Historia e Taulantit nga Pogradeci, që studion në Koln për Ekonomiks
Dritare.net
Para disa ditësh ju njohëm me historinë e Deas, studenten shqiptare të diplomuar në Amerikë për Planifikim Urban dhe master për Administrim Biznesi në Milano, ndërsa sot kemi një tjetër histori të një tjetër studenti shqiptar, Taulant Yzellari, i cili jo vetëm do ju tregojë eksperiencën e tij, por dhe do ju mësojë diçka që nuk e dini, ju që jeni studentë në Shqipëri
Taulat Yzellari është një djalë nga Pogradeci, i cili aktualisht është student në Universitetin e Kolnit, në Gjermani.
Si arriti ai të studionte në degën Ekonomiks, në këtë universitet prestigjioz, vështirësitë dhe sfidat i ka rrëfyer në një intervistë për dritare.net.
Taulant Yzellari ka lindur në Pogradec, dhe shkollën e mesme e ka kryer në gjimnazin publik “Muharrem Collaku”.
Gjatë periudhës kur ai ishte ende një nxënës shkolle, kishte shumë pasion biznesin. Kështu ai u bë pjesë e një programi biznesi të quajtur ‘Junior Achievment’, ku sëbashku me 4 shokë e shoqe të klasës krijuan një kompani ku ofronin shërbime dhe prodhonin produkte.
Pas këtij programi, interesi i tij për ekonominë u rrit dhe më shumë, kështu studimet e larta vendosi t’i ndiqte për Ekonomi, edhe pse familja dëshironte që ai të bëhej mjek ose inxhinier.
Studimet Bachelor në Ekonomiks, i ka kryer në Fakultetit Ekonomik të Tiranës, dhe menjëherë pas përfundimit të tyre ai vendosi të t’i vijonte më tej, në Gjermani.
Në Gjermani, Taulanti u përball me shumë sfida, duke filluar nga vështirësia e përshtatjes me kulturën e deri te mungesa e familjes së tij. Por, pavarësisht këtyre ai po ia del, sepse qëllimi i tij është të bëjë krenarë prindërit.
Studimet e tij në Universitetin e Koln-it, të cilat ende i vazhdon, kanë qenë një eksperiencë unike për të, dhe shumë të vlefshme, pasi pedagogët janë ekonomistë që kanë fituar çmime Nobel në fushën e tyre.
Pas përfundimit të masterit, Taulanti po planifikon të kryejë një doktoraturë në Ekonomiks, që më vonë të japë kontributin e tij akademik për Shqipërinë në radhë të parë, pastaj dhe për Ballkanin.
Taulanti këshillon që të gjithë studentët, të paktën një semestër të studiojnë jashtë vendit, pasi përfitimet do të jenë të mëdha. Ai thotë që nuk është një fushë me lule, por të tilla mund ta bësh ti, me aftësitë dhe eksperiencën tënde./dritare.net