Igli Tare ambicie për drejtimin e Kuqezinjve: Dua të kontribuoj për Kombëtaren
Dritare.net
ARRITJET – Nuk e besoja që do kisha kaq emocione para një skuadre si kjo, me fëmijët. Unë jam njeri që nuk kënaqem me atë që arrij. Kërkoj stimuj të reja, edhe kur arrij diçka. Jemi në rrugën e duhur, këtë sezon fituam edhe Kupën e Italisë. Kam zgjedhur të shkoj te Lacio, se ka edhe diçka si Shqipëria, shqiponjën në logo.
JETA PERSONALE – Unë jam nga Vlora, më pëlqen të ha çdo gjë nga deti, por nuk di të gatuaj. Të vegjël, kemi thyer xhama dritaresh, dhe makinash me topa futbolli. Bënim të gjitha gjërat, që nuk duhej të bënim. Kopshtar? Kur e kam provuar për herë të parë, turpërohesha. Nuk e mendoja se do e bëja diçka të tillë, por isha krenar se ishte një punë e ndershme. Ajo ishte gjëja kryesore.
PUNA ME KOMBËTAREN – E kam thënë gjithmonë që jam i lidhur me ngjyrat kuqezi, kam dëshirë të madhe që një ditë të jem pjesë e kontributit, të çoj akoma më lart futbollin në Shqipëri.
FUTBOLLI NË SHQIPËRI – Më pëlqen që Partizani doli kampion, sepse kam luajtur fëmijë i vogël, dhe për herë të parë në ligën e parë, ndeshjen e parë si profesionist në Shqipëri, e kam bërë me ngjyrat e Partizanit.
FUTBOLLIST DHE JO BASKETBOLLIST – Edhe unë kam një sekret të vogël. Kur kam qenë në moshën tuaj, e kam nisur në një shkollë të quajtur “Avni Rustemi”, dhe ka qenë shkollë basketbolli. Në të njëjtën kohë, luaja edhe futboll. Në fund, vendosi zemra dhe ndoqa futbollin.
KUJTIME – Kujtimi më i bukur është ndeshja e parë me Kombëtaren, si ëndrra e një fëmije të vogël. Çdo natë kur flija, mendoja të kisha një mundësi të tillë, dhe më i madhe ka qenë fitorja e Shqipërisë ndaj Greqisë.
“HUQE” – Sa huqe ka Igli(qesh). Mua më pëlqen të shoh shumë filma.
FUTBOLLI ITALIAN APO GJERMAN – Kam pasur fatin t’i provoj të dyja. Gjermani ka spektakël, ndërsa italiani ka cilësi dhe anën taktike.
“GËRMO TARE GËRMO” – Unë me mbiemrin Tare kërkova topin, dhe atë e gjeta.
FAMILJA – Ata mërziten shumë, që nuk kaloj kohë me ta. Por, çdo minutë të lirë që kam, mundohem t’ia dedikoj familjes dhe fëmijëve. Të kesh durim, dhe të japësh dashuri, ka qenë mësimi më i mirë që kam nxjerrë. T’i japësh mundësi fëmijëve të tu, t’i mësosh rrugën e drejtë, nga gabimet e tua.
PERSONALITETI – Unë jam i qetë nga jashtë, por nga brenda jam ‘vullkan’. Roli im kërkon përgjegjësi, qetësi dhe përqendrim. Mundohem me mënyrën më të mirë, të mbaj gjakftohtësinë. Duhet të ëndërroni gjithmonë, të keni një ëndërr, dhe të besoni se një ditë do e arrini. Kur të gjithë thonë nuk mundesh, ju duhet të keni besim se do e arrini. Van Basten ka qenë idhulli im që kam pasur i vogël. Nga shqiptarët, nuk i veçoj dot se të gjithë kanë pasur rëndësinë e tij, por një nga shokët e mi më të mirë ka qenë Besnik Hasi, apo edhe Lorik Cana.