Kuvendi i Kosovës/Gaz lotsjellës për herë të dytë. Limaj: Gazi i efektshëm, do përdorim edhe forma të tjera
Dritare.net
Deputeti i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se gazi lotsjellës e ka pasur efektin e tij në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe se partitë opozitare po mendojnë qëndrimin në Kuvend dhe format e reja që duhet të përdorin.
“Opozita po fuqizohet, ajo është në moment kur duhet të tregojë gjitha format e kundërshtimit. Partitë opozitare seriozisht duhet ta marrin në konsideratë qëndrimin në këtë parlament. Ne jemi duke diskutuar me partitë opozitare sepse mendojmë se gazi e ka pasur efektin e tij dhe jemi duke menduar për format e reja”, ka theksuar Limaj.
Gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës
Rikthehen sërish tensionet në Kuvendin e Kosovës. Edhe në seancën e sotme nuk ka munguar hedhja e gazit lotsjellës. Sipas mediave kosovare gazi është hedhur nga deputetë të Vetëvendosjes, Salih Salihu dhe Besa Baftiu.
Gjatë fjalës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, opozita ka protestuar duke bërë zhurmë dhe duke gjuajtur tavolinat për ta parandaluar fjalimin e tij. Krijimi i zhurmës ka vazhduar për çdo deputet që merr fjalën duke mos lejuar që të dëgjohen nga pjesa tjetër e sallës.
Në seancën e sotme ka marrë pjesë deputeti më i ri i Kosovës, Ali Berisha, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili zëvendëson kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj që dha dorëheqje nga posti i deputetit./dritare.net