Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historia tragjike e “Grupit të Deputetëve”

Historia tragjike e “Grupit të Deputetëve”
Nga Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. asoc. Dr. Sonila Boçi

Heqja e mandatit, arrestimi dhe dënimi i një grupi deputetësh të Kuvendit Popullor në vitin 1947, vetëm një vit pasi ky kishte marrë mandatin për të ushtruar veprimtarinë e tij, është një nga ngjarjet më tronditëse të historisë së komunizmit në Shqipëri. Shumë është folur dhe shkruar për këtë ngjarje, por ende nuk mund të thuash se historia e tyre e trishtë është zbardhur plotësisht.

Çfarë përfaqësonin deputetët e dënuar?

Të gjithë deputetët e dënuar,  ishin personalitete me kontribut të spikatur në shoqërinë shqiptare. Ata vinin nga prejardhje të ndryshme shoqërore, arsimore dhe politike, por ata bashkoheshin në idealin për një Shqipëri moderne me prosperitet ekonomik e shoqëror dhe për një sistem politik liberal. Të gjithë deputetët opozitarë ishin përfshirë aktivisht apo jo në lëvizjen e rezistencës shqiptare. Disa prej tyre mbanin pozicione të ndryshme në Këshillin Nacionalçlirimtar të krijuar në Përmet dhe Berat. Deputetët e dënuar kishin bindje kryesisht të majta, por nuk ishin komunistë. Për ta ishte e qartë se shteti që donin të krijonin ata që e kishin pushtetin, nuk ishte i ngjashëm me shtetin që ata aspironin dhe ishin të gatshëm të bënin pjesën e tyre për të ndaluar të pashmangshmen.

Cilat ishin rrethanat që këta individë u përfshinë në listat e deputetëve?

Ndonëse rezistenca kundër pushtuesve dhe fitorja ndaj tyre u kishte dhënë komunistëve mjaft kredite popullariteti dhe lehtësoi mjaft ngritjen e tyre në pushtet që gjatë Luftës së Dytë Botërore, paqja po rezultonte e vështirë për t’u menaxhuar. Më 17 tetor 1945, pikërisht në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, u zhvillua Plenumi IV i KQ të PKSH-së, i cili analizoi situatën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Pjesëmarrësit në mbledhje u shprehën të shqetësuar mbi mbështetjen e masave ndaj regjimit të ri. Enver Hoxha në referatin e tij “Mbi situatën e brendshme dhe të jashtme” theksonte se “reaksioni jonë [opozita kundër PKSH] nuk i kishte rrënjët në ujë”. Sipas drejtuesit kryesor të PKSH-së, situata ndërkombëtare kishte nxitur “reaksionin” për t’u organizuar dhe për të krijuar një lëvizje opozitare.

Ai konsideronte si opozitarë të mundshëm popullsinë e veriut të Shqipërisë, e cila ishte Shefqet Beja, Selaudin Toto, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Irfan Majuni, Tefik Deliallisi, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Kostandin Boshnjaku, Kol Kuqali, Arif Gjyli.

Përtej situatës së brendshme jo fort të qetë, Qeveria Provizore e drejtuar nga E. Hoxha po përballej me vështirësinë për të afirmuar veten në arenën ndërkombëtare. Në Konferencën e Jaltës (shkurt 1945), ato premtuan se do të njihnin vetëm ato autoritete “në të cilat të përfaqësohen gjithë elementët demokratë të popullsisë [dhe] që ndërmjet zgjedhjeve të lira duhet sa më shpejt të formojnë qeveri që i përgjigjen vullnetit të popullit”4. Qeverisë provizore shqiptare i duhej të plotësonte patjetër këtë kusht të Jaltës, pra zhvillimin e zgjedhjeve. Vetëm kështu mund të siguronte mbështetjen e duhur nga Aleatët, jo vetëm për pushtetin e komunistëve, por dhe vetë ekzistencën e shtetit shqiptar, situata ndërkombëtare e të cilit mund të konsiderohej e rrezikshme. Qeveria shqiptare nuk u ftua të merrte pjesë në mbledhjen themeluese të OKB në San Franciskos (prill 1945), dhe rrjedhimisht nuk u pranua as në këtë organizatë.

Qeverinë Provizore shqiptare nuk e kishte njohur asnjë qeveri, përveç asaj jugosllave. Greqia vazhdonte të ushtronte trysni ndaj qeverive të Aleatëve Perëndimorë dhe OKB-së, për njohjen e pretendimeve greke në Shqipërinë e Jugut. Qeveria greke i kishte shtuar retorikës së saj mbi “strukturën etnike greke të Epirit të Veriut” edhe elementët strategjikë, si dhe persekutimin e minoritetit grek në Shqipëri nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës. Situata e rënduar ndërkombëtare shtronte si domosdoshmëri për qeverinë provizore shqiptare, sigurimin e mbështetjes dhe njohjes nga të gjithë Aleatët e Mëdhenj. Aleatët Perëndimorë, Britania e Madhe dhe SHBA e kushtëzuan njohjen zyrtare të qeverisë së E. Hoxhës me zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Për drejtuesit e lartë të PKSH ishte e qartë se rruga drejt konsolidimit e legjitimimit të pushtetit të tyre kërkonte një fitore plebishitare në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese dhe për ta arritur këtë ata duhet të mos neglizhonin asgjë.

Gjatë vitit 1945, disa nga personalitetet e Frontit si Shefqet Beja, Kostandin Boshnjaku, Selaudin Toto, Riza Dani, Kolë Kuqali etj. i kishin shfaqur hapur apo në biseda intime pakënaqësitë e tyre për mënyrën e qeverisjes dhe llojin e regjimit që po instalohej në Shqipëri. Gjatë qershorit 1945, në disa artikuj të gazetës “Bashkimi”, Shefqet Beja ka botuar një numër artikuj mbi politikat ekonomike që duhet të zbatoheshin në Shqipëri dhe rrugën ku duhet të ecte ekonomia shqiptare. Ai shpalos idetë e tij për një sistem liberal ekonomik, ku peshë dhe rëndësi duhet t’i jepet prodhuesit privat, i cili duhet të kujdeset për cilësinë e prodhimit dhe gjetjen e tregjeve të shitjeve. Shefqet Beja nuk i fshehu edhe pikëpamjet e tij mbi sistemin politik që duhet të vendosej në Shqipërinë e pasluftës. Në referatin e mbajtur në Kongresin e Frontit në gusht 1945, Beja u përpoq të minimizonte rolin e PKSH në drejtimin e vendit, duke i mëshuar rëndësisë që Fronti duhet të merrte si një organizatë që përfshin një shumicë absolute shqiptarësh. Frontit pra, – theksonte Beja, – i bie barra që ta udhëheqë e ta edukojë popullin në rrugën e demokracisë dhe, ashtu si në kohën e luftës, [ku] ay ishte organizuesi dhe mobilizuesi i popullit …, ashtu dhe sot, akoma më shumë i takon të jetë udhëheqësi dhe mobilizuesi i popullit për demokracinë dhe konsolidimin e saj në vendin tonë”5.

Koncepte të ngjashme për zhvillimin ekonomik të vendit kishte dhe Kostandin Boshnjaku, drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë. Konceptet e tij mbi zhvillimin ekonomik të vendit, ai ia paraqiti me anë të një promemorie Këshillit të Ministrave më 22 dhjetor 1945. “Jam i mendjes, – shkruante K. Boshnjaku, – që ne iniciativës private duhet t’i japim rëndësi të madhe, duhet ta inkurajojmë dhe sidomos të mos e shqetësojmë herë pas here, pasi … pa iniciativën private nuk mund të bëhet as rindërtim, as ndërtim dhe asnjë përparim në ekonominë tonë”6. Ai paralajmëronte drejtuesit e lartë komunistë se mungesa e iniciativës private do të çonte në një ekonomi parazitare. Ai shprehej i pakënaqur me Reformën Agrare, e cila nuk i pajiste fshatarët me tapi për tokën, pra nuk i bënte ata pronarë realë të saj. Sipas Boshnjakut, shteti nuk duhet të ndërhynte në sipërmarrjen e lirë dhe politika ekonomike duhej të kishte qëllim “shtesën e prodhimit dhe pasurimin e atyre që punojnë”7.

Padyshim që mendimet e Sh. Bejës, K. Boshnjakut, S. Totos e shumë personaliteteve si këta binin ndesh me konceptin e drejtuesve të lartë komunistë për ndërtimin e shtetit, por në këtë fazë ata kishin nevojë për këta personalitete. Ata kishin nevojë të legjitimonin pushtetin e tyre dhe këtë mund ta bënin vetëm me anë të zgjedhjeve.

Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Nako Spiru dhe drejtues të tjerë të lartë të PKSH në shumë raste kishin shprehur domosdoshmërinë e fitores së Frontit në zgjedhjet e ardhshme për Asamblenë Kushtetuese. Për ta nuk ishte e mjaftueshme një shumicë e thjeshtë, por një fitore, sipas fjalëve të E. Hoxhës “schiacciante [shtypëse]”. Ata kontrolluan dhe diktuan çdo segment të procesit zgjedhor. Hartuan një paketë ligjore, e cila në mënyrë a priori përjashtonte nga e drejta e zgjedhjet kundërshtarët e regjimit; kontrollonin të vetëm të gjithë makinën propagandistike, me anë të politikave të frikësimit e bënë të pamundur për opozitën reale të organizohej për të paraqitur kandidatët e saj në zgjedhje. Pavarësisht të gjitha këtyre masave, në disa zona si: Shkodër, Kukës, Durrës, etj ata nuk ishin të sigurt se rezultat e zgjedhjeve do të ishin bindëse në favor të Frontit.

Më 9 shtator 1945, Koçi Xoxe u dërgon një udhëzim drejtuesve lokalë të PKSH, në të cilën porosit që në propozimet e tyre për t’u përfshirë në listat e zgjedhësve të përfshihen jo vetëm anëtarë partie, apo njerëz besnikë të saj, por të bëhej kujdes të përzgjidheshin njerëz me ndikim dhe reputacion në zonat përkatëse8. Drejtuesit e lartë komunistë kishin nevojë të përfshinin në listat e zgjedhësve, personalitete si Riza Dani, Shefqet Beja, Selaudin Toto, Irfan Majuni, Kostandin Boshnjaku, Sheh Ibrahim Karbunara, Enver Sazani, Tefik Deliallisi, Kol Kuqali, Islam Radovicka etj. Shumica e tyre kishte ndikim të spikatur në rrethin shoqëror ku jetonin. Shumë prej tyre ishin të njohur për prirjet e tyre liberale. Riza Dani, Kostandin Boshnjaku e Kol Kuqali kishin mbështetur programin liberal të F. S. Nolit dhe ardhjen e tij në pushtet. Pjesa më e madhe e personaliteteve të sipërpërmendur kishin mbështetur aktivisht Lëvizjen Nacionalçlirimtare.

Islam Radovicka kishte qenë komandant i shtabit të Zonës I Operative (Vlorë-Gjirokastër), Kol Kuqali kishte humbur dy djem gjatë Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Një pjesë e tyre mbanin dhe poste drejtuese në Front. Kështu, Shefqet Beja ishte nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, ndërsa Riza Dani e Irfan Majuni ishin drejtues të këshillave të Frontit përkatësisht në Shkodër dhe në Durrës. Personalitete të tilla si Selaudin Toto, Enver Sazani ishin të njohur për intelektualizmin e tyre, i pari si drejtor i Institutit të Studimeve dhe i dyti, si mjek i dëgjuar.

Ndonëse e kishin shprehur hapur opozitarizmin e tyre, regjimi nuk mund t’i fuste në thesin e bashkëpunëtorëve të pushtuesit, siç bënte rëndom me personalitete të tjera, të cilat kishin lidhje të drejtpërdrejta apo të tërthorta me Ballin Kombëtar apo Legalitetin. Ai ishte i gatshëm të shfrytëzonte reputacionin e tyre për qëllimet e veta. Madje, në ndonjë rast kur ata nuk pranonin të bëheshin pjesë e listave zgjedhore, siç ishte rasti i klerikut bektashi, 67-vjeçarit, Sheh Ibrahim Karbunara, do të bënin të pamundurën për ta bindur të ishte pjesë e listave të kandidatëve9. Strategjia e drejtuesve të lartë komunistë rezultoi e suksesshme, pasi në disa zona të njohura për opozitarizmin e tyre, kandidatët jo komunistë arritën një rezultat shumë më të mirë. Në zonën e Shkodrës, Riza Dani mori 760 vota kundër, ndërsa Tuk Jakova 2260.

Përfshirja në listat e Frontit u interesonte dhe këtij grupi personalitetesh. Ata e kishin kuptuar se opozita jashtë Frontit ishte e pamundur dhe shumë e rrezikshme. Ata mendonin se duke qenë pjesë e këtij organi ligjvënës, do të mund të ndikonin në zbutjen e ashpërsisë së ligjeve dhe do ta kishin më të lehtë të shndërroheshin në një opozitë legjitime.

Qëndrimi i deputetëve opozitarë në Asamblenë Kushtetuese/Kuvendin Popullor

Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 numëronte 82 deputetë, nga të cilët vetëm 48 ishin komunistë10. Sidoqoftë, vetëm një pjesë e deputetëve jo komunistë ishin opozitarë. Këta të fundit do të shfaqeshim si të tillë gradualisht, disa më hapur e disa të tjerë më të rezervuar. Ndër ta do të shquanin, Riza Dani, Shefqet Beja, Kolë Kuqali, Kostandin Boshnjaku, Selaudin Toto etj. Gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë Kushtetuese në periudhën 10 janar-14 mars 1946 deputetët opozitarë shfaqën rezerva e kundërshtime në komisionet e Kuvendit Popullor, gjatë diskutimit të disa projektligjeve të rëndësishme, që kishin të bënin me të ardhmen politike e ekonomike të vendit, miratimi i të cilave do t’i shtronte rrugën e do të ligjëronte vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Deputetët opozitarë shfaqën kundërshtime ndaj njohjes en bloc të të gjitha ligjeve të mëparshme, të miratuara nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar për periudhën maj 1944-janar 1946. Ata kërkuan që secili ligj të diskutohej e miratohej rast pas rasti pasi të ishte diskutuar më parë nga Asambleja Kushtetuese. Me këtë qëndrim, ata mohonin legjitimitetin e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, të dalë nga Kongresi i Përmetit. Kundërshti pati gjatë diskutimit të projektligjit mbi përbërjen dhe funksionet e Presidiumit të Asamblesë Kushtetuese e Komisioneve të tij, të Rregullores së Asamblesë dhe sidomos të Statutit të Republikës së Shqipërisë (Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë).

Deputetët opozitarë kishin një vizion tjetër nga ai i komunistëve për zhvillimin e vendit. Ata aspironin vendosjen e një demokracie të tipit perëndimor në Shqipëri, ku do të ndërmerreshin reforma të moderuara, në interes të klasave e shtresave të ndryshme të popullsisë, të cilat do të ndihmonin në zhvillimin e përparimin e vendit. Ndërkohë, shumica komuniste në Asamblenë Kushtetuese e në Frontin Demokratik, donte të ndërtonte një tjetër model, atë sovjetik, zbatimi i të cilit do të prekte e cenonte rëndë interesat e një pjese të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, duke përfshirë këtu edhe vetë interesat e shumë deputetëve opozitarë.

Lufta politike pozitë-opozitë ishte evidente në periudhën janar-mars 1946, ndërsa pas kësaj kohe ajo u fashit, sepse forcat ishin të pabarabarta, parlamentarizmi u godit rëndë, ndërsa rreziku për jetën e deputetëve opozitarë ishte shtuar. Debateve të grupit të opozitës u printe deputeti i Shkodrës, Riza Dani – një nga opozitarët më aktivë, më luftarakë dhe më të hapur.

Deputetët e pakicës kundërshtuan fort një varg projektligjesh, të cilët kishin të bënin me të ardhmen e vendit dhe me pozitën e deputetëve në parlament. Një grup prej 4-5 vetash të kryesuar nga Riza Dani dolën kundër listës së shumicës për Presidiumin e Asamblesë Kushtetuese, duke propozuar në vend të saj një listë tjetër e cila nuk u miratua nga deputetët e shumicës.

Deputetë opozitarë dolën gjithashtu kundër rregullores për imunitetin e deputetit, e cila lejonte heqjen e imunitetit të tij, në rast se deputeti nuk zbatonte programin elektoral. Sanksionimi i një klauzole të tij u hiqte deputetëve mundësinë për t’u shprehur lirisht, duke i shndërruar ata në “frymë të vdekura” dhe në mekanizma të thjeshtë votues. “Asambleistët, – theksonte Riza Dani, – janë përgjegjës përpara nderit dhe ndërgjegjes së tyre, jo përpara trupit elektoral”11. Miratimi i këtij ligji nga shumica e bëri të cenueshëm imunitetin e deputetit, pasi ai mund të hiqej edhe për arsye politike, sikurse ndodhi pak kohë më pas me deputetët opozitarë.

Kundërshti të forta lindën edhe gjatë diskutimit në Asamblenë Kushtetuese të projektstatutit të Republikës Popullore të Shqipërisë. Duke stigmatizuar thelbin e tij “plotë me ngjyra ideologjike, si politikisht, ashtu edhe nga pikëpamja social- ekonomike”, Riza Dani propozoi me ironi që Shqipëria të deklarohej Republikë Socialiste Popullore. Miratimi i Statutit [Kushtetutës] të Republikës Popullore të Shqipërisë më 14 mars 1946 u dha fund shpresave të deputetëve opozitarë, për një Shqipëri demokratike.

Ai sanksionoi alternativën socialiste të zhvillimit, të paravendosur nga Plenumi V i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, në shkurt të vitit 1946. Pikëpamjet e deputetit Shefqet Beja, Kostandin Boshnjaku etj. të shprehura publikisht tashmë ishin lënë në harresë. Mbrojtja e tyre publike pas miratimit të Kushtetutës ishte bërë e rrezikshme për deputetët opozitarë, madje edhe për deputetin komunist Sejfulla Malëshova, që i kishte miratuar e mbështetur ato. Rrugët e deputetëve opozitarë me shumicën komuniste në Parlamentin shqiptar ishin ndarë përfundimisht. Mbyllja e zërit të opozitës në Kuvendin Popullor shoi çdo shpresë për zbatim të një modeli perëndimor të demokracisë në Shqipëri.

Me zhvillimin e zgjedhjeve dhe miratimin e Statutit të RPSH, regjimi kishte hedhur një hap të rëndësishëm për konsolidimin e tij. Tashmë ai e kishte të hapur rrugën të hiqte maskën dhe të zbatonte pa asnjë mëdyshje modelin e tij stalinian të qeverisjes. Që prej janarit 1946, filloi një valë e re arrestimesh dhe dënimesh. Anëtarë të grupeve opozitare si ai Monarkist, Socialdemokrat dhe i Rezistencës u arrestuan ende pa u tharë boja e shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë. Për deputetët opozitarë, situata bëhej gjithnjë e më e vështirë. Sidoqoftë, ata nuk reshtën së propaganduari në rrethe të caktuara të popullsisë kundërshtitë e tyre për efektet negative të ligjeve të miratuara, të cilat shkonin kundër modelit të tyre perëndimor. Ata u shprehën kundër caktimit të shumave të pajustifikuara të tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës, kundër mënyrës së zbatimit të reformës agrare, kundër reformës arsimore që kishte si bosht ideologjinë komuniste dhe kundër çdo mase tjetër që nuk pajtohej me bindjet e tyre. Deputetët opozitarë kundërshtuan orientimin e politikës së jashtme të Shqipërisë vetëm ndaj BS e aleatëve të tij, duke kërkuar një politikë më të moderuar ndaj Britanisë së Madhe e SHBA.

Një pyetje e natyrshme që kërkon përgjigje mund të bëhet se pse deputetët e opozitës nuk vepruan si grup i organizuar dhe kompakt në Asamblenë Kushtetuese, por dolën si individë? Përgjigjen më të saktë mund ta gjejmë në deponimin para gjyqit të deputetit dhe ish-nënkryetarit të Këshillit Nacionalçlirimtar, Shefqet Beja. Deputeti Beja ka nënvizuar dy arsye kryesore të këtij qëndrimi: së pari, mungesën e unitetit të pikëpamjeve në Grupin e Deputetëve dhe, së dyti, për shkak të karakterit të pushtetit. Sipas Bejës, çdo kundërshtim i hapur “do të kishte qenë e kotë, pasi pushtetin e gjykoja si absolut dhe neve që do të kundërshtonim do të ishim 7-8 veta. Ne, – vazhdon ai,- e ndjenim veten të përçmuar në Parlament, pse vinin ligje dhe aprovoheshin vetëm me ndonjë ndryshim stilistik”

Deputetët opozitarë zgjodhën rrugën e kundërshtimeve individuale në Kuvend, deri në periudhën e miratimit të Kushtetutës (mars 1946), ndërsa pas kësaj date ata nuk i shfaqën kritikat e tyre në Parlament. Me këtë sjellje ata u munduan që t’u shpëtonin sadopak etiketimeve të ashpra të deputetëve komunistë si “tradhtarë”, “borgjezë” etj, por edhe rrezikun e arrestimit nga organet e diktaturës. Ndonëse nuk i donin ligjet komuniste, ata në përgjithësi i votuan ato, kundër dëshirës dhe bindjeve të tyre. Të shpreheshe kundër shumicës komuniste në Parlament, do të thoshte të rrezikoje shumë, dhe të mos arrije të ndryshoje asgjë.

Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera komuniste të Europës Lindore e Qendrore pothuajse nuk kishte trashëguar tradita pluraliste, ndërsa kultura qeverisëse ishte e pakët. Në të tilla rrethana, shprehja e mendimit ndryshe nuk gjente mirëkuptim tek shumica ligjvënëse, por edhe ekzekutive. Marrëdhëniet e këqija të qeverisë shqiptare me misionet amerikane e britanike në Shqipëri, do të reflektoheshin edhe mbi deputetët opozitarë shqiptarë, që aspironin ndërtimin e modelit perëndimor në vend. Nuk ishte e rastësishme që të gjitha grupet “armiqësore” në Shqipëri u akuzuan për lidhje konspirative me misionet britanike e amerikane. Largimi i këtyre misioneve nga Shqipëria e dobësoi e shkurajoi opozitën shqiptare dhe shumë elementë të tjerë që nuk e donin vendosjen e totalitarizmit në Shqipëri.

Arrestimi dhe dënimi

Kryengritja e Postribës e datës 9 shtator 1946 solli shqetësime dhe alarme në udhëheqjen e lartë të PKSH. Në muajin shtator ambasadori sovjetik në Tiranë Çuvahini, zhvilloi disa takime radhazi me Enver Hoxhën, Koçi Xoxen dhe Nako Spirun. Ministri i Brendshëm Koçi Xoxe më 18 shtator 1946 i deklaroi diplomatit sovjetik: “Ne mendojmë, ta shfrytëzojmë këtë rast, me qëllim që të çlirohemi njëherë e mirë nga çdo e papritur”13. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje filloi një tjetër fushatë arrestimesh e dënimesh. Regjimi po vijonte me “gjuetinë e shtrigave” dhe, në fokus të persekutimit ishin, për fat të keq, intelektualët. Pas gjyqit dhe dënimeve të rënda të grupit të inxhinierëve të akuzuar për sabotimin e tharjes së Kënetës së Maliqit, radha u kishte ardhur deputetëve opozitarë.

Ata u akuzuan se në shkurt 1945 kishin formuar në Tiranë organizatën ilegale “Nacional Demokratike”, e cila gjatë muajve shkurt-prill u zgjerua dhe krijoi komitete e nënkomitete në disa qytete të Shqipërisë. Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit, organizata u lidh edhe me Ballin Kombëtar. Qëllimi i organizatës ishte, sipas Sigurimit të Shtetit, që me ndihmën e anglo-amerikanëve të rrëzonin me dhunë pushtetin. Krahas deputetëve në organizatë u përfshinë dhe një sërë figurash e personalitete të tjera, si: Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Riza Alizoti, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujaniku e shumë të tjerë. Shumica e deputetëve u akuzuan se kishin nxitur dhe organizuar Kryengritjes e Postribës. I akuzuari i parë ishte deputeti Riza Dani-parlamentari me eksperiencë të gjatë e kulturë demokratike, por edhe politikani më aktiv e kundërshtues në Kuvendin Popullor të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit. Më 23 dhjetor, Kuvendi Popullor vendosi t’i heqë atij mandatin dhe imunitetin parlamentar. Bashkë me të mandati iu hoq edhe 3 deputetëve të tjerë të Shkodrës Kol Prelës, Zef Haxhisë dhe Hysni Pejës. Ndonëse u arrestua më herët se deputetët e tjerë, gjyqi ndaj Riza Danit dhe disa deputetëve të tjerë u zhvillua më vonë.

Më 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme i kërkoi Presidiumit të Kuvendit Popullor që të hiqte imunitetet e deputetëve opozitarë Shefqet Beja, Kol Kuqali, Selaudin Toto, Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Kostandin Boshnjaku dhe Islam Radovicka. Heqja e imunitetit parlamentar në Kuvendin Popullor u krye pa debat të mirëfilltë parlamentar, në një situatë të tensionuar dhe aspak normale. Ndërkohë që një pjesë e tyre ishte arrestuar para heqjes së mandatit.

Për të provuar akuzat mbi ish-deputetët gjatë procesit të hetimit u përdorën akte të rënda dhune fizike e psikologjike. Deputeti Kol Kuqali, zëvendësdrejtori i Bankës së Shqipërisë dhe baba i dy djemve dëshmorë të Luftës Antifashiste vdiq më 30 maj 1947, pas 10 ditë torturash, pa arritur të nënshkruajë deklaratën e kërkuar nga hetuesit. Të njëjtin fat pati edhe kunati i tij, Loni Adhami, i cili u torturua dhe vdiq më 10 qershor 1947. Torturat dhe ndëshkimet fizike ishin fenomene të zakonshme që u përdorën në hetuesi për të nxjerrë deponime shpesh të paracaktuara. Riza Dani dhe Kostandin Boshnjaku në asnjë rast nuk i pranuan akuzat e ngritura, ndërsa të tjerë si, Shefqet Beja i mohuan gjatë gjyqit pohimet që kishin bërë në hetuesi duke deklaruar se ato ishin marrë në kushte presioni fizik dhe psikologjik.

Deputetët, së bashku me personat e tjerë të arrestuar si anëtarë të Organizatës Nacional-Demokratike u gjykuan në dy procese të veçanta gjyqësore, të mbiquajtura si grupi i Shefqet Bejës dhe ai i Riza Danit. Gjykimi për grupin e parë filloi më 4 shtator 1947, ndërsa për grupin e dytë më 31 dhjetor 1947. Të dyja gjyqet u zhvilluan në sallën e kinemasë “Nacional”, më pas “17 Nëntori” dhe të dyja transmetoheshin me altoparlantë. Në grupin e Shefqet Bejës u gjykuan 24 vetë, nga të cilët 16 u dënuan me vdekje (midis tyre Shefqet Beja, me varje, Irfan Majuni, Selaudin Toto, Tefik Deliallisi, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara me pushkatim), ndërsa në atë të Riza Danit u gjykuan 19 vetë, nga të cilët 7 me vdekje (midis tyre Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka). Njëkohësisht me këto dy procese zhvillohej edhe një tjetër me dyer të mbyllura, në të cilën gjykohej deputeti tjetër i Kuvendit Popullor, Kadri Hoxha.

Akt-akuzat e paraqitura e të formuluara kundër deputetëve, nga zv. Prokurori Josif Pashko kanë shumë pika të përbashkëta për të dy gjyqet: 1. Se të akuzuarit kishin krijuar një grup ilegal që në muajin shkurt të vitit 1945; 2. Se pak kohë pas krijimit të organizatës ilegale kishin krijuar një Komitet Qendror të saj, të kryesuar nga Shefqet Beja; 3. Se grupi ishte i lidhur dhe kishte ndihmuar kriminelët e arratisur, me të cilët do të organizohej një kryengritje për të rrëzuar “pushtetin popullor”; 4. Se kishin qenë nxitës e organizatorë të Lëvizjes së Shkodrës (Kryengritja e Postribës) të datës 9 shtator 1946; 5. Se ishin të lidhur me Misionin Amerikan në Shqipëri dhe se aspironin një demokraci perëndimore etj. Deponimet e nxjerra përmes torturave i bëjnë ato pak ose aspak të besueshme, pavarësisht se janë firmosur nga shumica e deputetëve. Përdorimi i termave kundërrevolucion, përmbysje e pushtetit me dhunë etj, nuk kanë qenë pjesë e artikulimit politik dhe e formimit të deputetëve të këtij fraksioni, me prirje e formim përgjithësisht perëndimor. Dokumentacioni amerikan i njohur prej nesh, nuk e mbështet pretendimin e akuzës se deputetët e këtij grupimi që kishin si synim “përmbysjen me dhunë të regjimit në Shqipëri” mbështeteshin nga Misioni Amerikan në Tiran

ë. SHBA nuk kishte ndonjë interes të veçantë në Shqipëri, ndërsa Ballkani në vitet e para të pasluftës vazhdoi të mbetej ende zonë e interesit të britanikëve. Shqipëria mbeti në periferi të interesave amerikane, pothuajse gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë. Por, ajo çka tashmë është bërë një fakt i njohur, është realiteti se Shqipëria u përfshi në grupimin e vendeve socialiste të Europës Lindore e Qendrore, të kryesuar nga Bashkimi Sovjetik-kundërshtare e Bllokut të vendeve Perëndimore të udhëhequr nga SHBA. Lufta ndërmjet të Mëdhenjve dhe rreshtimi i Shqipërisë me Lindjen Komuniste pati pasoja mbi Shqipërinë. Mospranimi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, mosnjohja e qeverisë komuniste nga ish-aleatët amerikanë e anglezë, mbështetja e kërkesës së qeverisë greke për të paraqitur pretendimet e saj për Shqipërinë e Jugut ndikuan jo pak edhe mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Procese dhe akuza pak a shumë të ngjashme sikurse të Shqipërisë ndodhën edhe në vendet e tjera komuniste të Europës në vitin 1947. Në Bullgari, Rumani e Hungari, Poloni e Çekosllovaki po zhbëhej pluralizmi tradicional, ndërsa disa parti e grupe opozitare u goditën, duke përdorur etiketën e mbështetjes tek amerikanët. Lufta e Ftohtë diktoi “lojën në grup”, të shoqëruar me spastrime e “shtrëngime të radhëve”. Në disa vende perëndimore si Franca e Italia partitë komuniste u përjashtuan nga qeverisja. Lufta e Ftohtë nuk lejonte më hapësira për veprime të pavarura. Viti 1947 shënoi ndarjen përfundimtare të ish aleatëve lindorë e perëndimorë të LDB dhe ravijëzimin e dy blloqeve, në armiqësi me njeri tjetrin. Këtij konturimi të botës së pasluftës nuk i shpëtoi as Shqipëria dhe ndër viktimat e tij u bë edhe opozita shqiptare, që bashkëjetoi me komunistët më gjatë se të tjerët.

Likuidimi i opozitës me aspirata perëndimore në vitin 1947 do të pasohej me luftën brenda “llojit”, brenda radhëve të PKSH/PPSH. Proceset gjyqësore ndaj kundërshtarëve reale apo imagjinarë brenda Partisë do të vazhdonin për dekada të tëra në Shqipëri