Kërcënimi i kaosit dhe mungesa e një autoriteti moral

Nga Dritan Hila

Para tre ditësh isha me një mikun tim italian i cili është duke investuar në Libofshë në një kompleks stallash për të prodhuar mozarelën dhe bufalën. Qeshte me faktin se miqtë e tij kishin parë demonstratën e 16 shkurtit tek kryeministria dhe e këshillonin të kthehej sepse ngjante si prag revolucioni.

Ju kishte shpjeguar se ai ishte në Tiranë dhe realiteti qytetit nuk kishte lidhje me atë që po shikonin ata. Por me siguri asnjë nga miqtë e tij që e telefononin nga Italia, nëse do kishte prerë biletën e avionit për të ardhur me investime në Shqipëri, do të merrte udhën.

Sot isha me një mik tjetër, sipërmarës nga më të mëdhenjtë dhe seriozët e vendit. Më tregonte se ishte në kulmin e bisedimeve për të sjellë një nga firmat më të mëdha hoteliere të nivelit të mesëm por e kishin lajmëruar se i ndërprisnin bisedimet për një afat të pacaktuar.

Sa më sipër nuk janë aspak një diversion për të anatemuar protestën e opozitës. Pamje si ato përpara kryeministrisë në 16 shkurt dhe përpara parlamentit sot, ngjajnë si lodra fëmijësh krahasuar me përleshjet e përditëshme për katër vjet rresht në Sintagma të Athinës.

Por Shqipëria ka dy handikape të mëdha të cilat e çojnë imazhin e saj në sytë e të huajve si prag kaosi. I pari është fakti se si asnjë vend Evropian, në vitin 1997 ne precipituam në kaos dhe u desh një operacion ndërkombëtar i miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, për të frenuar dizintegrimin e vendit.

Fakti i dytë që e rëndon këtë perceptim është prania në skenë e të njejtëve aktorë që shkaktuan atë destabilizim, çka e bën për çdo mëndje normale si të mundshme ripërsëritjen.

Dhe një faktor i tretë që e bën këtë vend jo të besueshëm, është mungesa e një lidershipi shpirtëror të kombit, lidership të cilin klasa politike nuk e ka lënë të krijohet me qëllim. Kështu, nëse Ismail Kadareja do të ndërhynte për të dhënë mesazhe qetësie, ai do anatemohej nga opozita, dhe nëse do ti bënte thirrje qeverisë që të shkonte në zgjedhje, do të ishte ajo që do ta linçonte.

LEXO DHE :  Foto/ Kate Middleton e mahnitshme në festën mbretërore

Politikani i cili i kishte të gjitha mundësitë që të bëhej një lider shpirtëror i kombit dhe të fliste vetëm për m omentet kruciale të vendit, është Sali Berisha. Por ai jo vetëm që nuk u tërhoq në poltronën e patriarkut pas humbjes së zgjedhjeve të 2013-ës, por është prezent çdo ditë herë me fjalime dhe herë me denoncuesin dixhital. Nuk mungon as në manifestime.

Dritëro Agolli, një figurë e pranuar nga të dy krahët, nuk është më. Ndërsa të tjerë figura intelektuale me peshë, kanë kohë që kanë frikë të flasin pasi bullizmi i pseudointelektualëve apo halabakëve institucionalë, i ka neveritur. Këto fundërrina nuk mjaftohen me të gjallët por kanë filluar iu tundin eshtrat dhe të vdekurve.

Dhe ja ku jemi që këtu askush nuk ka mundësi të bëjë rolin e arbitrit apo të japi imazhin edhe në botë se ky vend e ka një sens vetëpërmbajtjeje dhe elita të përgjegjshme.

A do kemi një ’97 tjetër? E vështirë në sensin e ngjashmërisë, por nëse nuk do të ketë maturi në trajtimin e saj nga politika, do të kemi një bombë ekonomike e cila nuk do lerë njeri pa prekur. Dhe nëse njerëzit do marrin arratinë nga frika e armëve apo mungesa e bukës, pak rëndësi ka. Ato që do këndojnë do të jenë veç korbat/dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.