Ja shkrimi për të cilin TV Klan sulmoi gazetaren Monika Stafa!

Tv Klan ka transmetuar sot një kronikë kundër Kryetares së Këshillit të Ankesave të Autoritetit të Mediave Audiovizuale, Monika Stafës. Sipas këtij televizioni, në komentin e publikuar sot në “Gazetën Shqiptare” Monika Stafa i sulmonte për publikimin e dokumentit ku tregohej se ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, ishte proceduar për fshehje të pasurisë. Servile dhe ‘analiste’ e quan Tv Klan drejtoreshën e AMA-s, ndërsa paralajmëron padi për shpifje, fyerje dhe dëmtim të imazhit. Në fund , Tv Klan ka mendim se ky shkrim i Monika Stafës, është bërë edhe për shkak se ajo nuk arriti të punësohej në atë televizion, pas largimit nga Top Channel.

Ja shkrimi për të cilin TV Klan e  sulmoi:

Gruaja kroate, Romana

 Megjithëse u përcaktua si kroatja e fortë e që përkuli të paprekshmit në terrenin politik shqiptar, nuk do të mendohej kurrë se edhe pas një suksesi në kalimin e ligjit të ri për reformën në drejtësi, Romana Vlahutin, ambasadorja e BE-së në Tiranë, do të vihej egërsisht nën sulmin e përditshëm të medias së palirë shqiptare.

Gazetarja kroate që njeh mirë çështjet e Ballkanit dhe eksperte e Gjykatës së Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë, një europeiste par excellence mbi çështjet e integrimit, do ta shihte Shqipërinë si një fqinj të cilin duhej ta ndihmonte në rrugën jo fort të lehtë të Europës, për të ecur para së bashku. Sigurisht jo për shkak të ndonjë trilli çorbe a ndonjë vije uji apo rrymë ajri. Do të ishte edhe më e thjeshtë.

Që të gjithë ne jemi krijuar të barabartë dhe jemi bekuar me të drejta të patjetërsueshme, midis tyre, ajo për jetën dhe lirinë. Kush i mbron këto të drejta? Përgjigjja është: sundimi i ligjit, administruar nga një gjyqësor i pavarur, i kualifikuar nga një sistem i drejtë dhe i balancuar gjykatash, por dhe nga procedura transparente për administrimin e drejtësisë në mënyrë të barabartë për cilindo.

Shqiptimi i këtyre shprehjeve prej vitesh nga ambasadorë të huaj në Tiranë, të gjithë prej Perëndimit, si cilësi qenësore e qytetarit, u kthyen në një refren të kobshëm për kastën e korruptuar të politikanëve shqiptarë në Tiranë sa herë kryesitë e legatave të huaja ndërroheshin.

Kjo “turmë” gjuetie perëndimorësh kaq bashkë në një çështje të vetme si “drejtësia shqiptare”, nuk ishte parë ndonjëherë në Shqipëri. Pas ekspertizash e sondazhesh të vazhdueshme prej tyre, vendi i vogël ballkanik, me një popullsi të marrosur pas John Lennon dhe bulevardeve të Perëndimit, ishte cilësuar si një nga vendet ku korrupsioni ish ngritur në sistem në të gjithë piramidën e qeverisjes dhe qeveritë që ndërroheshin, vetëm sa përbënin zgjatimin e tij.

Pas ca, u pa se kishte ardhur koha që Perëndimi ta fuste në axhendën e vet, Shqipërinë e vogël. Ndaj jo pa qëllim, ambasadorja kroate Vlahutin si jo pak të tillë, në sërën e saj do të evokonte në çdo dalje publike disa vlera mbi të drejtën, duke kujtuar madje realitete që e paraqisnin atë më shumë në përmasën njerëzore se në atë diplomatike.

Në një takim me të rinjtë shqiptarë në Ditën e Europës pas një shpërthimi emocional të një studenteje e cila tërboi rrjetin atë kohë me deklamimet e saj, ajo iu drejtua atyre duke vendosur veten në pozitat e tyre: “…unë e kujtoj luftën kundër korrupsionit në vendin tim. Ishte një moment që të gjithë mendonim se nuk do të ndryshonte kurrë. Por çdo gjë ndryshoi brenda 24 orësh.

Një ditë disa njerëz u vunë para drejtësisë dhe gjërat ndryshuan. Nëse nuk kërkoni, nëse nuk e thoni atë që mendoni qartë dhe me zë të lartë, do të jetë e vështirë. Nuk mund ta bëjmë ne. Ne mund të diskutojmë, të punojmë apo dhe të flasim, por mos harroni, ky është vendi juaj. Unë mund të kujdesem shumë për të, por nuk mund të kujdesem aq shumë sa ju mund ta bëni”. Po përse kroatja e mirë u pa të dukej aq e dhënë miqësisht mes shqiptarëve? Gatimet e vendasve, çorba e tyre apo deti Jon? Naive krejt, ta mendosh. Flirtimet mes miqsh politikanë apo vera e ëmbël e rrushit tonë të zi?

Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli që kur bota ndryshoi dhe brenda saj nuk ka më dy Europë. Që atëherë lindi dhe shpresa shqiptare për të rigjetur fatin e vet në atë bashkësi që i kishte takuar prej fillimeve. Nga ajo kohë ky vullnet ka mbetur në një shkallë të madhe thjesht deklarativ. Sepse vullneti nga realiteti janë si dëshira nga e vërteta.

“Rubicon-i” shqiptar në rrugën drejt BE-së ka pasur disa përkufizime në kohë të ndryshme: ndryshimi i sistemit politik, ndarja me të shkuarën, fundi i tranzicionit, rivendosja e autoritetit të votës, besueshmëria e institucioneve politike, standardet e mirëqeverisjes dhe shteti i së drejtës. Askush nga këto përcaktime të marra së bashku nuk e kushtëzojnë njëra-tjetrën aq sa vetëm njëri prej tyre, e ndoshta më pak i njohur në gjuhën e politikës shqiptare: mendimi i fqinjit. Dhe Romana Vlahutin si një europiane e thekur në bindje, e zgjedhur pikërisht për këtë gjë prej Mogherini-t, më shumë sesa si ambasadore e BE-së ka folur me shqiptarët vazhdimisht si një fqinje e mirë.

LEXO DHE :  Foto/ Disa ide si ta mobiloni shtëpinë, në mënyrë moderne!

Nuk është këtu rasti për të portretizuar ambasadoren Vlahutin, as për të thënë një fjalë mirësie në këtë çast sulmi mediatik alla shqiptar. Për çdokënd që lexon shtypin dhe mediat i njeh mirë, Romana nuk është gruaja e vetme që vihet nën syrin e “vrimës së çelësit”. Ky është një refren i njohur provincializmi mes nesh. Nisma e saj për të ndarë kumtet e një vetëdijeje shqiptare përmes zëdhënësve të opinionit publik, siç janë gazetarët e studiove televizive, meqë vetë e di shumë mirë se çfarë mban ky profesion, të kujton vendosmërinë e një sportisti të paepur, që e ka marrë vendimin që kur ka nisur garën, ta mbyllë doemos atë ashtu si e nisi.

Mediat elektronike, portalet online dhe shtypi i shkruar shqiptar, duke i fragmentarizuar deklaratat politike të institucioneve europiane ndaj Shqipërisë sipas shijeve të zotlinjve të politikës shqiptare; duke mbitheksuar një nyjë të gruas kroate e duke errësuar qëllimisht një nyjë tjetër, në fakt janë bërë palë me entourage-in politik të vendit sot, që do të thotë se janë bërë palë me përgjegjësit e situatës. Por harrojnë se Romana shkon përtej BE-së. Sepse në fund të fundit ajo mbetet një fqinje e mirë e jona.

Një shumicë zhvillimesh gjeopolitike rajonale dhe politike të brendshme në Ballkan kanë luajtur rol frenues në procesin e europeizmit në Shqipëri pikërisht sepse kushti i pashqiptuar i certifikimit prej fqinjit dhe i zhytjes së kufijve nën dhe, nuk ka ecur në ritmin e duhur. Dhe kjo ka shkaktuar që të mos ketë një Ballkan por dy njëkohësisht.

Në punën e saj si eksperte europeiste, kush e ka lexuar sadopak kroaten që pëlqejnë ta thërrasin me qesëndi ‘kokëkuqja e deteve’, e kupton vullnetin e mirë të saj teksa mbështet shqiptarët në ëndrrën e tyre “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Duke shërbyer edhe si një think-tanker e pasionuar pas çështjeve të integrimit aty rreth viteve 2012, si e dërguara e presidentit të Kroacisë për Europën juglindore, në një raport të Qendrës së Politikave Europiane me qendër në Bruksel, ajo kish nënvizuar me të madhe se prej anëtarësimit të Kroacisë në BE pritet të përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit.

Kroacia nuk do të jetë dhe nuk mund të jetë kufiri i madh i Ballkanit të jugu, derisa të mbërrihet në BE. “Ndaj, – thotë ajo, – neve na del si detyrë të punojmë fort për zgjerimin e Europës edhe me vende të tjera të Ballkanit. E dimë që nuk është e lehtë për aq kohë sa para shqetësimeve të thella mbi identitetin dhe standardet ligjore të shtetit të së drejtës, politikanët ballkanas vendosin interesat e tyre dhe jo nevojat e popullit”.

Romana Vlahutin, ishte cituar të ketë thënë se anëtarësimi në BE është një projekt i rëndësishëm pushteti në rajon dhe aspak një projekt individual shtetesh. “Do të përkrahim çdo popull që e ka ëndërr atë”, kish deklaruar ajo. Por Ballkani duhet të përcaktojë dhe të punojë drejt interesave të tij të përbashkëta duke u kujdesur më shumë për veten.

Pikërisht ky konstatim, që Ballkanet vazhdojnë të jenë me dy pjesë, me dy shpejtësi, pa mendësinë që tani e tutje fqinj nuk do të jetë më vendi që bën pjesë në BE, por vija më periferike e kësaj të fundit, përbën një subjekt meditimi të thellë për fatet e vendeve të rajonit dhe për rrugën e mbetur drejt integrimit europian.

Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës ambasadores Romana Vlahutin e cila në çdo dalje publike ua kujton këtë të vërtetë shumë të thjeshtë, e cila ka edhe një kuptim tjetër thelbësor: nuk është Europa që po ju mban larg, jeni ju që nuk dini të çmoni të mirën tuaj dhe standardet e europeizimit i trajtoni si kushte, sikur të ishte fjala për një armëpushim apo për një rend të ri. Ndaj Tirana duhet të dijë se ku të ndahet e ku të bashkohet me të vetët, në mënyrë që ta fitojë Europën dhe të ardhmen europiane./Gruaja kroate, Romana 

NGA MONIKA SHOSHORI STAFA, GazetaShqiptare

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.