Kjo krizë absurde që zgjidhet vetëm duke u thelluar!
Dritare.net
Opozita që kërkon të marrë pushtetin, e di mirë se të gjithë bëhen mbretër, aty ku s'mbretëron asnjë. Ndaj ka krijuar këtë krizë të pashembullt nëpërmjet të cilës kërkon të shembë sistemin për ta zotëruar atë edhe njëherë si njëherë.
Po për të folur për krizën duhet kuptuar në radhë të parë se çdo interpretim juridik nuk na çon asgjëkund, sepse këtu në Shqipëri, politika vepron mbi ligj dhe jo nën të. Prandaj kriza duhet interpretuar politikisht. Politikisht, në një marrëdhënie hierarkike, përgjegjësia i takon më të pushtetshmit, sepse është ky i fundit që përfaqëson të gjithë dhe ka detyrimin të respektojë pakicën, ndryshe nga opozita, që prodhohet nga një pakicë dhe vetëm asaj i përgjigjet. Demokracia është respektimi i pakicës, ndaj dhe në këtë krizë, ashtu sikurse në 2017-ën, Rama është i vetmi që duhet dhe mundet të japë një zgjidhje.
Pavarësisht se palët në retorikën e tyre po barrikadohen në ekstremume, zgjidhja nuk është dhe aq e pamundur. Ama ajo që është e pamundur është dorëheqja e Ramës. E para sepse dorëheqja në këto kushte, do krijonte një precedent shumë të rrezikshëm për vendin, rajonin dhe gjithë botën. Ky precedent do i lejonte çdo opozitë në të ardhmen të bënte ç'të donte me ekzekutivin dhe stabilitetin e vendit. Kjo nuk shkon, sepse opozita në sistemin demokratik duhet të luajë rolin e kundërpeshës, jo të peshës, pra s'mund të marrë vendime për gjithë vendin, por vetëm të përmirësojë nëpërmjet kritikës vendimet që merr pozita.
E dyta, me dorëheqje, Rama do pranonte automatikisht të gjitha akuzat e opozitës, çka rrjedhimisht do e bënte pushtetin e tij të parikuperueshëm, pra vetvrasje politike.
E treta, me bërjen e një mocioni besimi, zgjidhje kjo që e kanë parashtruar shumë, Ramës i duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme. Në çdo rast, zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë dakordësinë e opozitës, se nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, ato veta që protestojnë sot para Kryeministrisë, pak apo shumë qofshin, do shndërrohen të gjithë në kamikazë dhe situata do rrëshqasë drejt një konflikti civil.
Nga ana tjetër, konflikti civil është mjeti i fundit që opozitës i ka ngelur për të kërcënuar pushtetin. Si rrjedhojë është mëse e arsyeshme politikisht, që dhuna e opozitës të përshkallëzohet.
Kriza politike do thellohet akoma më shumë kur të përballet me afatin kohor të 30 qershorit, sepse opozita e pabindur, duhet bindur të hyjë në zgjedhje. Megjithatë, paradoksalisht, thellimi i mëtejshëm i krizës është i domosdoshëm që kriza të zgjidhet.
Kjo pasi thellimi i mëtejshëm i kësaj krize, do e afronte fundin e saj me fillimin e një përplasje civile. Për të shmangur një rikthim në regjistrat e zinj të historisë kombëtare, do kërkohej ndërhyrja e pakompromistë dhe sa më e shpejt e çdo pale të përfshirë, ku futet edhe Presidenti i Republikës. Përkeqësimi i krizës do e legjitimonte skenarin që është përfolur shumë këto kohë, atë të dorëheqjes së Presidentit.
Dorëheqja e Metës do e linte Shqipërinë pa garantin e shtetit, pa garantin e kushtetutës, pa përfaqësuesin e unitetit të kombit dhe pa kryetar të Forcave të Armatosura. Juridikisht prapë zgjidhje ka, por politikisht, vendi do mbetej pa parlament, pa opozitë, pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa President. Në kësisoj kushtesh, pozita s'do duhet të bëjë vetëm 2 hapa prapa, por një maratonë.
Kështu Rama do detyrohej të plotësonte kërkesat e opozitës, sigurisht, duke i lejuar vetes të drejtën e rikandidimit dhe vendi do hynte në zgjedhje qendrore njëkohësisht me vendoret. Në të kundërt, opozita do shpallte konflikt civil, grushti i shteti madje do kishte të ngjarë, dhe Evropa do prezantohej me një Venezuelë m'u në qendër të saj.
Gjithsesi, në politikën shqiptare individi është më i rëndësishëm se institucioni dhe asnjëherë s'i dihet ç'marrëveshje bëhen jashtë dijenisë sonë. Kështu është e pamundur të marrësh me mend ç'do ndodhë, po një gjë e sigurtë është, që nëse udhëheqësit tanë nuk tregohen më të përgjegjshëm seç janë, vendi mund të humbë shumë vite në kohë.
Fati jonë i keq që krizën duhet ta zgjidhin të njëjtët njerëz që e prodhuan, të njëjtët njerëz që sa herë i ka ardhur rasti e kanë fëlliqur Shqipërinë në mënyra nga më të habitshmet. Megjithatë këtë herë do duhet t'i besojmë fuqisë së interesave. Asnjë nga këta që prodhuan krizën s'ka interes ta lërë krizën politike të shndërrohet në përplasje civile, se nëse populli shqiptar çohet edhe njëherë seriozisht, do jetë i aftë të shfarosë njëherë e mirë zanafillën e të këqijave, pra ata vetë./Dritare.net