Guy Lawson: Ju tregoj për gjyqin në Florida me djalin e Sali Berishës, Shkëlzenin!
Dritare.net
Guy Lawson, ka shkruar gjatë për historinë e trafikimit të armëve, jo vetëm në librin e tij, por edhe në mediat e huaja, ndërsa për herë të parë për një media shqiptare pas botimit të librit ka folur në emisionin "Dritare" të gazetares, Rudina Xhunga në 2016-ën.
Lawson, ka shkruar specifikisht edhe për djalin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, duke nxjerrë fakte dhe prova që sipas autorit e provojnë se Berisha ka qenë i përfshirë në biznesin famëkeq të armëve.
E pikërisht për këto akuza, Shkëlzen Berisha ka ngritur një padi kundër autorit në një gjykatë në Florida.
Gjyqi është humbur nga Shkëlzen Berisha në shkallën e parë, por Dritare.net ka mësuar se Berisha e ka apeluar vendimin, dhe aktualisht çështja është në apel.
Në një komunikim me gazetarin e Dritare.net, Guy Lawson shprehet se përderisa procedura është akoma në gjykim nuk mundet ta komentojë më tej këtë dosje.
"Kam kënaqësinë të them se Shkëlzen Berisha e ka humbur gjyqin, duke justifikuar raportimin tim gjatë gjithë vitit për ngjarjet që rrethojnë tragjedinë në Gërdec, por vendimi është aktualisht në apel, prandaj nuk mund të komentoj plotësisht deri në momentin ligjor kur procedurat të jenë të plota. Në këtë përvjetor zemra ime bashkohet me familjarët e viktimave të Gërdecit dhe shpresoj se libri im do të kontribuojë në përpjekjen për të sjellë para drejtësisë ata që shkaktuan atë fatkeqësi humanitare. Unë vazhdoj të besoj se një hetim i plotë dhe i sinqertë është urgjentisht i nevojshëm për të zbuluar të vërtetën e plotë se kush ishte përfshirë në atë që ndodhi në Gerdec.”,-thotë për Dritare.net autori, Guy Lawson.
Por pse Gjykata rrëzoi padinë e Berishës, i cili kishte paditur Lawson për shpifje pasi ai kishte përmendur përfshirjen e Berishën në trafikun e armëve.
Në dosjen e Gjykatës që dritare.net e siguron të plotë, në 22 faqe, flitet për historinë e demontimit të armëve në vendin tonë, trafikun e armëve, shpërthimin e Gërdecit e investigime të shumta.
Në fillim gjykata ka argumentuar nëse Shkëlzen Berisha është apo jo një figurë publike.
Gjykata arrin në përfundimin se Berisha është figurë publike, dhe në marrjen e këtij përcaktimi ajo duhet të udhëhiqet nga dy parime:
Figurat publike zakonisht kanë qasje më të madhe në media, që u jep atyre një mundësi më reale për të kundërshtuar deklaratat e rreme sesa individët privatë.
Së dyti, figurat publike vullnetarisht ekspozojnë veten në rritjen e rrezikut të lëndimit nga gënjeshtrat shpifëse në lidhje me ta.
Për këto përcaktime gjykatësit kanë pasur një diskutim të gjatë, për shkak se të pandehurit kanë thënë se pala paditëse nuk është një figurë publike e njohur.
Në dosje thuhet gjithashtu se: Paditësi është biri i Sali Berishës, i cili ka qenë President dhe Kryeministër i Shqipërisë. Siç është e padiskutueshme, paditësi thuhet se ka qenë në epiqendrën e jo një, por dy skandaleve të rëndësishme. E para ishte marrëveshja shqiptare e AEY-së që ishte temë e librit të Lawson, dhe e dyta që ishte katastrofa e Gërdecit.
Shkëlzen Berisha ka thënë në dëshminë e tij se nuk e ka ekspozuar veten vullnetarisht, edhe pse është djali i ish-kryeministrit ai është munduar të ketë një profil privat.
Berisha, deklaron se ka kërkuar në mënyrë specifike nga Zonja, Mevlani të kufizojë publikimin në rrjetet sociale të fotove, për shkak të ruajtjes së privatësisë.
Por, Gjykata e rrëzon këtë argument duke thënë: Pretendimi i paditësit se nuk ka kërkuar vullnetarisht për të qenë figurë publike, nuk është përgjigje ndaj pohimit se ai është një figurë publike, pasi ai ka qenë temë e gazetave dhe mediave që e akuzojnë atë për krim të organizuar.
Gjykata hedh poshtë gjithashtu një nga pretendimet e Berishës, lidhur me deklaratat e Diverolit, për përfshirjen e tij në trafikun e armëve.
Gjykata shprehet se Berisha pretendon se Diveroli, Packouz dhe Podrizki, komplotuan përfshirjen në marrëveshjen shqiptare të AEY-së. Shkëlzeni pretendon se të tre e kanë bërë këtë gjë që të trembin Kosta Trebickën, të cilin ata donin ta largonin nga roli i tij në ripaketimin e municioneve.
Gjykata e quan këtë argument të Berishës një teori konspiracioni, të pabesueshme. / Isa Myzyraj-Dritare.net
http://dritare.net/rrefimi-i-guy-lawson-cfare-di-une-per-gerdecin-rolin-e-ambasades-amerikane-dhe-te-politikaneve-shqiptare-2/