Ja pse nuk duhet ta lëshojmë Mitrovicën

Nga Dritan Hila

Diskutimi për Mitrovicën dhe rrethinat e saj si mundësi për shkëmbim teritoresh që ka përfshirë hapësirën shqiptare, ngjan se ka brenda shumë pasion dhe pak racionalitet.
Ne nuk mund ta japim Mitrovicën për shumë arsye, politike dhe ekonomike. Le t’i rendisim;
1. Për herë të parë shqiptarët kanë në zotërim një territor që as Gjermania hitleriane nuk ua dha, kur krijoi Shqipërinë e Madhe, pasi ishte territor i kontestuar. Arsyeja që Tito ia kaloi krahinës autonome mund të jenë nga më të ndryshmet, por është një krahinë që e ka bërë Kosovën një njësi funksionale.
2. Në përgjithësi, kur duan të marrin një territor kufitar, fuqia pretendente krijon mitet e përkatësisë, pastaj rrit numrin e minoritetit të saj, krijon kushtet që të bëhet e paqeverisshme nga qendra, nëpërmjet irredentizmit të armatosur ose trazirave civile, derisa të marrë statusin e autonomisë dhe pastaj të procedojë drejt bashkimit. Është kjo që po bën Serbia.
3. Kjo shkon krahas paaftësisë së klasës politike të shtetit që i takon territori që të jetë funksional, autoritar dhe agresiv në diplomaci. Pikërisht ajo që nuk është Kosova.
4. Aktualisht Kosova është në favor, pasi ende Mitrovica është brenda kufijve të saj. Por ngjan se luan në mbrojtje. Ky është një pozicion që duhet të ndryshojë sa më shpejt, përndryshe ndërkombëtarët do të lodhen nga sjellja e saj.
5. Në planin ekonomik krahina e Mitrovicës është shumë e rëndësishme, pasi aty ndodhet miniera e Trepçës. Si një ndër burimet më të pasura të rajonit, ajo do të shërbejë në të ardhmen si suport i industrive që do të lindin në Kosovë. Duke ditur se tashmë në botë është në zhvillim e sipër beteja për zotërimin e burimeve natyrore, atëhere Trepçes i rritet vlera.
6. Në këtë rajon ndodhet ujëmbledhësi më i madh i rajonit, ai i Gazivodës. Përveçse si rezervuar i një hidrocentrali, ai është edhe burimi kryesor nga furnizohet me ujë të pishëm Prishtina dhe një pjesë e mirë e bujqësisë së Fushë -Kosovës. Betejat pas vitit 2035 në botë do të zhvillohen për burimet hidrike dhe jo për hidrokarburet. Kjo është një arsye më shumë pse nuk duhet lëshuar Mitrovica. Pa Trepçën dhe Gazivodën, Kosova është vërtet vetëm një fushë mëllenjash që do prodhojë grurë e perime vetëm kur të bjerë shi.
7. Që të shkëmbehet Mitrovica me Preshevën, nuk ka gjasa të ndodhë, sepse klasa politike kosovare dhe ajo shqiptare po humbin ato që kanë, pra janë të paafta dhe të korruptuara të mund të negociojnë një shkëmbim të tillë i cili është gjithsesi me humbje. Por nuk mund të ndërrohet Mitrovica e cila është më e madhe në sipërfaqe sesa Serbia Jugore, e cila për më tepër nuk ka vlerë ekonomike apo resurs mineral. E vetmja gjë që mund të bëhet ne vendbanimet shqiptare të Serbisë së Jugut është të hypësh në kodër dhe të sodisësh makinat që kalojnë në korridorin e 10-të, atë Selanik-Beograd, por pa mundur t’i marrësh as taksën e autostradës.
8. Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishmja, nuk duhet të biem në pesimizëm dhe tërheqje. Nëse ne dhe Kosova nuk kemi ushtri, erdhe Serbia nuk është më ajo e dikurshmja. Por në politikë ka rëndësi retorika. Dhe nuk ka asgjë të keqe t’i kujtohet Serbisë, se nëse do tentojë të aneksojë Mitrovicën, kjo do të thotë luftë nga e cila ajo mund të fitojë vetëm një betejë, por nuk i dihet fundi.
Ajo që kuptohet tashmë është se në këto kohë të turbullta Serbia po luan që ta marrë Mitrovicën. Ne duhet thjesht të kujtohemi dhe t’i bëjmë me dije palës tjetër sesa shumë vlen ajo për ne dhe se jemi gati të paguajmë çdo çmim që mos ta lëshojmë. Çmim të cilin Serbia nuk është në gjendje ta paguajë nga ana e saj./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.