Erdhi si shpejt ky përvjetor për ty baba, shumë shpejt.
Më duket sikur mezi ke pritur të më shohësh nga qielli se si jam.
Më shikon keq dhe u mërzite?
S’ke pse, këto gjëra ndodhin në jetë, ashtu siç të kanë ndodhur dhe ty,
por ti nuk i durove dot dhe ike në qiell larg të keqes, smirës dhe pabesive dhe aty je i “qetë”.
I vetmi rast që u tregove “egoist” për veten.
Përse baba, përse!
Mendove se përveç familjes tënde që ju ça zemra do të të kujtonte njeri?!
Nëse se di akoma po ta them unë djali yt.
Askush nuk do të dijë më se ky vend dhe ky teatër ka pasur një aktor me emrin Naim Frashëri që ka ngritur Teatrin Kombëtar bashkë me kolegët e tjerë (...më fal që s’po u them shokët e tu, do ishte hipokrizi..) në majat më të larta të interpretimit skenik.
Përse bëre gjithë atë sakrificë baba, përse?
Nuk mendove se do vinin breza të tjerë shumë më të talentuar se ty, ndaj dhe s’të njohin si aktor, njeri dhe atdhetar.
S’të njohin që në Akademi, se s’ka kush t’ua thotë, s’të njohin se ty s’të kujton asnjë media që të shkruhet për Hamletin shqiptar, Ferdinantin, Gjeneralin apo Jonuz Brugën tek Familja e Peshkatarit, se i kanë luajtur dhe të tjerë dhe më mirë se ty. Sepse je i vetmi aktor Shekspirian që nuk ke emrin e ndonjë rruge, qoftë dhe në Bathore. Ndaj të them me dhimbje, përse baba gjithë ajo sakrificë që të shkurtoi jetën, përse?!
Përse dole malit dhe luftove për atdheun, përse?!
Përse tu deshën tërë ato tituj të lartë, përse?!
Përse na mësove dhe ne fëmijëve të tu që të jemi kokulur dhe të jetonim të thjesht dhe të na merrte frymën sinqeriteti, se i tillë ishe dhe ti?
Përse baba, përse?!
Kur bota që na rrethon është e paaftë, e pabesë dhe mosmirënjohëse?!
Përse baba, përse?!
Po të shkruaj, por për një çast bllokohem… Ndjej diçka.
Kthehem me plot bindje që je këtu pranë meje... por s’je!
Më ngjante sikur po dëgjoja zërin tënd të ëmbël, duart e tua mbi shpatullat e mija që më ngushëllonin gjithmonë kur kisha nevojë, por jo!
Gjithçka ishte vetëm iluzion, pas meje s’është askush e mbi shpatulla ndjej veç dridhje të ftohti, e kështu përsëri mbetem i zhytur në zhgënjimin e iluzioneve të mia.
Të kam dashur baba, por tani të dua dhe më shumë.
E di që askush s’do të të kujtojë në këtë përvjetor si përherë, por ne fëmijët e tu sa të kemi frymë.
Sepse ishe babai më i mirë në botë dhe e dyta mbajmë mbiemrin tënd të madh.
Jemi krenar që jemi fëmijët e Jonuz Brugës.
Të ndritë shpirti babai im, aty ku je, dhe mos e ke pishman se je shumë më mirë atje, se sa ne fëmijët e tu në këtë tokë që ti i këndoje aq bukur.
I përjetshëm kujtimi yt, babai im i dashur.
Marrë nga VOA