Sëfundmi është lajmëruar se do të dalë filmi që bën fjalë për ngjarjet e lidhura me me një nga historitë më të mëdha të korrupsionit në Shqipëri. Me regjisor dhe kast yjesh, duhet të jetë një komedi e zezë, kushtuar një ngjarjeje që tek ne ka shkaktuar shumë lot.
Trama e tij nuk ka shumë lidhje me tragjedinë që u bë në Gërdec. Por na kujton sa shtet karikaturë jemi dhe klasë politike banale kemi.
Sot pas tetë vjetësh jemi më të qartë për historinë. Gërdeci ishte përgjegjësi direkte e një biznesmeni të quajtur Mihal Delijorgji, i cili bënte demontim municionesh si në kushtet e shekullit të 18-të, i shtyrë nga makutëria për para. Ishte një biznes i cili nuk mund të bëhej po mos të kishe njohje majtas e djathtas. Ai vetë ishte biznesmen përtej të majtës e të djathtës. Ka qenë mik i djalit të ish kryeministrit Berisha, pasi e mori në telefon kur ndodhi ngjarja. Ka qenë mik i Edi Ramës, pasi ka folur me të në telefon pas ngjarjes. Ka qenë mik i Ilir Metës, pasi ka qarë hallet me të pasi avulloi 28 njerëz. Sot pas tetë vjetësh, Mihal Delijorgji është jashtë hekurave. E rinisi biznesin e tij, aty ku e la. Edi Rama e ndihmoi me leje ndërtimi. Pas tetë vjetësh, Ministria e Mbrojtjes e socialistëve, e atyre që bënin marshime për të viktimat e Gërdecit, vazhdon gjyqet me familjarët e viktimave.
Kjo është një nga sjelljet më mendjelehta që mund të bëjë një forcë politike. Nuk ka justifikim, që pasi e ke përdorur pesë vjet si flamur lufte politike, kur vjen në pushtet, të vazhdosh gjyqet me viktimat. Nuk ka justifikim përdorimi argumentit të vazhdimësisë së shtetit, pasi kështu i bie që ose nuk e ke pasur idenë sesi funksionon shteti, kur bërtisje rrugëve, ose ata që kanë humbur jetën dhe familjarët e tyre i konsideron mish për topin e politikës, që kur nuk të duhen më, i harron.
Politika shqiptare duhet të jape një zgjidhje për këta të mjerë që enden dyerve të gjykatave. Duhet të tregohet minimalisht aq humane sa u treguan italianët ndaj shqiptarëve, kur Parlamenti Italian ju dha 5 miliardë lireta shpërblim viktimave të “Katerit të Radës”. Nuk ishte blerje e të vdekurve dhe as pranim faji. Ishte një ndihmë për ata që shpëtuan dhe familjarët e tyre, që të mund të vazhdonin jetën dhe ingranoheshin, pavarësisht gjykimit. Është ajo që duhet të bëjë politika, shqiptare, që t’iu mundësojë fëmijëve të mbetur pa prindër të kenë një jetë dinjitoze deri sa të dalin në jetë; t’iu mundësojë prindërve të mbetur pa fëmijë, minimumin jetik deri sa të mbyllin sytë. Nëse nuk ka një ligj të tillë, le ta bëjnë. Pasi kur nuk ka pengesë për të bërë ligje që po shqyejnë Shqipërinë, nuk ka pse të ketë për t’i vënë melhem mbi plagë një krimi shtetëror, ku të gjithë kanë ngjyer putrën e tyre./dritare.net