Foto/ Tirana me muze të ri, hapet për publikun shtëpia e Kadaresë

Qytetarët, por edhe turistet  kanë një destinacion më shumë për të vizituar në Tirane. Bashkia ka kthyer në muze  shtëpinë ku për shumë vite jetoi shkrimtari Ismail Kadare. Shumë shpejt sipas kryetarit të bashkisë Erion Veliaj në muze do të kthehet dhe shtëpia e shkrimtarit Dritëro Agolli.

Falë projektit të Bashkisë së Tiranës udhëhequr nga arkitektja Elizabeta Terragni, shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tij më të njohura letrare gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, është kthyer në një muze. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, regjisori Piro Milkani, ambasadorë e mjaft personalitete të fushës së artit dhe të letrave, morën pjesë në hapjen e apartamentit që pasqyron jetën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare gjatë periudhës totalitare.

“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi. Ne duam që ky muze të jetë patjetër një në dhjetë gjërat që shihet në Tiranë, pas Bunkerit, Shtëpisë me gjethe, sheshit, institucionet tona të kultit, Muzeu Kombëtar, Opera e Baletit. Ky pallat nuk ka qenë vetëm adresa e Ismailit dhe e Elenës, por është edhe adresa e familjes Agolli. Jemi në diskutime me të dy fëmijët e Dritëroit që të bëjmë të njëjtën gjë, dhe ta kthejmë edhe atë në muze. Kështu, i gjithë pallati do të jetë i vizitueshëm. Fehmi Ibrahimi dhe të tjera personalitete kanë jetuar në këtë pallat, ndaj besoj se herët a vonë do të kthehet në një destinacion ku Bashkia e Tiranës me muzeumet vendore do të fillojë një traditë të re. Ne jemi duke eksploruar edhe hapësirat e tjera në Tiranë, që ashtu si shtëpia e Ismailit edhe Dritëroit, të kemi edhe hapësira të tjera që mund t’i kthejmë të vizitueshme, edhe në cepa të ndryshme të qytetit, për të mos u fokusuar në pjesën tonë qendrore. Ne duam që me këtë rast, të fillojmë një traditë shumë të bukur të muzeumeve vendore. Po diskutojmë që në zonën e Kalasë së Tiranës të kemi një muze vendor të qytetit të Tiranës, dhe të sigurohemi që në shtëpitë e mëdhaja tiranase, ndoshta mënyra më e mirë për t’i ruajtur ato ndërtesa është marrja në pronësi e tyre, siç bëmë me këtë ndërtesë. Nga sot muzeu do të jetë i hapur, madje për studentët, duke qenë se bashkë me ministren, javën tjetër fillojmë shpërndarjen e Kartave Studentore, për studentët është me 80 % ulje. Pra, thuajse falas për të gjithë studentët. Ndërkohë, sigurisht që ka oferta të ndryshme për ata që janë turistë, që janë grupe, për fëmijët, është gjithashtu falas.”,– tha Veliaj.

LEXO DHE :  Balla: Depozituam në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Metës, ja shkeljet!

Ndërkohë ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se kjo studio-muze do të kthehet në një hapësirë kërkimi për të rinjtë që do të njohin një pjesë të kulturës së tyre. “Kanë kryer për mendimin tim një gjest shumë të fortë dhe shumë kurajoz për faktin që kanë hapur dyert e intimitetit të tyre dhe e kanë bërë pjesë të jetës sonë. Çelësi është koha; koha këtu vërtet ka ndaluar, por e ndjen që rrjedh dhe koha këtu do të vazhdojë dhe do ta ndryshojë këtë vend. Këtu do të kthehet në një hapësirë kërkimi ku të rinjtë do të njohin një pjesë të kulturës së tyre, do të kenë mundësi të njohin akoma më nga afër një nga thesaret e vendit tonë sepse Ismail Kadareja faktikisht është për ne, në të gjithë botën, një thesar i kombit shqiptar.”,- tha Margariti./K.C/dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.