Haga e detyron të dorëhiqet për herë të dytë, Haradinaj: Të caktohen zgjedhjet e reja!
Dritare.net
Kjo pasi Ramush Haradinaj është ftuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
“Sapo e informova qeverinë , kam dhënë dorëheqje të parevokueshme prej funksionit të kryetarit të Qeverisë. Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga dhomat posaçme të Gjykatës së Specializaur”, ka treguar Haradinaj në konferencë.
Ai ka treguar se para Gjykatës Speciale do të paraqitet javën e ardhshme, duke shtuar se në Hagë nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë por si një qytetar i Republikës së Kosovës.
“Javën tjetër do ta kem intervistimin, dhe kam vlerësuar se atje nuk mund të paraqitem si kryetar i Qeverisë, por si një qytetar i Kosovës. Për me e ruajt nderin e kryetarit të Qeverisë edhe të shtetit, kam menduar se është e drejtë me e marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri tashmë në largim, ka thënë se Kosova është një shtet me kufij të paprekshëm.
Ndër të tjera ka thënë se do të respektojë aspektin ligjor të Gjykatës Speciale.
“Do të kryej detyrat e mia, do ta mbrojë Kosovën si lufëtar i vendit tim. Ndërsa pjesa politike, është shumë gabim që po i kërkohet Kosovës një çmim i papërballueshëm për arritjen e një marrëveshje. Mendoj se është e gabueshme prej lidershipit të Kosovës me ofru oferta të gabueshme, duhet të bëhët kujdes”, ka shtuar kreu i AAK’së, shkruan Express
Haradinaj ka terguar që Qeveria e tij do t’i kryej punët deri në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se tashmë obligimet i kalojnë presidentit të vendit.
“Tani përgjegjësia kalon te presidenti, me i fillu konsultat dhe me e caktu datën e zgjedhjeve”, ka treguar Haradianj.
Letra e plotë e dorëheqjes e Haradinajt:
Të nderuar kolegë
Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:
Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falënderoj për besim dhe përkrahje
Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar
Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci
Nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përballë shpifësve ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar
Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë
Shteti im është Kosova e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij
Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit
Si kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes
Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet
Kosova euroatlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues
Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë
Kurrë s’është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje e jo ndarja apo Republika e Dodikut
Më lejoni të ju siguroj se Taksa mbetet, ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime
Pas kësaj dorëheqjeje, mandatin ia kthej popullit. Sovrani të vendos për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike
I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme
Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike
Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqëse të koalicionit qeverisës
Do t’i shërbej me besnikëri gjithë jetën, popullit, atdheut dhe shtetit tim Kosovës
Faleminderit!/K.C/dritare.net