Historia e Skënderit nga Fushë-Kruja, në Taranto
Dritare.net
Nga Skënder Durma
"Unë në Shqipëri jam me profesion shofer kamioni, por papunësia më detyroi të lija familjen dhe të shkoja për 3 muaj te vëllai në Itali, vëllai është me dokumente, unë jo.
Arrita të gjej një punë në vjeljen e ullinjve ku punova vetëm 7 ditë, ditën e 8-te nëpërmjet një shoku shqiptar, gjej punë te një italian.
Rreth orës 6 e 40 ditën e hënë, datë 20 nëntor nisem me 3 italiane për të punuar në një çati të një kaparoni, rreth 12 metra të lartë. Në fakt nuk e dija se, për fare pune bëhej fjalë. Sa u futem në brendësi të territorit të kapanonit gjetëm dhe një tjetër person, me të cilin punuam gjatë ditës, të gjithë bashkë. Në momentin e mbërritjes, njëri nga këta italianë më sugjeroi që të bëja kujdes, sepse ishte një lartësi e madhe, ku do të punonim.
Filluam punë mbi çati, duke çmontuar eternitin e vjetër, për ta zëvendësuar me llamarina. Gjatë gjithë kohës punova me një sforco, që t’i bija në sy çunave, që në fund doja të më falënderonin për punën, e të më merrnin prapë. Kisha nevojë për lekë. Rreth orës 14 e 50, teksa po merrnim një llamarine, rreth 9 metra të gjatë bashkë me kolegët italianë, nuk e kuptova se po i afrohesha një dritareje, e cila shërbente për ndriçimin e kapanonit nëpërmjet diellit dhe mbase ishte dhe lodhja e tepërt, që më humbi dhe vëmendjen. Në atë moment kam fluturuar nga çatia e jam përplasur në dyshemenë e kaparonit, ku krahu i majtë ka prekur një makineri dhe u copëtua i gjithi. Vetëm 2 nga katër italianët më dërguan në spital, ku gjatë rrugës më detyronin të deklaroja, që kam bërë aksident me makinë, në mënyrë që t’i shmangeshin ndonjë arrestimi.
Në atë spital kam qëndruar rreth 50 ditë, pasi kisha shumë goditje me 8 brinjë të thyera, një pjesë e legenit e thyer, kisha goditje në mushkëri, krahun të copëtuar pothuajse plotësisht.
I falënderoj të gjithë, si staf në spitalin e Tarantos, sepse nuk mungonte korrektesa, respekti, dhe shërbimi mbi të gjitha. Shpenzimet janë paguar nga asistenca sociale. Për sa kam qëndruar në këtë spital, as 50 cent nuk janë paguar nga unë, apo familjarët e mi.
Unë do të jem borxhli ndaj atij stafi, por edhe shtetit italian, që bën këtë gjë për shumë njerëz, të vajtuar si unë.
Të them dhe diçka. Gjatë gjithë jetës sime, i trembesha ndonjë aksidenti jashtë shtetit, pasi imagjinoja se nuk do të gjeja përkrahje, shërbim, me pak fjalë i druhesha kësaj gjëje pooor jo, ishte ndryshe nga ajo që mendova, prandaj i falënderoj shumë.
Te kjo foto jam 10 ditë para se të hiqja hekurat. Tani jam njeri tjetër në sajë të tyre. Jam si dikur. Kjo falë spitalit në Taranto, që nuk e harroj kurrë.
Në fakt atje, në spitalin e Tarantos punojnë disa grupe kirurgesh, por kam fiksuar emrin e shefit të pavijonit të ORTOPEDISE , Lorenzo Scalipi. Ai më ka mbajtur aty, bashkë me infermiere Aneten nga Lushnja. O zot, sa u detyrohem atyre! U detyrohem jetën.
Më pas u ktheva në shtëpi, unë jetoj në Fushë-Krujë. Dikur isha shofer kamioni, por pas aksidentit, nuk isha më për punë, sepse dora nuk e ka fuqinë e duhur. Në shtëpinë time punon vetëm bashkëshortja, me një rrogë 26000 lekë në muaj. Kemi dy fëmijë. Ia dalim, si të gjithë. Rëndësi ka jeta.”/dritare.net
Kjo është historia e Skënderit, një nga qindra, e mijëra histori shqiptarësh që presin të tregohen. Ne jemi dritare.net dhe mezi po presim të ndajmë bashkë historinë tënde unike. Shkruaj në dritare, në emailin: [email protected], Facebook www.dritare.net dhe Instagram @dritare_net.