“Mamanë time e kanë marrë për punë të pista, e kanë rrëmbyer në atë kohë. Kam 23 vjet që nuk e takoj. E di që është gjallë, pasi na dërgoi një letër në postën e Dushnikut. Atë kohë, nëpërmjet letrave që dërgonim e merrnim, asnjë gjë tjetër”.
Përveç kësaj, familja e tij kishte jetuar në një gjendje të rëndë ekonomike vetëm me pensionin e gjyshes dhe KEMP-in e të atit. Për shkak të situatës së rëndë ekonomike, Nertili është detyruar të emigrojë në këmbë drejt Greqisë që në moshën 13-vjeçare.
Në Greqi, Nertili arriti mirë dhe filloi punë me bagëtitë. Pas një viti punë atje ai u kthye në Shqipëri, ku gjeti gjyshen sëmurë dhe planin e babai për t’u larguar së bashku me tre motrat në drejtim të Francës. Familja e Nertilit edhe pse nga Franca e kontaktoi vetëm për një vit djalin. Pas një viti, Nertili tregon se ata nuk e kanë telefonuar më. Por, pavarësisht gjithçkaje, ai është krenar për të gjitha gjërat që ka bërë në jetë edhe për kujdesin ndaj gjyshes, edhe pse ajo nuk ishte nëna biologjike e babait të tij.
“Unë kthehem nga Greqia dhe e gjej gjyshen të shtrirë në krevat. Sa vajta afër, hapi sytë, më pa dhe ia mori jetën Zoti. Babi nuk kishte dhembshuri për gjyshen, sepse ajo e kishte gjetur babin tim. E mbajti, e rriti. Ajo na rriti dhe neve na nxorri në jetë dhe si përfundim mori atë që mori. Ja pse nuk erdhi ta shikonte. Sepse nuk ishte nëna e tij biologjike. Motrat e panë edhe menduan se ishte në gjumë. Ata ishin nisur për të ikur, nuk doja t’u tregoja. I kam përcjellë për në Rinas, jam kthyer mbrapa dhe e kam përcjellë vetëm gjyshen. I kam bërë të gjitha, të gjitha i kam bërë vetëm kur kam qenë 14 vjeç”.
Pas kësaj ngjarjeje, Nertili e bëri vazhdimisht rrugën për në Greqi, saqë thotë se i ka vizituar gjithë vendet atje. Kjo pasi i lindi ideja që të fitonte para. Por për shkak se u kap me klandestinë, ai bëri 64 ditë burg. Pavarësisht kësaj atë e ndihmoi gjyqtarja, e cila i dha rroba dhe para për një arsye shumë tronditëse.
“ Gjyqtarja ishte shumë e mirë. Ajo më ndihmoi. I kërkova të më sqarojë se pse e bën të gjithë këtë. E vetmja arsye pse bëra të gjithë këtë më tha është se më ke ringjallur djalin, sepse djali im në moshën 18 vjeçe ka pësuar aksident me motor edhe ishte identik nga këmbët deri te koka si puna jote.”
Sërish rrezikoi, pasi dërgoi edhe dy djem të lagjes në Greqi, por u kap sërish nga policia. Për fatin e tij të mirë, kësaj here nuk firmosi asnjë letër dhe nuk qëndroi fare i burgosur. Menjëherë sapo kaloi doganën greke, Nertili postoi në Facebook “F**k Police”. Pikërisht ky postim do të bëhej shkak i njohjes me Dafinën. Ata filluan të shkëmbenin mesazhe me njëri – tjetrin derisa më në fund e lanë të takoheshin.
“Jemi takuar te Pallati me Shigjeta sepse aty afër ka dhe punën që punon sot. Thjesht pimë një kafe në mënyrë shoqërore dhe më thotë më duhet të iki se u bëra vonë, sepse kishte dalë gjysmë ore përpara se të mbaronte puna”.
Dafina është më e madhe në moshë se Nertili. Midis tyre ka 11 vite diferencë.
“Unë nuk e kuptoj se çfarë ka për t’u habitur. Pasi pimë kafen u kënaqa shumë. Ndahemi dhe i thashë që do vij prapë. Vij për 8 Mars, kur unë isha plotësisht i bindur te ajo. Marr një buqetë me lule dhe e telefonoj. E takova te 21-shi dhe pimë kafe, biseduam për ato tonat. Aty e propozova për martesë. Problemi i vetëm më tha është mosha. Tani kemi nëntë muaj të martuar.”
Nertili është në “Kam një mesazh për ty” për t’i thënë bashkëshortes që të mos ketë frikën e diferencës së moshës midis njëri – tjetrit si dhe të mos dëgjojë se çfarë thonë të tjerët.
Dafina pranoi ftesën për të qenë pjesë e “Kam një mesazh për ty”.
I pyetur nga Ardit Gjebrea se kush mund të jetë personi që e ka ftuar, Dafina shprehet me siguri se mund të jetë vetëm bashkëshorti dhe se s’mund të ketë tjetër njeri.
Arditi – Pse mendon se nuk ka tjetër njeri?
Dafina – Tipat e motrave i njoh, i lashë në punë. Vëllai them se ai nuk është se e di ça tipi ka. Kështu që tjetër njeri nuk kam.
Në ekran Dafina shikon që pas murit është pikërisht bashkëshorti i saj, Nertili.
Dafina – Li.
Nertili – Gaforre!
Arditi – Çfarë të tërheq te Nertili.
Dafina – Sinqeriteti edhe vuajtjet që ka kaluar.
Nertili i jep mesazhin e tij Dafinës.
Nertili – Gaforre, ti e di që unë të dua shumë edhe e vetmja arsye që të kam sjellë këtu është që mos mendo se çfarë thonë njerëzit, mos mendo diferencën e moshës dhe dua ta shijosh bashkë me mua këtë dashuri siç të na vijë. Si të jetë dita e fundit e jetës tonë. Kjo është arsyeja pse të kam sjellë këtu sepse je e vetmja femër që unë ndihem i lumtur. Dhe jam shumë krenar që të kam ty në krahët e mi.
Dafina – Edhe unë.
Nertili – Sepse mos të kisha ty, unë nuk e di se ku do të përfundoja.
Arditi – Na tregoi pak për jetën e tij, për diferencën e moshës që ju keni. Edhe unë u çudita që ka akoma njerëz që mund të komentojnë diferencën e moshës. E komentojnë?
Dafina – E komentojnë shumë.
Arditi – Dhe juve ju bezdis kjo gjë?
Dafina – Për momentin sa ma kap veshi, për momenti po. Pastaj e kaloj. Është ai mentaliteti shqiptar, pavarësisht se thonë epo mirë, ke bërë diçka të bukur, por mbrapa krahëve thonë diçka tjetër./tvklan.al