Ilirjan Zhupa rikthen 50 poezitë e një kohe të largët
Dritare.net
Nga Dritare.net
Poezia nuk është një prej rrymave më të kërkuara nga lexuesit shqiptarë, kryesisht ata janë më të tërhequr nga prozat, më së shumti romanet.
Por në stendën Toena, poeti Ilirjan Zhupa ka prezantuar librin e tij të titulluar “Mos më pyet ku kam qenë”, i cili ka rezultuar një sukses i vertete.
Një titull intrigues por edhe më e veçantë është natyra e librit, i cili është botuar për herë të parë në vitin 1988, për t’u rikthyer përsëri në të njëjtën formë, pa asnjë ndryshim.
Poeti Zhupa tregon për dritare.net, përse vendosi që këtë vit të vijë me një botim të publikuar më shumë se 20 vite më parë.
“Unë nuk kam lëvizur asnjë presje nga botimi i parë në ’88, me qëllim që lexuesi të njohë atë vepër. Lexuesi i ri nuk e ka pasur librin në dorë, ai nuk e njeh. Më vonë do të jap shpejgime për të gjitha ndryshimet që kam bërë tek libri, çdo lëshim që kam qenë i detyruar të bëja, me qëllim që libri të mbijetonte e të botohej. Do të tregoj ku janë gërrvishjet, ku janë gjërat që janë modifikuar përmes ndërrimit të një fjale apo pjese, apo ku ka ndërhyrë censori dhe pse e kanë hequr.
Përshembull, në libër është një poemë “Lumi im”, te kënga e parë e poemës është pjesa e parë, e dytë dhe kalon te e katërta, pra mungon pjesa e tretë e cila është censuruar.
“Është botuar në kushtë të vështira, në një sistem tjetër politik e ideologjik, në kohën e censurës. Pasi ma sygjeruan disa miq për të botuar disa prej poezive të mia të vjetra, unë kuptova që ai është një libër që i referohet edhe një lexuesi 10 apo 20 vite më vonë. Është për një lexues që di të lexojë, pasi në çdo kohë lexohet me dëshirë dhe nga njerëzit që nuk e kanë jetuar atë kohë. Kjo sepse në thelb të librit është njeriu, përjetësia, lindja, vdekja, dashuria. Mbi të gjitha tek ky libër ka ndikuar shumë pak sistemi i kohës, pra është një thelb poetik i ambalazhuar mirë, i cili i ka shpëtuar censurës.”- është shprehur Zhupa për dritare.net
Nëpermjet librit, poeti kërkon t'i tregojë njerëzve se pavarësisht presioneve që i’u vijnë, ju përsëri mund ta mbroni veprën tuaj, pa iu shitur sistemit.
“Me këtë botim që është edhe pak provokativ, unë kam dashur t'i them njerëzve që edhe në kushtet më të këqija një krijues mund ta shpëtojë thelbin e vet, pavarësisht nga sanksionet që bën apo që është i detyruar të bëjë. Në këtë vend ne kemi sharë gjithmonë sistemin, e qeveritë, por asnjëherë nuk i kemi kthyer sytë brenda vetes dhe të shohim që mbase duhet të ndryshojmë edhe vetë. Ne sot kemi shumë shkrimtarë që bëjnë lëshime dhe kjo gjë nuk duhet të ndodhë sot , pasi nuk bëhet fjalë më për mungesë lirie por unë them që është mungesë talenti. Nuk duhet të shesësh shpirtin (që është arti) për të mbushur pak stomakun.”- shton Zhupa.
Poezia Manekinët
Rrimë në vitrinë…
Na veshin,
Na zhveshin,
Na fshijnë.
Ne presim të qetë dhe heshtim,
Se jemi manekinë.
Vrapojnë në rrugë nga shiu
Këmbë burrash,
Grash
dhe fëmijësh.
Ne s’lagemi kurrë…(Mjerë njeriu,
Që s’njeh qetësi manekinësh!)
Shikojmë andej nga na thonë,
Qëndrojmë ashtu si na vënë,
Buzëqeshim, përherë pozojmë,
Përballë,
profil,
me një këmbë.
Dhe s’nxehem kurrë, s’bërtasim,
Sikur bota të kthehet përmbys,
Mjafton të na veshin e mbathin,
Që ne të pozojmë sërish.
“Në atë kohë manekinë ishin ata që rrinin në vitrinat e pushtetit edhe nga dëshira, por edhe nga detyrimi. Ndërsa fatkeqësisht sot, janë shtuar shumë manekinët dhe nuk janë shtuar për arsye ekzistenciale apo mbijetese. Ata janë shtuar pasi kanë pësuar deformim karakterial. Tani këta manekinë i shohim kudo, jo vetëm në vitrinat e atyre që bëjnë politikën , por në të gjitha llojet e vitrinave, ku njerëzit ia bëjnë me hile atij që kanë në krahë.”
Zhupa, thotë se libri i botuar nga shtëpia botuese "Toena", është vetëm për ata të rinj, të cilët në njëfarë mnëyrë nuk e njohin sistemin komunist dhe censurën e ardhur nga ajo.
“Libri është pritur shumë mirë, për tre ditë ka pasur shumë interesim dhe është shitur shumë. Është një botim posaçërisht për të rinjtë, dua tu jap veten time e ta gjykojnë ata sa i vërtetë jam.
Kam zgjedhur botimet "Toena", sepse i kam miq të vjetër, kishin 10 vjet që më kërkonin librin dhe në momentin e parë që unë u binda për ta botuar , kontaktova ata. Jam shumë i kënaqur nga puna që kanë bërë me librin, me publicitetin dhe sa të kujdesshëm kanë qenë me kërkesat e mia.”- thotë Ilirjan Zhupa, duke e mbyllur intervisten, per t'u kthyer te autografet dhe përqafimet e lexuesve të tij të hershem dhe të sapoardhur./ dritare.net