Koço Kokëdhima dhe Selam Musai.

Nga Dritan Hila

Kush mundohet ta relativizojë Koço Kokëdhimën si një të fandaksur që i ka mbetur në derë Edi Ramës, thjesht mbron Edi Ramën. Koço është një biznesmen i dashuruar me tenderat shtetërorë. Ka hyrë në politikë të mbrojë interesat e tij. Është aty për veten dhe për ta justifikuar mbrojtjen që i bën Rama, ai bën edhe altoparlantin, për ato që Rama nuk i thotë dot vetë. E tillë ishte ideja e kanabisit, zgjedhjeve në parti dhe e fundit për sovranitetin.
Thënia e tij e fundit kundër ligjit të dekriminalizimit si antikushtetues, i cili është kërkuar fort nga BE dhe SHBA; dhe ai për drejtësinë ku kërkon ruajtjen e sovranitetit, megjithëse janë investuar fort dy partnerë, çon në një përplasje mur me mur me aleatët tanë.
E vërteta është që ligji për dekriminalizimin u bë i tillë që në rrjetën e tij mund të mbesë vetëm ndonjë hajdut xhepash që i fandakset të bëhet deputet i pavarur, pasi për ata që kanë probleme reale, por janë brenda formacioneve politike, ligjin e kanë prerë sipas masës, që mos ti kapë. Por gjithsesi u miratua dhe politika shqiptare, ashtu si SHBA & BE shpëtuan fytyrën.
Sa i takon reformës në drejtësi, duhet të jesh naiv të mendosh se ka ndonjë palë politike në Shqipëri që e do. Ato duan që shosha e saj mos mbajë asnjë krunde. Por mesa duket në këtë pikë ndërkombëtarët kanë qenë infleksibël dhe nuk duan të bëjnë një ligj sa për të kaluar rradhën. Dhe Rama si një ndër tre që nuk e do këtë ligj, por që ka punuar fort të duket sikur ai e do dhe të tjerët nuk e duan, ka nxjerrë Koçon të flasë për sovranitetin.
Historia ka treguar se aq herë që udhëheqësit shqiptarë kanë folur për sovranitetin, po aq herë kanë qëne shqiptarët që kanë paguar. Nga zona e Koços ka qënë një që luftoi për sovranitetin e Shqipërisë, dhe e quanin Selam Musai. Ai hodhi gunën mbi tela, por vetëm pasi gjithë shqiptarët ishin në një mendje dhe ndërkombëtarët ishin dakort. Koçua do të hedhë shqiptarët mbi telat me gjemba, për t’iu treguar ndërkombëtarëve se ky vend ka zot: Koçon me shokë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.