Kë harroi Hashim Thaçi të dekoronte për luftën?

Nga Isa Myzyraj

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, ka dekoruar të premten 45 shqiptarë për kontributin e dhënë për Pavarësinë e Kosovës, me urdhrin e lartë “Urdhri i Pavarësisë”.

Në këtë listë fatkeqësisht gjendet vetëm 1 person nga Hasi, dhe 44 të tjerë janë kryesisht politikanë, që disa as nuk dihet çfarë kontributi kanë dhënë konkretisht, por gjithsesi nuk dua të merrem me to.

Hasi është një krahinë në veri të Shqipërisë, në kufi me Gjakovën, dhe zona më e prekur në Shqipëri nga lufta.

Jam i tronditur, se si Hasi është harruar nga udhëheqësit e Kosovës, sepse kontributi i hasjanëve gjatë luftës ka qenë i jashtëzakonshëm, madje edhe më shumë sesa i Kukësit, që përmendet ndonjëherë dhe lavdërohet.

Dobruna, Vlahna, Cahani, Pogaj dhe Letaj, janë pesë fshatra që gjenden në kufi me Gjakovën, që shumica nuk i kanë dëgjuar ndonjëherë, por Hashim Thaçi i njeh mjaft mirë, edhe pse nuk i përmend kurrë.

Në Letaj dhe në Dobrunë, kanë kaluar nga Gjakova dhe nga Godeni, fshat kufitar në Kosovë, me mijëra refugjatë të Kosovës, që ranë pre e agresionit serb, përkatësisht në pikat kufitare Qafë Prush dhe Qafë e Dobrunës, ndërsa në Vlahnë ka rëndë dëshmor Luan Haradainaj, vëllai i kryeministrit Ramush Haradinaj, dhe Vlahjanët e kanë varrosur në tokat e tyre derisa trupi i tij është prehur në varrezat e dëshmorëve në Kosovë.

Hashim Thaçi e njeh mjaft mirë Vlahnën sepse e ka shkelur atë fshat me qindra herë, por sot nuk e përmend kurrë. Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj,e njohin mjaft mirë fshatin Nikoliq, fshat mes Vlahnes dhe Dobrunës, sepse Hashim Thaçi ka kaluar netë të tëra aty, madje ka pasur edhe një shtëpi ku ndodheshin armët e UÇK, dhe Thaçi e vizitonte shpesh.

Hashim   Thaçi e njeh shumë mirë Dobrunën, sepse kanë rënë dëshmorë në  atë fshat për Kosovën, por nuk e kanë përmendur kurrë.

Unë isha 6 vjeç kur NATO Bombardoi Serbinë, dhe edhe pse i vogël e mbaj mend mirë natën që filluan bombardimet.

Vetëm 2 kilometra larg shtëpisë sime ndodhej një bazë e ushtrisë serbe, dhe avionët e NATO-s që kalonin farë pranë shtëpisë sonë dukej  sikur hidhnin flakë. Nuk e dinim çfarë po ndodhte, u bashkuam e gjithë lagjja, dhe vendosëm të iknim natën, bashkë me ne i gjithë fshati Dobrunë. Ecëm këmbë në mes të natës, sepse nuk mund të na shihnin ushtarët serb që “bashëjetonin” me ne. Nuk kishim makina, por ecëm nëpër mal, deri në fshatin më të afërt, Në Nikoliq, që ishte rreth 10 kilometra larg.

Dobruna, ka kaluar fiks të njëjtën gjë që kanë kaluar Kosovarët, përveç përdhunimit. Dobrunasit janë vrarë në luftë, kanë lënë dëshmorë, ka dhjetëra veteran dhe jo veteran me librezë për të marrë një pension por që kanë histori lufte, e histori tmerri, luftëtarë me emblemën e UÇK-së në krah, që kanë derdhur gjak për Kosovën.

LEXO DHE :  Ministri italian: Do të bëjmë vlerësim të dëmeve të tërmetit për konferencën e donatorëve

Asgjë nuk ishte lufta, çfarë erdhi pas saj. Dhjetëra të rinj nga ky fshat, u gjymtuan, pasi ushtria serbe, kishte minuar çdo pëllëmbë të fshatit shqiptar, tashmë të harruar nga të gjithë, edhe oborret tona ishin të pasigurta. Çdo familje në Dobrunë, ka nga një të gjymtuar brenda, sepse minat nuk diheshin se ku janë vendosur, ato vetëm vrisnin, dhe ky terror vazhdoj për vite me radhë, derisa rreth viteve 2009 nisi çminimi i zonave kufitare. Ferri i vërtetë vetëm pas 10 vitesh mori fund, por sot e asaj ditë bijt e dobrunës kanë plagët në këmbët e duart e tyre, plagë që janë dëshmi e gjallë e terrorit serb, plagë të pashërueshme. Shkoni dhe shikoni, i keni aty, të harruar.

 

Edhe pse isha vetëm 6-vjeç në kohën e luftës, unë sot ndihem i ofenduar nga neglizhenca për Hasjanët nga institucionet e Kosovës. Ndihem i ofenduar, sepse e mbaj mend si sot, që hasjanët derdhën lot me 17 shkurt 2008, ditën kur Kosova u shpall e pavarur. Derdhën lot, dhe u vunë në rrjesht mijëra makina për të shkelur me 17 shkurt, tokën e Kosovës së lirë, tokën që ata kishin luftuar për të qenë e lirë, por shpejt u harruan, e sot dekoratat jepen në Tiranë.

Unë nuk e di a do të ketë kush guxim ta shkruaj historinë e vërtetë të asaj lufte, dhe të përmend kontributorët e vërtetë të lirisë së Kosovës, ata kontributor jo me kravatë, por ato fshatarët e hasit, që dhanë jetën e tyre për Kosovë, ata që sot nuk kanë rrugë për të shkuar në shtëpitë e tyre, ata që sot shkojnë në Kosovë për çdo festë, sepse ne jemi të lidhur vëllazërisht me Kosovën në çdo aspekt.

Nëse dikush nuk do të mund të flasë, do të jem vetëm unë që do u them nipërve të mi hasjanë të Kosovës, kur të rriten, se si dajtë e tyre kontribuan për kosovën. Unë do t’i tregoj nipit tim Kosovar, shtëpinë ku serbët vunë mina, do t’i tregoj atij kur të rritet, bazën e ushtrisë serbe në fshatin tim që akoma qëndron në këmbë. Unë do t’i tregoj atij, se çfarë ndodhi në fshatin e nënës së tij, kur ajo ishte vajzë, unë do t’i tregoj atij histori lufte, edhe kur Thaçi të mos jetë më./ Dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.