ISUV ndërron drejtorin, pa zgjidhur problemin!
Dritare.net
Për shkak të denoncimeve të bëra publike ditët e fundit nga media posaçërisht, lidhur me evidentimin e fakteve të rënda për përdorimin e dozave të palejueshme të hormoneve në produktet bujqësore e ushqimore (nga një kastë fermerësh kryesisht), qeveria ka vendosur sëfundmi shkarkimin e drejtorit të ISUV-së, duke e zëvendësuar këtë të fundit me një tjetër figurë.
Zëvendësimi i titullarit, në fakt, pa zgjidhur problemin, nuk i volit askujt.
Secili prej nesh pret ngaherë të ndryshojë mendësia e drejtimit posaçërisht, shtimi i masave të kontrollit e përgjegjësisë, duke u bërë i mundur dhe ashpërsimi i dispozitave në kodin penal për fermerët por dhe përfaqësuesit e AKU-së, në rastet e konstatimit të shkeljeve a shpërdorimit të detyrës.
Askush nuk konstatoi as në këtë rast që aksh titullar të mbante përgjegjësi, për shkeljet e kryera në radhë përgjatë gjithë këtyre viteve.
Askush nuk u dërgua para drejtësisë gjithashtu e as në këtë rast nuk u evidentua përgjegjësia penale për secilin nga përgjegjësit e këtij krimi, kryer përmes mosveprimeve kryesisht.
Të tjerë syresh, me plot të drejtë, kanë pritur një ndjesë publike nga titullarët e këtyre institucioneve për gjithçka ka ndodhur këtu, por e gjitha kjo nuk është një normë sjellje, për titullarët, posaçërisht.
Gjithçka ndodhi pikë për pikë njësoj.
U zëvendësua emri i drejtuesit, por nuk u zgjidh problemi kurrsesi./dritare.net