Ilir Meta me Artan Lamen në Ishëm, japin mbi 700 leje të legalizimit
E Hënë 24 Tetor 2016, 14:02
Dritare.net
Duket se shpërndarja e lejeve të legalizimit nuk do të jetë më ekskluzivitet i Kryeministrit Rama. Kryetari i parlamentit është parë sot në Ishëm duke shpërndarë tapi, siç nuk kishte ndodhur më parë. Bashkë me kreun e Aluiznit, Artan Lame, një shpurë me deputetë e ministra, ai dha mbi 700 leje të legalizimit në Ishëm të Durrësit.
“Do të jemi në dialog të vazhdueshëm me ju për të mbështetur edhe hapat e tjerë mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e Ishmit sikurse është procesi i urbanizimit, por edhe zhvillimi i bujqësisë, i turizmit, mbrojtja mjedisit. Këto janë jetike për mirëqenien tuaj dhe njëkohësisht të kemi në konsideratë që Ishmi është një zonë me mjaft emër. Është një zonë e cila është e lidhur me një emër të madh të kulturës tonë kombëtare, por edhe ndërkombëtare si Ibrahim Kodra, por ka patur dhe mjaft personalitete të tjera. Prandaj të punojmë të gjithë me dashuri dhe me përkushtim për të ardhmen e Ishmit dhe unë besojë në bashkëpunimin tuaj në këtë drejtim”, u shpreh Meta.
Ndërsa kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se procesi do të vazhdojë me urbanizmin e zonës.
“Askush nuk mund të konkurrojë atë që u bë gjatë 3 viteve të kësaj qeverie me sa janë bërë më përpara. Tani të gjithë shqiptarët e dinë që legalizimet do bëhen dhe se kjo qeveri e mbajti fjalën. Sfida jonë në të ardhmen, sfidë që fillon dhe këtu në Ishëm, le të themi që nga dita e sotme ku mbyllet kjo pjesë është urbanizimi i këtyre zonave”, tha Lame.