Imzot Massafra: Zoti na shpëtoftë nga etja për pushtet, që sjell hakmarrje dhe vrasje!

Në vigjilje të Pashkëve Katolike një mesazh ka dhënë edhe arqipshkëv, Angelo Massafra. Massafra ka uruar Pashkët Katolike, ndërkohë që ka lëshuar një thirrje për katoliket, ortodoksët, e të krishterët.

“Për urimet e mia për Pashkën 2019 këtë vit kam zgjedhur rreshtin e Ungjillit të Gjonit ku përshkruhet përvoja e të Ngjallurit, që bën Maria Magdalenë, figura e Kishës që është në kërkim të Zotit të vet. Për fenë tonë varri i zbrazur është një shenjë e Ngjalljes: ashtu si Gjoni apostull, edhe ne, që në ditët e Mundimeve e kemi ndjekur Jezusin, i kemi rijetuar ngjarjet e Kryqëzimit dhe të Vdekjes së tij, të drejtuar prej dashurisë, na mjafton të dimë se varri ku e kishin vënë tani është bosh. Por kjo nuk mjafton, që fesë sonë t’i bashkohet edhe përmasa e gëzimit të brendshëm dhe të jashtëm. Nevojitet një “më shumë”, që është takimi dhe përqafimi me Zotin e kryqëzuar dhe të ngjallur. Edhe ne, besimtarët e Kishës në Shkodër-Pult, jemi duke kërkuar të Dashurin, shkojmë duke përsëritur emrin e tij, duke ua thënë edhe të tjerëve, që ta kërkojnë së bashku me ne dhe, pasi ta gjejnë, të gëzojnë edhe ata.

Por këtë takim ne krishterë e bëjmë çdo ditë: ashtu si Marisë, edhe neve i Ngjalluri na e drejton Fjalën e Vet; madje na thërret në emër, duke na zbuluar në këtë mënyrë se sa shumë ai na njeh dhe na do, sepse njohja dhe dashuria shkojnë së bashku; edhe ne e thërrasim në emër, duke bërë që ky emër të tingëllojë në asambletë tona, sepse emrin i tij është “emri që është mbi çdo emër” (Fil 2, 9). Dhe çdo ditë ai, i Ngjalluri, na jepet neve në formën e bukës dhe të verës eukaristike, sepse dashuria e tij për ne nuk është vetëm “me fjalë”, por konkrete: nuk mjaftohet që të na bëjë “ta ndiejmë” Fjalën e Tij, por dëshiron edhe që të jetojë me ne një bashkim të thellë, që ne e quajmë “bashkësi”. Dhe, si të mos mjaftonte, na mbush me Shpirtin e Vet që gjallëron të gjitha veprimet tona. Këtë gjë bëjmë ne si Kishë çdo ditë! Ka vetëm një problem: sa kjo e vepruar kishtare është edhe e vepruar e çdo besimtari? Duhet ta bëjmë këtë pyetje, të dashur vëllezër e motra! Kjo pyetje është thelbësore për jetën tonë të fesë. Pasi, nëse nuk është kështu, përvoja jonë e të Ngjallurit nuk do të ishte e plotë.

Marisë Magdalenë i jepet edhe një detyrë e rëndësishme: t’ua kumtojë të Ngjallurin vëllezërve të vet dhe motrave të veta; po edhe neve Jezusi na jep detyrën për të shpallur i Gjall. Të dashur, mos u lodhim në të qenurit tonë misionarë të Ngjallurit, le të themi dhe ia tregojmë të tjerëve fuqinë e emrit të tij që shëron, fal e shpëton. Vëllezër dhe motra, është e vërtetë, jetojmë një moment të vështirë, të gjithë e ndiejnë vështirësinë për të jetuar që, ndonjëherë, i ngjan një lufte për mbijetesë. Le të mos skurajohemi: të shikojmë gjithçka që kemi bërë në këto vite,të vlerësojmë ecjen që kemi bërë deri tani me shumë sakrifica. Secili prej nesh, sot, të bëjë pjesën e vet…e ardhmja është edhe në duart të secilit,  përveç të Zotit. Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mikpritni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje. Ai na dhëntë guximin e nevojshëm për të fituar mbi çdo formë egoizmi, forcën për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të vëmendshme ndaj nevojave të më nevojtarëve dhe na dhëntë gëzimin e brendshëm e të thellë për të qenë qytetarë aktivë, të ndershëm dhe guximshëm për rindërtimin shpirtëror, moral, kulturor dhe ekonomik të Atdheut tonë të dashur. Për shumë vjet Pashkën të gjithëve!”,– thotë Massafra./K.C/dritare.net

LEXO DHE :  IKMT: Do të prishen 33 objekte në Astir, 21 të shpronësuara

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.