drejtat qytetarëve. Gjithashtu, politikani Kokëdhima tha se nuk do të largohet nga Partia Socialiste, por do të punojë aty me anëtarët e thjeshtë të PS-së.
Fjala e plotë:
"Të dashur vëllezër dhe motra, Ju falenderoj nga zemra që erdhët në këtë takim. Nga dita që ju e latë Shqipërinë, asnjëherë nuk na harruat, punuat me sakrifica e mundime të mëdha, përballuat hallet, diskriminimin, rreziqet e panumërta me të cilat u ndeshët, bëtë çdo punë me kurajo e vendosmëri të pashoqe, shumë herë të papërshtatshme e poshtë kualifikimeve tuaja, në kushte tejet të vështira, përballuat në jo pak raste përbuzje, përçmim e shkelje, por nuk u tërhoqët, nuk u dorëzuat, nuk u thyet dhe asnjëherë nuk na latë vetëm. Ndihmuat me dashuri e bujari të madhe njerëzit tuaj në Shqipëri, pavarësisht se si e kishit fatin e se si ju përplasi jeta.
Ju ndihmuat popullin tonë në Shqipëri materialisht, me ushqime, veshmbathje, orendi, vizita, mjekime e operacione. Dërgesat tuaja të parave dhe jo vetëm, investimet në prona të patundëshme, apartamente e biznese, ishin oksigjeni dhe gjaku i ekonomisë sonë për vite të tëra të këtij tranzicioni të gjatë. Familjet tuaja ishin të papërgatitura për jetën me të cilën u përballën dhe për kulturën e një shoqërie të konsumit ku u integruat, por ju ia dolët të përshtateni, ta ruani të shenjtë dashurinë, harmoninë dhe qëndrueshmërinë e familjes shqiptare dhe bëtë e rritët fëmijë shumë të mirë, fëmijë që e mbrojnë nderin dhe krenarinë e prindërve të tyre, fëmijë të shquar në mësime e në punë, shumë herë më të mirët e shkollave dhe të brezit të tyre. Falë faktit që në përgjithësi ju i mbrojtët dhe i shpëtuat familjet tuaja, ja keni dalë të keni sot pasardhës që e flasin dhe e ruajnë gjuhën shqipe, e njohin kulturën e vendit dhe kanë dashuri të madhe në zemër për Shqipërinë.
Populli dhe atdheu ynë do ju jetë shumë mirënjohës brez pas brezi për këtë vepër të çmuar besnikërie ndaj tij. Emigracioni shqiptar në Greqi, është ndër më të shquarit e më të rëndësishmit, jo vetëm numerikisht. Ju punuat si kërkush tjetër, u përfshitë në të gjithë sektorët, në qytete e në fshatra, përvetësuat gjuhën, kulturën dhe zakonët e mira të popullit grek, zhvilluat e shpalosët shpirtin tuaj punëtor, talentin dhe natyrën tuaj sipërmarrëse, begatuat tregun e punës, i dhatë një zhvillim të rëndësishëm bujqësisë, ndërtimit, turizmit, depozituat kursimet tuaja të rëndësishme në bankat greke, bletë shumë shtëpia e prona të patundëshme dhe prodhuat të mira e pasuri të mëdha për Greqinë dhe për familjet tuaja këtu dhe në Shqipëri.
E merituat plotësisht që të jeni ambasadorë të Shqipërisë dhe qytetarë të nderuar të këtij vendi që na hapi dyert e mikpritjes dhe na ndihmoi në një nga momentet më të vështira të historisë tonë, pikërisht në periudhën kur dolëm nga izolimi komunist dhe nga anarkia e mëpasme.
Populli ynë do u mbetet gjithmonë mirënjohës dhe falenderues popullit, shtetit dhe qeverive të Greqisë, për këtë mbështetje të madhe e vëllazërore. Ju krijuat marrëdhënie të shkëlqyera e vëllazërore me popullin grek, punuat, mësuat e jetuat së bashku, u këmbyet në festa e ceremoni, bëtë krushqi e miqësi, fejesa e martesa dhe farkëtuat një miqësi që i çoi mjaft më përpara ato raporte vëllazëror që kishin ndërtuar arvanitasit dhe të parët tanë në breza. Vepra dhe sakrificat tuaja do të çmohen e nderohen kurdoherë, ato kanë zënë vend në jetën dhe historinë e re të Greqisë dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm për dekadat e shekujt e ardhshëm.
Komuniteti, vepra dhe historia juaj nuk do kthehen kurrë në një kujtim i largët i mundimeve të ksenitisë, por do të mbeten si pjesë e gjallë dhe funksionale e lidhjeve, mirëqënies, komunikimit, kulturës dhe kujtesës historike të Greqisë dhe të Shqipërisë, do ushqejnë e mbrojnë fuqishëm, miqësinë, paqen, bashkëpunumin dhe bashkëjetesën mes dy vendeve e dy popujve tanë. Minoritarët grekë të Shqipërisë dhe shqiptarët jetojnë me dashuri, e në paqe me njëri-tjetrin edhe këtu në Greqi.
Ata kanë qëndruar krah për krah, në ditë të mira e të këqia, kanë përballuar së bashku çdo vështirësi e pengesë, kanë ndarë të njëjtat fate, kanë fituar mbi të njëjtat sfida. Vëllezërit tanë minoritarë i quajnë grekë në Shqipëri, ndërsa i quajnë shqiptarë në Greqi. Ja pse ata janë një urë e dyfishtë miqësie mes vendeve tona. Jam i lumtur që edhe në këtë sallë sot jemi bashkë, shqiptarët dhe minoritarët e Shqipërisë, që kanë emigruar dhe jetojnë në Greqi.
Fakti që ju e keni Greqinë atdheun tuaj të dytë dhe e vërteta e marrëdhënieve tradicionale të miqësisë mes popujve tanë, gjërat e shumta që na bashkojnë, historia e përbashkët si dy popujt dhe dy kulturat më të hershëm të Ballkanit, që kanë bashkëjetuar në paqe e harmoni me njëri-tjetrin, i bëjnë krejtësisht të papranueshme qëndrimet e cekëta dhe sjelljet provokative të politikanëve të veçantë, të cilët, në vend që të punojnë me urtësi e në rrugë diplomatike, prodhojnë një retorikë nacionaliste krejtësisht të pashëndetshme dhe tensionuese në marrëdhëniet tona ndërshtetërore.
Zyrtarët e lartë nuk mund ta heqin Ligjin e Luftës duke replikuar në Tuiter e Facebook, ashtu siç nuk mund të mbahet në këmbë një “gjendje lufte” mes vendeve tona, pavarësisht qëndrimeve apo interesave të caktuara politike të kujtdo qofshin ato. Këto e çështje të tjera, që nuk kanë arritur ende dakortësinë e palëve, duhet të zgjidhen gjithmonë në favor të forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit, duke respektuar interesat e seicilit prej vendeve tona. Qëndrimet amatoreske të politikanëve ju shkaktojnë vuajtje dhe dëme të pamerituara emigrantëve tanë. Shqiptarët dhe grekët nuk i duan dhe nuk i pëlqejnë axhaminjtë dhe profanët, të papërgjegjëshmit dhe sharlatanët e politikës që i tregojnë muskujt njëri-tjetrit.
Ata kërkojnë politika të urta, të mençura dhe efiçente, që shfrytëzojnë tërësinë e mundësive diplomatike e institucionale, në kuadër të BE-së, me qëllim që të zgjidhen çështjet e pazgjidhura dhe t’u bëhet më e lehtë jeta njerëzve tanë. Nuk ma do mendja se ju prisni nga politikanët e sotëm t’u mësojnë historitë e heronjve të mesjetës, sado interesante që të duken. Emigrantët tanë në Greqi dhe në Itali kërkojnë marrëveshjet ndërshtetërore për pensionet.
Ata kanë qenë të detyruar të bëjnë punë nga më të rëndat dhe në shumicën e kohës në të zezë. Marëveshja për pensionet do ju mundësonte të arrinin një pension të arsyeshëm, pas gjithë atyre viteve pune rraskapitëse. Qeveritë shqiptare e greke nuk kanë bërë asnjë progres që nga gushti i vitit 2006 kur u nënëshkrua Protokolli i Bashkëpunimit dhe që nga nëntori i vitit 2008 kur u ra dakort për nisjen e procedurave për nënëshkrimin e një Protokolli Teknik midis Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, ISSH dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Greqisë, IKA.
Mbrëmë vizitova Federatën e Shoqatave Shqiptare pranë qendrës kulturore të emigrantëve tanë këtu në Athinë. Është një ambjent krejtësisht modest, i marrë me qira, ku drejton Edmond Guri, kryetari i federatës në fjalë. Atje është hapur edhe një shkollë. Mësueset Çelestina Mema e Amanda Ekmekçiu u mësojnë vullnetarisht fëmijëve gjuhën amtare, historinë dhe kulturën e Shqipërisë. Ju duhen libra dhe abetare, mbështetje material dhe didaktike. Rreth 800 mijë shqiptarë jetojnë në Greqi, por askush nuk u kujdes për shkollimin e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe.
Vetëm ju dhe disa mësues shqiptarë të ndritur e të bekuar, u përpoqët dhe bëtë disa klasa dhe shkolla modeste. U interesova dje të dërgoja nga Tirana 30 abetare dhe asnjë agjenci transporti nuk pranoi pas incidentit të 14 nëntorit, i cili përfundoi me dënimin e dy shoferëve shqiptarë dhe sekuestrimin e 1500 abetareve. Askush nuk dëshiron të dëgjojë histori e zhvillime të tilla në marrëdhëniet mes vendeve tona. Kemi bërë kushedi sa investime idiote për shkolla, nëpër fshatra pa banorë e pa fëmijë, në Shqipëri.
Qeveria e Shqipërisë duhet të financojë e ndërtojë një qendër kulturore shumë serioze në Athinë. Federata e Shoqatave Shqiptare dhe aktivistët e drejtuesit e këtyre shoqatave bëjnë një punë shumë të madhe për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor të bashkëatdhetarëve tanë, për rritjen e krenarisë dhe vetëdijes, për ndërgjegjësimin dhe bashkimin e tyre. Atje ndihmohen shumë emigrantë për nevoja nga më të ndryshmet. Në pak minuta Pandora Onjela tregon historinë e familjes së saj prej 25 vitesh në Greqi.
Ka 15 vite në proces aplikimi për nënshtetësinë. Gjithmonë skadojnë afatet dhe ajo paguan përsëri. Po të kishte letrat, shtëpinë që bleu do e kishte paguar 10 mijë euro më pak. Vajzat e saj shëmbullore nuk mund të bëjnë karrierën që dëshirojnë sepse nuk kanë nënshtetësinë. Ajo tregon se nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti, asnjë ndërmjetësim madje tani është përkeqësuar edhe më shumë klima politike dhe duket edhe më e largët dita kur ne do të fitojmë shtetësinë. Janë qindra mijëra shqiptarë që vuajnë problemin e letrave.
Ky nivel i marrëdhënieve mes Tiranës e Athinës është më i ulëti në këto 15 vitet e fundit. Këto marrëdhënie, aktualisht kanë hyrë në krizë. Qytetarët e dy vendeve tona duan që qeveritë e tyre të punojnë me këmbëngulje dhe durim për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për të zgjidhur mosmarëveshjet që ekzistojnë. Tirana dhe Athina zyrtare, në zhvillimet negative më të fundit, u janë larguar gjithnjë e më shumë bisedimeve konstruktive e frymës së mirëkuptimit. Nuk na hyjnë në punë deklaratat patriotike, që shërbejnë vetëm për të manipuluar opinionin publik dhe për të mbuluar dështimet dhe problemet në politikat e brendshme.
Edhe pse me dy atdhe, jeni ndier shumë herë pa asnjë atdhe. Ju jeni pjesa më e harruar, më e lënë mënjanë dhe më e margjinalizuar e popullit shqiptar. Keni vuajtur në kurriz korrupsionin, pandjeshmërinë dhe përbuzjen e kastës sunduese të Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve. Shqipëria është sjellë si njerkë me ju, ju ka bërë të ndiheni si të huaj, jo si shqiptarë. Këtu në Greqi, keni vuajtur shpesh herë shfrytëzimin dhe shkeljen e të drejtave njerëzore, sjelljet raciste dhe korrupsionin e zyrtarëve lokalë.
Edhe shërbimi diplomatik shqiptar në Greqi ndër vite nuk i ka përfaqësuar e mbrojtur me besnikëri të drejtat e shqiptarëve, nuk ka bërë avokatinë e tyre në çdo rast, nuk ka ndërmjetësuar e zgjidhur çështjet e tyre, përkundrazi shpesh herë i ka braktisur ose i ka detyruar të paguajnë nën dorë zyrtarët e tij; katër herë janë rritur çmimet e pasaportave dhe gjithnjë e më shtrenjtë kushtojnë tarifat e shërbimeve konsullore. Është e patolerueshme neglizhenca e konsullatave dhe e ambasadës sonë të këtyre 25 viteve për t’u dhënë mbështetje atyre emigrantëve që janë përballur me trajtime, procese e dënime të ashpëra e të pamerituara. Në Shqipëri, emigrantët nuk janë ndier në çdo rast të respektuar e të shërbyer, as të ndihmuar për nevojat që duhet të zgjidhnin. Në jo pak raste zyrtarët kanë menduar vetëm si t’ju fusin duart nëpër xhepa, që nga çasti kur vinit këmbën në Shqipëri e deri sa dilnit përsëri nga kufiri.
Kursimet më të rëndësishme deri në fund të vitit 1996 i humbët në piramidat financiare. Shumë prej jush kanë vuajtur në vendin tonë nga zyrtarët në hipoteka, legalizime, energji elektrike, ujësjellës, tatime, dogana, inspektoriate, gjykata, prokurori e dikastere, në bashkitë, komunat e pleqësitë. Përpara pak javësh në Tiranë u mbajt Samiti i Diasporës. Përveç se është një iniciativë e lavdërueshme, ky samit nuk pati asnjë produkt, asnjë rezultat. Emigaracioni ynë, ka sjellë nga 600 milionë deri në 1 miliard euro në vit në Shqipëri.
Në emigracion është edhe pjesa më e aftë e shoqërisë tonë, është pjesa më vitale dhe më punëtore, por edhe më e pajisur me kulturë demokratike e pavarësi mendimi, për vetë faktin se ka jetuar gjithë këto vite dhe vazhdon të jetojë në vende me tradita të hershme demokratike dhe institucione të konsoliduara. Emigracionit dhe diasporës shqiptare duhet t’i rezervohen vende në parlament, ku të çojë deputetët e vet përfaqësues. Kandidatët për deputetë duhet të zgjidhen përmes primareve të hapura, që do të thotë se këta kandidatë për deputetë duhet t’i zgjedhin emigrantët dhe jo t’i caktojnë kryetarët e partive në Tiranë. Ideja se juve ju përfaqësojnë deputetët e qarqeve që zgjidhen në Shqipëri, nuk është plotësisht e saktë.
Ju jeni një komunitet i madh, shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe me problematika serioze e shumë specifike. Për më tepër, deputetët e qarqeve nuk përfaqësojnë cilësisht as banorët e tyre e jo më juve, sepse ata emërohen nga kryetarët e partive dhe nuk zgjidhen as nga populli dhe as nga militantët politikë. Emigrantët dhe diaspora duhet të kenë mundësi që të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. De facto emigrantët janë të përjashtuar nga e drejta e votimit. Nuk mund të ndodhë realisht që të shkulet një popullsi kaq e madhe nga Greqia dhe nga vendet e tjera për të shkuar në Shqipëri të votojë ditën e zgjedhjeve.
Nëse qendrat e votimit do të vendoseshin në konsullatat dhe ambasadat tona, marrëdhëniet e emigrantëve me Shqipërinë do ishin të tjera dhe roli i tyre, shumë më i madh. Shqipëria duhet të ngrejë një ministri për diasporën. Më e pakta dhe më e shpejta është që, në ministrinë e jashtme, të caktohet një zv/ministër për emigracionin në përgjithësi dhe për shqiptarët e Greqisë në veçanti. Problemet janë të atilla që ambasada nuk mund t’i zgjidhë pa krijimin e një kabineti ministror të posaçëm në Tiranë, që të merret me pensionet, me lindjet dhe vdekjet, me pronat, me rastet e diskriminimeve, çështjet arsimore e kulturore etj.
Ka ardhur koha që të mendoni e të veproni më të organizuar e më të bashkuar edhe për të drejtat tuaja shoqërore, ekonomike, kulturore e politike në Greqi. Prita me nderim e respekt të thellë çdo qytetar dhe çdo emigrant që trokiti në zyrat e mia, ju përgjigja çdo telefonate, letre e sms-je dhe u përpoqa në çdo rast t’i kuptoj, përfaqësoj dhe mbështes qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, qëndrova me vendosmëri gjithmonë në anën e tyre. E di mirë se juve ju janë bërë shumë premtime të pambajtura nga politikanët ndër vite.
Ndihem në borxh ndaj të rinjve dhe banorëve të fshatit Vagalat në Finiq, të cilët na dhanë një mbështetje të madhe për fitoren e zgjedhjeve bashkiake të vitit 2015. Ne u premtuam banorëve të Vagalatit ujësjellësin dhe nuk e bëmë dot, sepse kryetari i bashkisë atje refuzoi të paraqiste projektin, pavarësisht se Qeveria ishte e gatëshme ta financonte atë. Dua t’i them Leonidha Hristos se, ai nuk do ishte bërë kurrë kryetar i Bashkisë së Finiqit, pa mbështetjen dhe votën e atyre djemve të Sillogos së Vagalatit në Athinë.
Të dashur miq, Kam ardhur të bisedoj me ju, t’ju dëgjoj dhe të konsideroj idetë, mendimet, problemet dhe shqetësimet tuaja. U zgjodha sekretar për reformimin dhe për emigracionin në PS përpara gjashtë muajsh. Do të doja shumë të kisha ardhur më shpejt dhe në këtë cilësi, në takimet me ju. Marr kurajon t’ju them se vetëm tri javë pasi u zgjodha, mandati im i deputetit u godit nga një proces tërësisht politik, ku u investuan fatkeqësisht, edhe drejtuesit e të majtës.
Ata e shfrytëzuan këtë vendim të Kushtetueses për të eleminuar rolin dhe funksionin tim në parti. Gjatë këtyre muajve unë isha vetëm formalisht sekretar për emigracionin. Këta drejtues kanë përgjegjësi të madhe, jo thjesht se bashkëpunuan me Saliun kundër mandatit tim, por kryesisht për faktin se në vend të solidaritetit parimor, në qarqet drejtuese të së majtës, sundon kultura e përçarjes, intrigave dhe thashethemeve, lufta e paprinciptë Brenda llojit, në vend që të mbretërojë puna e përgjegjëshme për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Unë nuk jam i mërzitur apo i qejfmbetur, e kam jetën plot dhe e shijoj punën time, nuk kam bërë dhe nuk do të bëj ndonjëherë armiqësi personale dhe luftëra destruktive e inatçore me askënd.
Dora ime e bashkëpunimit do të qëndrojë e shtrirë edhe për Edi Ramën, edhe për çdo person tjetër në PS që dëshiron që të punojë për të mirën e qytetarëve dhe të socialistëve të thjeshtë. Shqipëria është në një gjëndje shumë të vështirë. Populli vuan nga varfëria, papunësia, arroganca dhe korrupsioni i zyrtarëve, nga fuqia që ka e keqja. Njerëzit trajtohen si skllevër kur ende shiten e blihen vendet e punës.
Të vjetërit në shumicë janë lodhur e dekurajuar, janë dorëzuar e nuk duan të luftojnë, shtyjnë jetën dhe durojnë në heshtje çdo paudhësi që godet pa mëshirë këdo. Një pjesë janë konfonduar me të keqen, të tjerë bëhen palë me të. Të rinjtë nuk kanë shpresë, të gjithë duan ta lënë vendin sapo t’u krijohet një mundësi. Çdo vit ikin 60 deri në 100 mijë njerëz, shumica dërmuese nën 30 vjeç. Të lumtur janë vetëm një grusht njerëzish, politikanët e kastës sunduese të këtyre 25 viteve dhe pak biznese të lidhura me to. Këta janë të pandjeshëm dhe nuk pyesin për popullin e thjeshtë.
Njerëzit e thjeshtë, kësaj kaste i duken si turma e bagëti që nuk meritojnë as të dëgjohen, as të respektohen, as të ndihmohen dhe as të lumturohen. Sa më i mjeruar e i pashpresë të jetë populli, aq më e sigurtë dhe e lumtur ndihet kasta. Pas 25 vitesh demokraci, nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Akoma vidhen dhe trafikohen, shiten dhe blihen vota. Nëse nuk garantohen zgjedhjet e lira e të ndershme, asnjë reformë nuk do të japë sukses, vendi do të vazhdojë të vuajë nga skamja dhe varfëria ekstreme. Të gjitha palët vjedhin dhe manipulojnë votat, edhe demokratët e Saliut që e mbollën këtë të keqe të madhe në Shqipëri, edhe të majtët.
Duhet të jetë e qartë se kur vidhen votat, nuk fitojnë as socialistët dhe as qytetarët e thjeshtë, as shqiptarët e Shqipërisë, as emigrantët, por fiton vetëm kasta sunduese që s’ka asnjë lidhje me popullin e varfër. Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votimin dhe numurimin elektronik në qendrat e votimit dhe një paketë masash ligjore. Nga pastrimi i zgjedhjeve fillon reformimi i gjithë sistemit politik. Populli shqiptar sot nuk mund të zgjedhë asnjë përfaqësues. Ai nuk ndëshkon dhe as nuk zgjedh dot. Në se një deputet i tradhëton votuesit, nuk ndodh asgjë, ata do e kenë përsëri deputet. Refuzimi dhe ndëshkimi i zgjedhësve nuk vlen. Nën diktaturën e egër komuniste, edhe pse në mungesë të plotë lirie, populli zgjidhte formalisht deputetët, gjyqtarët, ndihmësgjyqtarët, këshilltarët etj.
Nën rregjimet e kastës së tanishme, populli shqiptar nuk ka të drejtë të zgjedhë asnjë përfaqësues, as presidentin, as kryeministrin, as deputetin, as kryetarin e bashkisë, as këshilltarin, as gjykatës, as prokurorë, as një për be. Të gjithë përfaqësuesit e popullit i zgjedhin vetëm kryatarët e partive. Ky sistem nuk është gjë tjetër, veçse ajo që quhet partitokraci; një sistem politik i dështuar e i kalbur, ku populli është i zhveshur totalisht nga çdo e drejtë dhe nga të gjitha pushtetet. Populli, sipas tyre, duhet vetëm të votojë, por jo të zgjedhë. Zgjedhjet dhe pushtetet i kanë përqendruar në duar kryetarët e partive të mëdha. Asnjë pushtues nuk do ja kishte bërë këtë të keqe popullit shqiptar. Dini ndonjë rast tjetër në botën demokratike që të jetë kështu? Nuk ka asnjë rast të tillë.
Partitë politike nuk kanë demokraci të brendshme. Kryetarët e partive janë bërë njësoj si të ishin pronarë të tyre. Tani sillen edhe si pronarët e Shqipërisë. Ata kanë uzurpuar çdo pushtet dhe janë të shkëputur nga të vërtetat e njerëzve të thjeshtë. Duket se tani kemi dy parti socialiste. Njëra është partia e socialistëve të thjeshtë, ndërsa tjetra është partia e udhëheqjes. Partia e udhëheqjes kujdeset për partinë tjetër vetëm në kohë fushatash elektorale. Pastaj nuk e njeh më, nuk e pret, nuk e dëgjon, nuk i hap telefonin, nuk e respekton, nuk e konsideron, nuk e kupton.
Çdo funksionar i partisë kontrollon nga një copë çifliku nga pushteti, ca ndërmarrje, vende pune, tendera e të drejta dhe merret vetëm me interesat e tij. Socialistët dhe qytetarët e thjeshtë ndihen të shfrytëzuar e të përdorur kur shohin se zyrtarët e lartë nuk përfaqësojnë interesat e tyre. Kjo Shqipëria jonë është parajsë për kryetarët e partive, por është vetë ferri për të varfërit. Kryetarët nuk duan ta ndryshojnë Shqipërinë. Ata kanë 25 vite që e mbajnë në këtë gjendje. Dhe janë të lumtur. A nuk është e drejtë të kemi një Shqipëri tjetër? Një Shqipëri ku të kenë shpresë dhe të ndihen mirë edhe të varfërit edhe kryetarët, edhe të rinjtë edhe të moshuarit, edhe punonjësit edhe sipërmarrësit që nuk kanë miqësi me qeverinë.
Këtë qëllim ka lëvizja jonë. Lëvizja jonë brenda Partisë Socialiste kërkon ta reformojë atë, me qëllim që përmes saj të ndryshojnë Shqipërinë dhe të mundësojë që në këtë parti të mos ndihen mirë e të dëgjohen vetëm udhëheqësit, por të ndihen mirë e dëgjohen edhe militantët, mbështetësit, qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, të mos jenë të lumtur vetëm ata që marrin pushtet, por të luftohet për lumturinë e të gjithëve. Partia e udhëheqjes nuk duhet ta manipulojë e intimidojë këtë partinë tjetër, por ta lejojë t’i zgjedhë vetë përfaqësuesit e saj edhe në parti. Për tre vite punova shumë për ta hapur e reformuar Partinë Socialiste nga lart. Një parti jodemokratike, nuk prodhon dot një qeverisje demokratike.
Kjo do të thotë se nuk e ndryshojmë dot ekonominë e njerëzve pa demokratizimin e Partisë Socialiste. Udhëheqësit nuk e duan këtë demokratizim, sepse duhet që ata të lëshojnë kompetencat dhe pushtetet që i gëzojnë padrejtësisht, të drejtat e natyrshme të qytetarëve dhe socialistëve të thjeshtë. Me këtë demokratizim ata duhet të pranojnë që kandidatët për deputetë, kryetarë bashkish apo këshilltarë, t’i zgjedhin njerëzit e thjeshtë të bazës përmes primareve mikse ose të hapura.
Po të ndodhë kjo, 90 për qind të elitës politike, populli e heq sot, sepse janë njerëz që populli nuk i do dhe nuk i voton. Ata i duan vetëm kryetarët e partive, i emërojnë e riciklojnë vetëm ata. Po t’i zgjedhë populli deputetët, parlamenti do të kontrollojë qeverinë dhe deputetët do tëpërfaqësojnë dhe mbrojnë qytetarët e thjeshtë të vendit. Kështu partitë do jenë të të gjithëve, nuk do jetë vetëm të kryetarëve. Në parti do të ketë vend për të gjithë edhe par ata që si ka qejf kryetari. Nëse ju doni që zyrtarët e shtetit në Shqipëri t’ju respektojnë, shërbejnë dhe ndihmojnë, kërkoni që deputetët t’i zgjedhë baza, jo kryetarët. Në se ju doni që fëmijët e emigrantëve që mbarojnë çdo vit shkëlqyeshëm shkollat për diplomaci, të punojnë në shërbimet tona diplomatike, kërkoni që të pastrohen zgjedhjet nga vjedhjet.
Doni që t’ju njihen vitet e punës? Mos lejoni që kandidatët për deputetë t’i zgjedhin kryetarët. Renditini gjithë plagët e rënda që ka në shpirt e në trup populli ynë i shumëvuajtur nga ky tranzicion: doni që ato plagë të rënda që po e vdesin këtë popull të shërohen e të mos përsëriten më? Mos lejoni që deputetët t’i emërojnë kryetarët, por kërkoni që t’i zgjedhin njerëzit e thjeshtë në bazë. Kjo është lëvizja jonë, këto kërkojmë ne. Lëvizja jonë nuk është kundër askujt.
Ajo nuk e përçan, nuk e zvogëlon dhe nuk e dëmton partinë e popullin. Kjo lëvizje është gjithëpërfshirëse, e zgjeron partinë, e entuziazmon dhe nxit popullin që të marrë pjesë në qeverisjen e vendit dhe në politikëbërje. Partia nuk është pronë e asnjë personi të veçantë. Këtu nuk diskutohet fati i kryetarëve të partive. Këtu diskutohet fati i një populli të tradhëtuar, të mashtruar, të vjedhur, të shkelur, të përbuzur, të fyer, të manipuluar, të papërfaqësuar, të zemëruar e të revoltuar. T’i japim mundësi popullit që ta regullojë fatin e vet. Mjaft më me këto shpikjet e shëmtuara të udhëheqësve tanë që i trajtojnë shqiptarët si dele. Kasta sunduese në Shqipëri duhet thyer e përtërirë. Kjo mund të bëhet vetëm në një rrugë: t’i jepet e drejta popullit të zgjedhë përfaqësuesit e vet përmes zgjedhjeve paraprake dhe përmes zgjedhjeve të përgjithshme, të lira e të ndershme.
Këto ndryshime, ky reformim i partisë mund të bëhet vetëm me ligj dhe vetëm nga poshtë, nga baza e partisë. Nga lart s’mund të bëhet sepse nuk ka vullnet udhëheqja për këto ndryshime. Për këtë qëllim ne po takohemi me socialistët dhe qytetarët e thjeshtë që të formulojmë dhe konsultojmë bashkërisht programin dhe tezat e lëvizjes dhe për t’i bashkuar këta njerëz në këto kërkesa.
Në janar do të fillojmë nënshkrimin e peticionit: Unë zgjedh deputetin që dua! Ky peticion do të synojë që të vërë në lëvizje parlamentin dhe Partinë Socialiste për të garantuar me ligj të drejtën e bazës, të zgjedhë kandidatët për deputetë, kandidatët për kryetarë bashkie e për këshilltarë, përmes primareve ose zgjedhjeve paraprake, siç quhet ndryshe. Vërtet mendoni se elitat politike i lëshojnë me dëshirë e vullnet pushtetet që ju a kanë rrëmbyer qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë? Vërtet populli mund të mendojë ende me naivitet se liderët e partive shqetësohen për qytetarët? Ka ndonjë person që thotë se kjo lëvizje është individuale. Ata që duan tju manipulojnë thonë se kjo lëvizje nuk përputhet me vijën e partisë. Vija e partisë nuk është të mbrojmë privilegjet dhe pushtetin e funksionarëve të lartë të saj duke sakrifikuar jetët dhe të drejtat e qytetarëve dhe sociliatëve të bazës. Kur kërkohet që këto të drejta tu kthehen njerëzve të thjeshtë të Shqipërisë, kjo qënka shkelje e vijës së partisë? Vija e partisë tani është kushtetuta e Shqipërisë, janë ligjet e vendit, e drejta e patjetërsueshme e popullit tonë që të jetojë në një vend normal, të lirë nga korrupsioni dhe nga tirania e skamjes dhe e hashashit.
Unë nuk iki nga PS, nuk krijoj parti tjetër. Do punoj për ta bërë PS-në parti të qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë. Këto teza e ide, kanë dakortësinë e gjithë njerëzve të thjeshtë dhe socialistëve të bazës, të cilët po zgjohen, po ngrihen, po kërkojnë, nuk pranojnë më të manipulohen e të përdoren, janë djegur e përvëluar dhe dinë mirë që të dallojnë gënjeshtrën nga e vërteta. Ata e pëlqejnë këtë që po bëjmë ne. I mbushin sallat e takimeve tona plot e përplot, sa janë brenda janë edhe jashtë sallave, edhe pse provojnë kërcënime, shantazhe, pushime nga puna, ndëshkime dhe diskriminime.
Ata që hyjnë në takime, diskutojnë me gjallëri. Të dashur motra dhe vëllezër, Zgjodha ditën ndërkombëtare të emigrantëve që të isha me ju, këtu. Në nderim të kësaj dite, sot duhet të flasim për të drejtat njerëzore dhe për të drejtat themelore të emigrantëve. Këtë qëllim kisha edhe unë në fjalën time. Rreth 3,5 për qind e popullsisë së botës, jeton jashtë vendit të origjinës. Ne kemi mbi 30 deri 40 për qind të popullsisë në emigracion. Edhe po të ishim në luftë, nuk do kishim këtë shpërngulje biblike, dhjetë herë më të lartë se mesatarja e vendeve të botës. Elitat politike shqiptare janë duke e dëbuar edhe atë pjesë të shëndetëshme, kryesisht rininë, që ka mbetur në Shqipëri.
Në vendin tonë të bukur e të dashur do ketë gjithnjë e më shumë zyrtarë të korruptuar, më shumë kriminelë, të sëmurë, injorantë, pleq dhe të marrë. Shqiptarët e Greqisë mund t’i rinë afër e ta ndihmojnë Shqipërinë dhe vehten. Ju keni barrën, si të ishit vajza e vetme e martuar në fshatin fqinj, që të mos e braktisni kurrë derëbaben! Gëzuar Krishtlindjet! Qoftë i bekuar ky vit i ri për ju dhe për të gjithë emigrantët tanë nëpër botë! Rroftë miqësia shqiptaro-greke!" /shekulli.