Ju tregoj udhëtimin në Vjenë!

Nga Fjorda Llukmani

Si të jesh vjeneze kudo që jeton…? M’u kujtua titulli i librit të famshëm. Rubrika ime ‘Fjorda di një vend’ ndryshon vendndodhjen.

Jam shpërngulur për 7 muajt në vazhdim në kryeqytetin e Austrisë. Nuk është hera ime e parë që e vizitoj, pasi kam shkruar dhe në dritare.net për vizitën e fundit në festat e Krishtlindjeve. Por është hera e parë që marr riskun e të jetuarit në një vend komplet të ri për mua.

Do të pyesni ju si përfundova këtu? Ju e dini sa shumë e dua vendin tim, e s’do e lija po mos të ishte për arsye madhore si shkollimi, eksperienca pune etj. Para një viti aplikova në Agjencinë e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore të Njeriut, për një eksperiencë të shkurtër si praktikante.

Kur më kthyen përgjigje pozitive para 3 javësh, ngriva… Le që e kisha harruar fare një herë, por edhe u habita se, si më zgjodhën pikërisht mua. I thashë vetes: Siç duket ke bërë ca gjëra të mira në jetë, që u ke bërë përshtypje dhe të huajve. Më kërkuan të isha e pranishme në punë për dy javë, e s’kisha kohë shumë për t’u bërë gati.

Sfida e parë me të cilën u përballa ishte gjetja e shtëpisë. Hapa disa website në internet dhe kuptova që s’mund të kërkoj qiqra në hell. Një apartament kushton minimum 1200 euro me qira. Kështu ula kokën e fillova të shoh për apartamente që ke dhomën tënde, por ambientet e përbashkëta i ndan me njerëz të tjerë.

Shyqyr Zotit u bë sebep një shoqja ime shqiptare, që gjeta diçka midis 450 euro me drita, ujë dhe ngrohje të përfshirë dhe në zonë shumë afër qendrës. Bashkia e Vjenës është 10 min larg shtëpisë time. Ndihem sikur jetoj te Blloku.

Takimi me shokët e dhomës do të ishte vendimtar për mua. Më ka ndodhur ta ndaj shtëpinë dhe me njerëz të tjerë, por kurrë me të panjohur. Më qëlluan njerëz të lezetshëm. Njëri prej tyre studion për kanto dhe është tenor, nga Kroacia. E pyeta nëse e njeh Saimir Pirgun dhe Inva Mulën e më ktheu një POO të madhe. Sa m’u bë qejfi! ‘Sigurisht që i njoh.’-më tha ai. ‘Sidomos Saimiri është një nga të preferuarit e mi.’

Shoku tjetër është nga Afganistani dhe ka ardhur në Austri duke kërkuar azil politik. Ka qëndruar nëpër kampe prej vitesh, derisa gjeti një punë si kuzhinier në hotel. Njeri hallexhi, por me zemër të madhe.  Ai gatuan shpesh për ne dhe përpiqet të praktikojë anglishten me mua. Këtë fundjavë është maratona e Vjenës dhe shoku im qenka edhe vrapues. Madje vjet ka dalë ndër 50 më të mirët. Sa njerëz të ndryshëm që ka në botë!

LEXO DHE :  Toka është e sheshtë/ Komentuesi habit me mesazhin e tij në statusin e Ramës

Moti pastaj tjetër muhabet. Më është tharë lëkura e fytyrës nga i ftohti, megjithëse 3 ditët e  fundit koha ka qenë me diell. Vjena qenka një ndër qytetet më të qeta që kam vizituar. Po si nuk dëgjon një bori makine? Si nuk dëgjon një njeri të flasë me zë të lartë në telefon? Për aksidente e gjëra të tjera s’ka shans! Me shaka miqtë e mi shqiptarë më thanë ‘Këtu ku ta gjesh të të shtypë makina se, siguron jetën me gjithë ato para që do të marrësh dëmshpërblim.’

Sa ndryshe me Tiranën time, që është e zhurmshme dhe kaotike ndonjëherë. Të dielave në Vjenë nuk punon asnjëri. Edhe supermarketet mbyllen. Janë vetëm dy në periferi të qytetit që qëndrojnë hapur në raste emergjente. Gjatë javës dyqanet e marketet mbyllen në orën 8, të shtunën në 6. Nëse do të mbarosh gjoja ndonjë punë të dielën, harroje atë muhabet. Sistemi të forcon që ti të dielën të jesh totalisht pushim, e mos ta vrasësh mendjen për asgjë tjetër.

Vjenezët lëvizin shumë me biçikletë. S’po them për vjenezët dem baba dem, por përfshirë të gjithë ata që jetojnë. Gjatë 10 ditëve të qëndrimit, kam takuar gjithsej vetëm 1 austriake. Ka nacionalitete të ndryshme, e nuk ndihesh kurrë sikur je vetëm. Të shtunën më ndodhi një histori alla Tirone.

Po kthehesha për shtëpi pasi piva një birrë me disa miqtë e mi shqiptarë. Transporti publik është 24 orë i hapur fundjavave dhe është shuuuumë e sigurt të lëvizësh vetëm edhe nëse je femër. S’të ngacmon njeri edhe sikur të kesh veshur minifund apo veshje provokative. Duke ecur për te stacioni dëgjoj një zë mashkulli që thotë: ‘O me rob shpie!’ Më kapi e qeshura.

U afrohem dhe u them: ‘O çuna ju dëgjova që ishit shqiptarë, s’mund të rrija pa ju fol.’ Ata filluan të 3 duke qeshur. Jo nga je, jo me çfarë merresh e si qysh tek, pyetje tipike që bëjmë ne. Kur me njërin prej tyre në muhabet e sipër, dalim të njohur. Mamaja e tij punonte në televizion prej vitesh e përveç kësaj ishte shok i një shokut tim. M’u duk vetja fiks sikur isha në Tiranë, ku del e njohur ose fis me shumicën e njerëzve.

Në Vjenë ka aq shumë kulturë sa s’e keni idenë! Pallate, kopshte, kisha, muze të pafund. Mos të përmend aktivitetet që organizon bashkia. Në muajt në vazhdim, meqë do të jem këtu, do t’ju shkruaj e tregoj për çfarëdo të më kapë syri që s’na e kap nga anët tona./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.