Ilir Meta, ky lavjerrës i përjetshëm politik

Nga Ymer Minxhozi

Ka një shprehje që më vjen ndërmend gjithnjë e më shpesh këto kohë: Struci me kokën në rërë. E keni parasysh këtë shpend krenar dhe imponues, që nganjëherë ka naivitetin të fusë kokën në rërë, duke kujtuar se po fshihet?! Ja pikërisht kjo përshtypje më krijohet gjatë këtyre ditëve, kur shikoj justifikimet dhe qëndrimet gjoja parimore të disa personazheve publikë, sidomos juristëve, por edhe politikanëve, njerëzve të medias etj, kur është fjala për krizën aktuale me burim nga Presidenca.

Kryetari ynë i shtetit vendosi të hedhë poshtë vetveten. Vendosi të na thotë se kishte gabuar kur caktoi datën e zgjedhjeve dhe se tani duhet të presim që të gjejë një zgjidhje për gabimin e tij. Nuk është duke marrë ndonjë vendim që lidhet me fatin e tij ose të njerëzve të tij të afërt. Po vendos dhe vulos, siç bëjnë presidentët, për fatin e popullit që përfaqëson.

Dhe këtu fillojnë problemet e mia, si njeri me një farë moshe mbi shpinë. Ilir Meta nuk u tregua Presidenti i të gjithë shqiptarëve, por i partisë së tij dhe të bashkëshortes së tij. U tregua Iliri që kemi njohur në

këto 20 vjetët e fundit, qëkur nisi të ëprdorë përherë e më shpesh shprehjen “unë kam dobësi për Doktorin”. Dhe dihet se kur ke dobësi për Doktorin, fillon e i sheh gjërat në një mënyrë të caktuar. Në qoftë se do të ishte President i të gjithë shqiptarëve, Meta do të duhet ta kishte ekspozuar situatën aktuale në mënyrë reale. Dhe po të kishte vepruar kështu, do konstatonte për shembull se burimi i kësaj krize është opozita, mandatet e saj të djegura dhe qerthulli i saj i interesave. Presidenti i shtetit tonë të nderuar, garant i ligjit dhe rregullit, do të konstatonte për shembull se partitë opozitare po kërkojnë ta marrin pushtetin në tavolinë, megjithëse shprehen se e duan Shqipërinë si gjithë Evropa. Por në Europë pushteti votohet, nuk grabitet.

Presidenti ynë Meta do të kishte vënë re më tutje se dialogu, për të cilin ai thotë se po shtyn zgjedhjet, është sot i bllokuar si një makinë që ka mbetur në mes të rrugës se i ka mbaruar karburanti. Vend për bisedime dhe tryeza nuk ka, sepse Basha me Berishën kanë vënë karron para buajve. Dialog dhe zgjedhje ka vetëm pasi Edi Rama të ikë. Presidenti natyrisht që i di këto kushte, por bën sikur nuk sheh dhe nuk dëgjon. Na thotë se opozita ofroi prova se zgjedhjet do jenë të trukuara, por ai vetë na ka mësuar që akuzat duhen peshuar dhe gjykuar nga gjykatat, jo nga gazetat dhe podiumet e partive.

Zoti Meta na njofton pezullimin e krizës, por jo zgjidhjen e saj. Na komunikon se po e fik makinerinë, por nuk po na jep asnjë ide sesi do ta ndreqim atë.

Kam frikë se presidenti ynë i nderuar është duke ndërtuar një mur, duke harruar qëllimshëm shumë tulla përtokë. Po del një mur me vrima dhe dihet se mure të tillë janë të destinuar të bien. Presidenti sheh sesi partia e tij, që ka qenë në pushtet thuajse një dekadë, djeg mandatet, braktis parlamentin, rrëmben molotovin…por ama pushtetin e do. A është e ndershme kjo? Ilir Meta as që pranon ta ngrejë këtë pyetje. Të paktën jo kur na drejtohet ne shtetasve të tij.

LEXO DHE :  Dritan Shakohoxha tregon të vërtetën për largimin e Bora Zemanit dhe Ilda Bejlerit nga puna!

Kjo histori është e vjetër. Edhe për këtë arsye zoti Meta duhet të ishte sjellë disi më ndryshe. Lulzim Basha është sjellë kështu që në kohën e Çadrës, të cilën e quajti Republika e re. Atëkohë nuk linte gjë pa thënë edhe kundër Metës e Kryemadhit. I quante mafiozë që blejnë vota (sa shumë ndryshojnë njerëzit), i akuzonte se po grabisnin zgjedhësit e djathtë. Personalisht nuk kam

pasur kurrë dyshime se në zonën e hijes mes PD dhe LSI egziston një “pazar” i lëvizshëm votash që shkojnë sa andej-këtej. Zoti Basha do mblidhte shumë prova për shitblerje votash, po të hidhte një sy aty brenda.

Dy vjet më parë Rama erdhi me nje thes me dhurata në tavolinën me Bashën. I la KQZ, i dha ministra, madje dhe drejtorë burgjesh. Dikush thotë sot se ato dhurata ishin me helm. Unë them se nuk e kishin fajin dhuratat, por “fëmija” që nuk diti të luajë me to. Sepse zoti Basha ka treguar në një dekadë e gjysëm karrierë, që është i zoti të krijojë gropa, jo të ndërtojë rrugë. Braktisja e Kuvendit, ku u përdorën edhe çizmet e grave si armë, na tregon se kemi një kryetar opozite që i shkon kurdoherë rrugës së lehtë, e cila dihet se nuk është gjithmonë më e këshilluara.

Por ne kemi sot edhe një president-lavjerrës. Një figurë politike që përjetësisht ka dhënë sinjalin majtas, por timonin e ka prerë djathtas. Ai sot nuk e ka për zor të hedhë poshtë edhe disa institucione dhe personalitete të paprekshme ndërkombëtare dhe kjo tregon se lavjerrësit po i bien xhirot. Nuk e njoh veten për ndonjë proamerikan “të çartur”, por s’mund t’u thuash atyre që krijuan Kosovën-shtet “shkoni në Korenë e Veriut” pikërisht në 20 vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë!

Fjalët kanë peshë, vrasin. Presidentit tim do t’i thoja ta mbajë parasysh këtë aksiomë, sepse është i ulur në një post ku nuk ështe e lejuar të flasësh si Petrit Vasili!

Sa për ata që sot përpiqen të justifikojnë marrinë e shtyrjes së zgjedhjeve, më kujtojnë një shprehje të Nastradinit që thoshte “mos i kërkoni gjërat atje ku kanë humbur. Atje ato kanë humbur. Kërkojini gjetkë”. Thuhet se kur e pyetën Shën Pjetrin “kush janë tre shenjtorët”, ai u përgjigj: Tre shenjtorët janë dy: Shën Pjetri dhe unë! Kjo është sjellja e disa politikanëve tanë, megjithëse kur shoh kalendarin, lexoj vitin 2019!

Që t’i biem shkurt, djegia e mandateve, gjë e pandodhur kurrë më parë tek ne, solli shumë djegie me vete. Këtu nuk është llogaritur vetëm djegia e qeverisë, por edhe e hapjes së negociatave me BE, shumë investimeve të huaja e turistëve nga e gjithë bota, duke tentuar për të djegur portat e Kryeministrisë dhe Parlamentit, duke hedhur molotov dhe kapsolla kundër policisë që po mbronin pronën e përbashkët, është synuar të shkohet shumë përtej asaj që thotë Basha dhe pronari i tij. Në këto djegie është burimi i gjithë asaj që po ndodh sot./Javanews

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.