Historia prekëse e tre fëmijëve në Godolesh, që donin një top nga Babagjyshi
Dritare.net
Gazetari i Dritare.net, Daniel Muçaku realizoi një reportazh për këtë familje dhe tregoi kushtet e mjerueshme ku jetonin. Në një shtëpi të rrënuar, në dhoma të shkatërrura, ku i ftohti nuk haste as pengesën më të vogël, pa ushqime, pa rroba, zgjoheshin dhe flinin 7 anëtarët e kësaj familje.
Pasi reportazhi u publikua më, 26 dhjetor në faqet e Dritare.net, të shumta qenë komentet e njerëzve që vuanin me dhimbjen e kësaj familje. Lutjet e atyre fëmijëve nuk ranë në vesh të shurdhët. Shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë u sensibilizuan për të ndihmuar sadopak që ky Vit i Ri të jetë ndryshe.
I pari ishte një qytetar nga Shkodra. Sapo kishte parë pamjet rrënqethëse, ai na shkroi dhe shprehu dëshirën për të ndihmuar monetarisht. “Nuk dua foto e as publicitet, dua që këto para të shkojnë në duart e asaj familje”, tha ai.
Dhe ato para janë tashmë në dorën e tyre, ashtu siç ai dëshironte.
E si mund të mos këputej shpirti, teksa Klodi, djali 8 vjeçar i familjes Hyka kërkonte rroba për në shkollë? Një nënë e ndjen më mirë këtë dhimbje. Miranda Shkurti Bërdica na shkruajti nga SHBA, për të ndihmuar me veshëmbathje, ndërsa motra e saj që jeton në Shqipëri na i solli. Rrobat e Albanit dhe Artës, tashmë do të jenë edhe të tre fëmijëve të familjes Hyka.
Ndërsa, Besmira Mirashi, sapo kishte parë pamjet, kishte lajmëruar menjëherë familjarët e saj. Ju kishte kërkuar të kontribuonin sadopak. Teksa shprehte dhimbjen e saj, nuk i dilnin nga mendja fjalët e Besit 6 vjeçar, që kërkonte një top futbolli. “Më dhimbsen fort ata fëmijë, kur mendoj që fëmijët e mi marrin dhurata për çdo festë”, tha ajo. Teksa ndihmoi monetarisht, Besmira shprehu dëshirën që të dërgojë edhe disa veshëmbathje e lodra. Shumë shpejt ato do të jenë në duart e tre të vegjëlve.
As Leonard Roci nga Gjermania, nuk ndenji indiferent. Ai është kamionist dhe gjithë kohën rrugëve, por gjeti kohën për të dërguar para, e për të zbutur sadopak atë varfëri vrastare.
Ndoshta ne nuk mundemi që t’i ndërtojmë një shtëpi Emanuelës, ashtu si ajo dëshironte. Por mundemi të sjellim sadopak gëzim dhe buzëqeshje, ashtu siç nuk ka qenë kurrë në fytyrat e tyre. Nata e ndërrimit të viteve, do të jetë më e veçanta se të gjitha herët. Do të jetë më ëmbël me ëmbëlsirat e shumta të Pastiçerisë Someg.
Të përzgjedhura me dashuri dhe kujdes, ato do ta bëjnë më të plotë natën e fundvitit.
Ne i falenderojmë të gjithë ata që kontribuan, edhe ata që nuk i kemi përmendur më sipër. Jemi të lumtur që mundëm të bënim diçka, të gjithë sabashku. Nuk u ndryshuam jetën, por ama bëmë që këto festa të jenë më të bukurat deri tani. Duke shpresuar që 2018, të jetë më e mirë për këtë familje e të tjera familje në nevojë, urojmë një vit të mbarë për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Zemra e tyre është në atdhe dhe plot me dashuri./Dritare.net