Kërkesat e ministrit Bushati drejtuar Departamentit të Shtetit, lidhur me Lotarinë Amerikane
Dritare.net
Nëpërmjet ministrit Bushati, qeveria Rama i drejtoi disa propozime Departamentit të Shtetit.
Dritare.net i sjell ato të plota, si më poshtë;
I nderuar zoti Tillerson,
Ashtu edhe siç do Ju kenë prezantuar ne jemi kombi më proamerikan në botë. Kjo duket edhe në numrin e madh të aplikantëve për Lotari Amerikane.
Kjo ka bërë që tregu ynë i punës të ndjejë mungesat, por miku i mirë në ditë të vështirë njihet, dhe ne kemi hallin tuaj. Ndaj kemi këto propozime:
-Ju lutemi rrisni kuotën e përfituesve shqiptarë. Nëse nuk dini si ta rregulloni lotarinë në favorin tonë, ju nisim ne specialistë bastesh nga Federata e Futbollit.
-Fluksi i madh i shqiptarëve na detyron që këtë kuotë të eksportit tonë t’ua nënshtrojmë mekanizmave ekonomike. Aq më shumë që jemi në momentin e shtrirjes së TVSH-së edhe tek bizneset e vogla. Ndaj propozojmë që për shqiptarë të moshës 20-30 vjeç të na paguani TVSH 20%; për moshën 30-60 vjeç të na paguani TVSH 22%; ndërsa për moshat 60 vjeç e sipër mund të zbatojmë promocionin paguaj 2 dhe merr 3.
-Për emigrantët që kalojnë në të zezë, domethënë nga Meksika ose që vijnë me viza turistike dhe pastaj nuk kthehen, mendojmë të ngremë një komision “ad hock” i cili të vlerësojë me përafërsi këtë eksport tonin. Meqënëse është e vështirë të përcaktohet sasia fikse dhe cilësia e tyre, do të biem dakort për një pagesë të arsyeshme.
-Në Shqipëri ne kemi aplikuar me sukses koncesionet, ose siç i quan kryeministri ynë PPP. Ndaj për ta bërë më efektive Lotarinë Tuaj, ju rekomandojmë që ta aplikoni edhe ju. Së shpejti ministri Ahmetaj do Ju nisë një projekt-ligj të cilin mund ta shqyrtoni dhe nëse e pëlqeni, Ju lidhim me Nikolin e Dhomën e Tregëtisë së Tiranës, i cili ka eksperiencë në dokumentacion.
Duke Ju falenderuar paraprakisht për vemendjen, mbetem në dispozicionin Tuaj për çdo sqarim./dritare.net